Roman dashurie: Një jetë më e mirë (26)

  • G.G /
  • 08 July 2021 - 12:36
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (26)

Kishte dëgjuar kur nëna e kishte përqafuar fort Agimin dhe iu kishte falënderuar për të gjitha ato që kishte bërë për ta. Vetëm tani e kishte kuptuar se çfarë zemre kishte Agimi dhe pyetej me veten nëse edhe Lazimi ishte i tillë. Se ajo ishte e lidhur me mashkullin që ka vullnetin për t'ju ndihmuar të tjerëve, e që prej asaj ndihme të mos kishte asnjë dobi të vetme.

Edhe ajo i kishte puthur përzemërsisht anëtarët e asaj familjeje. Varrimi kishte zgjatur shumë shkurt, e ceremonia ishte shkurtuar në shenjë falënderimi për njerëzit që të mos kenë të ftohtë, sepse ishte ftohtë. Më pas kanë shkuar në kafiterinë e qytezës. Agimi ishte ulur pranë saj, por pasi njerëzit iu afroheshin dhe i pyetnin diçka, ata shpejt pa dashje u larguan. Nganjëherë ia dilte ta vërente shikimin e tij, ai e shikonte ndërsa që edhe ajo ia kthente. Që aty e kishte ndjerë se ndaj tij ka më shumë se vetëm simpati.

E kishte të vështirë ndarjen me anëtarët e familjes, secilit prej fëmijëve u kishte dhuruar të holla. E dinte se ata fëmijë kishin krenari, por nga fytyra e tyre e dinte se ato të holla u nevojiten për diçka. Agimi i kishte treguar se si ata e kishin lutur që të kandidonte për kryetar komune, që më pas t'u ndihmonte me vende të reja të punës. Ai ua kishte bërë me dije se nuk kishte ambicie të tilla, porse do të bënte gjithçka që ishte në mundësinë e tij për t'u ndihmuar.

Jehona nuk po çuditej aspak me këtë, me të vërtetë dukej i fortë dhe i aftë. Erdhën para hotelit. - A dëshiron të vij më vonë te ti, të dalim për darkë? - Kam planifikuar që sonte të kthehem në shtëpi. - Tashmë ka rënë terri, rri deri në mëngjes, e nisu ditën. Terri është i rrezikshëm kur ka ngrica. Dukej se në shikimin e tij kishte lutje. Edhe pse nuk kishte frikë nga vozitja, kësaj radhe kishte menduar se Agimi kishte të drejtë. - Në rregull. Një natë nuk do t'i çrregullojë planet e mia.

- E unë po shpresoja se do ta bënte... Shihemi në ora nëntë? Bëri me kokë, porse ishte mahnitur me atë fjalinë paraprake. Për çfarë nate po shpresonte ai? Dridhej nga mendimet se ai dëshironte të ndodhte pikërisht tani diçka. Kishte bërë një dush dhe përsëri i ishte falënderuar Dafinës që i kishte thënë të merrte rroba shtesë me vete. Kishte veshur një fustan të kuq të ngushtë deri në gju, bëri grimin, i mbathi çizmet e gjata dhe vuri parfumin joshës.

E më pas cingëroi telefoni, ishte Lazimi. - A je nisur? - Jo, nuk jam nisur. Do të rri edhe sonte, nisem porsa të zgjohem. - Përse po qëndron? - Pasi është borë e madhe dhe kam frikë të vozis nëpër këtë terr dhe erë. - Ishte dashur të nisesh para territ, kur të vish në autostradë gjithçka është e pastër. - Nuk kam mundur të nisem para territ. - Në varrim u nisëm me vonesë. Shihej se ishte i zemëruar dhe ishte me ironi. Jehona ishte mllefosur. - Dëgjo, kam vendosur të rri edhe sonte dhe pikë. E ti nëse nuk e di se dimrit herët bëhet terr, ky është problemi yt. Ia ndali telefonin. Përnjëherë thuajse kishte dëshiruar që ai të mos kthehej kurrë nga Amerika dhe mos të ketë obligim për të jetuar bashkë me të. (vijon) 

(Kosova Sot Online)