Ngjarje e vërtetë: Kur tërë kjo do t'i takojë së kaluarës (5)

  • G.G /
  • 17 July 2021 - 13:00
Ngjarje e vërtetë: Kur tërë kjo do t'i takojë së kaluarës (5)

Në të vërtetë, ajo më ndihmoi që t'i varrosja të gjitha ato ndjenja të vjetra, që të mos më mundonin çdo ditë të lume. I trimëruar nga përvoja e mirë, shkova tutje. Nuk mund të shkoja tepër larg, meqë mjetet i kisha shumë të kufizuara, e nuk ishte aq lehtë të fitosh në Spanjë, saqë ishte në Skandinavi. Gjermania ishte gjithmonë një vend ku njerëzit si unë mund ta gjenin një punë. Kështu që shkova aty dhe mbeta.

Mbeta për një kohë të gjatë. Mësimi edhe i një gjuhe dhe përshtatja me një stil të ri të jetës, me të vërtetë ishte një ndryshim i madh. E, kisha mjaft raste dhe mjete që të udhëtoja paksa herë pas here, por edhe që të kthehesha dhe të vazhdoja të punoja. Nuk ëndërroja ndonjë përrallë të re, por përsëri jetoja pa u penduar. Kaluan vitet para se ta ndjeja dëshirën që përsëri të kthehesha në qytetin tim të vogël. Atëherë nuk mendoja për të, për dashurinë e ditëve të rinisë dhe për përrallën tonë të vogël. Kështu, vendosa që të merrja pushim vjetor dhe të kthehesha për një kohë në shtëpi.

Nuk jam në gjendje t'i përshkruaj lotët në fytyrën e nënës dhe dashurinë që ndjeva nga ai shtrëngim i dorës nga babai. Iu kisha munguar, prandaj ishin tepër të lumtur që më shihnin përsëri. Dhe, iu vinte mirë që isha bërë një njeri i vërtetë.

Kisha bërë një pasuri të vogël, kisha vendin tim nën qiell dhe kulmin mbi kokë. Shoqëria e vjetër, apo të paktën ata që mund të quheshin shokët e mi, kryesisht ende ishin aty edhe pse nuk i kishin punët aq mirë. Shumë kishin dështuar, ishin rrasur në borxhe deri në fyt dhe jetonin në mjerim. Por, përkundër kësaj, nuk kishin vullnet për të kërkuar diçka më mirë.

Vetë e kishin groposur dhe vrarë veten e tyre. Ishin të paktë ata që iu kisha munguar, e edhe më të paktë ata që më përqafuan dhe më përshëndetën me sinqeritet pasi që më panë. Një mikeshë e vjetër më ftoi që, një ditë, të pinim diçka, të dilnim në qytet dhe të bisedonim sikur iu ka hije dy miqve të vjetër, meqë atë ditë ishte për ngutë. Dhe, me të vërtetë u takuam disa ditë më vonë. I tregova për udhëtimet e mia, për bukuritë e të gjitha qyteteve që i kisha vizituar gjatë viteve të fundit, e ajo mua më tregoi se çka kishte ndryshuar në atdhe, derisa unë nuk isha aty. Më foli edhe për jetën e saj. Ishte martuar, ishte e lumtur, ishin duke planifikuar edhe fëmijë. Shprehu dëshirën që t'i tregoja si kishte rrjedhur jeta ime e dashurisë, ku i thashë se as që kisha tentuar të rehatohesha dhe ta planifikoja ndonjë bashkësi serioze martesore me ndokënd.

Thjesht, nuk kisha gjetur askënd me të cilën do të doja të jetoja tërë jetën. Orët kalonin ngadalë dhe asaj i duhej që t'iu kthehej obligimeve të veta. U ndamë dhe u nisa kah parkingu, deri te vendi ku kisha lënë veturën. Futa dorën në xhep për ta kërkuar çelësin. Kur i kapa çelësat, se si u ngatërrova dhe ata më ranë në tokë. U përkula që t'i merrja çelësat, pash se si m'u afrua dikush. Kur u ngrita sytë e mi ndeshën në sytë e saj. Mbeta pa fjalë... (vijon)

(Kosova Sot Online)