Ngjarje e vërtetë: Kur tërë kjo do t'i takojë së kaluarës (3)

  • 15 July 2021 - 13:34
Ngjarje e vërtetë: Kur tërë kjo do t'i takojë së kaluarës (3)

Nuk është se nuk e doja, e doja që ç'ke me të, por unë nuk kuptoja assesi që gabimet për të cilat e kritikoja, në fakt të gjitha ishin gabime të mia, të cilat, me marrëzinë time, i shihja te ajo. Për shkak të të gjitha këtyre marrëzive, pjesën më të madhe të verës e kaluam duke dëshiruar që të ishim bashkë, por bashkë ishim vetëm në imagjinatë dhe ëndrra.

Vetëm pas mbarimit të sezonit të nxehtë, duart na u bashkuan sërish edhe pse gjatë tërë kohës, zemrat tona kishin rrahur me një ritëm. Ditët e fundit të verës, të shfrytëzuara maksimalisht, sikur edhe ditët e para të lidhjes, janë edhe një koleksion kujtimesh, të cilat nuk do të zhduken asnjëherë, asnjëherë nuk do të ndeshen me dhëmbët e pamëshirshëm të harresës.

Por, atëherë nuk e dinim se ato kujtime do të shndërrohen vetvetiu në kthetra, të cilat do ta shkaktonin dhembjen e madhe kur të vijë koha e duhur. Ditët e fundit të verës i kaluam nën diellin tepër të nxehtë, duke kaluar çdo ditë momente të mira me njëri-tjetrin. Buzëqeshja nuk lejonte që mërzia të sillte lot, as edhe një moment të vetëm. Ishim të ri, gabonim (kryesisht unë), por mbi të gjitha ishim të lumtur. Natyrisht, sot nuk do të isha këtu dhe tërë ky rrëfim nuk do të kishte kuptim, sikur tërë koha të na shkonte si përrallë, sikur që na kishte shkuar atyre muajve, shumë vite më parë. Jo, jo.

Ngjarjet që pasuan më vonë do të linin një gjurmë të madhe dhe do ta caktonin drejtimin e jetës sime, të cilin do ta ndjek edhe një kohë të gjatë. Këtë që do ta dëgjoni tani është kuptimi i vërtetë i rrëfimit tim jetësor, një pikë kthese dhe diçka që do të mbetet me mua përjetë. I papjekur, sikur që isha atëherë, kisha bërë gabimin më të madh.

Pushova që ta trajtoja si e meritonte, shpesh e bëja që të qante dhe e mbaja të zgjuar gjatë tërë natës. Mendoja vetëm për veten time, e jo për pasojat të cilat fjalët dhe veprat e mia mund të kishin te ajo. Në të vërtetë, ende ëndërroja një hepiend për përrallën tonë të vogël, por diku, përgjatë kësaj kohe, fillova që të mos sillesha me të sikur që e meritonte. Kjo ishte pasuar me faktin që ajo, kishte ikur, ishte larguar. Ajo shkoi e unë nuk bëra as më të voglin veprim që ta ndalja.

E lëshova dorën e saj, duke menduar se edhe më pas çdo gjë do të ishte njësoj. Nuk vonoi shumë e ajo tentoi që të kthehej, duhej shumë pak mund nga ana ime, që ajo të kthehej, por duhej më shumë kohë që unë ta ndjeja mangësinë që kishte lënë ajo. Midis tentimeve të saj të rivënies së lidhjes tonë dhe kuptimit tim se ajo është ajo e vërteta, ajo ndryshoi, të paktën e ndryshoi mendimin. Kuptoi se, megjithatë, ajo mundet pa mua, apo të paktën tentoi të provonte.

Shumë shpejt te unë filluan që të vinin thashetheme se ajo shihej me dikë tjetër, se ishte e lumtur, se kishte dikë që ndaj saj sillej sikur duhej. Mu kur edhe unë isha i gatshëm që të filloja të sillesha sikur e meritonte ajo, ajo gjeti dikë tjetër që ta bënte këtë në vend timin. E humba dhe nuk kishte mënyrë se si ta ktheja. Nuk donte më që të më shihte, nuk donte që t'ia prishja lidhjen e re dhe fillova t'i pengoja. Duke kuptuar se aty isha i panevojshëm, vendosa që edhe unë të hiqja dorë nga tentimi që përsëri ta bëja për vete dhe vazhdova tutje. Në fillim i lënduar dhe depresiv, nuk dija çka të bëja.

E, isha aq i ri, tepër i ri që të gjendesha në një situatë të tillë. Do të kalonin muajt para se të bëja hapat e parë kah vënia e një lidhjeje të re. E edhe ato lidhje që të gjitha kishin të metat e veta. Çdo herë kur nuk më pëlqente ndonjë imtësi, më së shpeshti ndonjë privilegj që e kisha më parë, të cilën e dashura aktuale tentonte të ma hiqte, unë e ndërpreja lidhjen dhe i shkatërroja të gjitha urat. Kam rrënuar aq shumë ura, saqë nuk do të mund t'i rregulloja për një jetë të tërë. (vijon) 

(Kosova Sot Online)