Roman dashurie:Si u dashurova në ty (6)

  • E.K /
  • 24 July 2021 - 16:10
Roman dashurie:Si u dashurova në ty (6)

U ktheva në realitet dhe pash se Kyle gjendej disa hapa larg meje, derisa unë isha duke vrapuar me tërë fuqinë që kisha. I dhashë edhe më shumë. Doja që të ikja nga ai. Frymëmarrja sa vinte më vështirësohej, shikimi më turbullohej. Isha konfuze. Kyle më vinte prapa, duke më shikuar dhe duke më përcjellë. Më pas, sikur i erdhi një fuqi dhe më kaloi, duke vrapuar më shpejt sesa që e kisha parë ndonjëherë. Vrapoi sikur një futbollist i zoti, që edhe ishte. Unë u ndala, vura duart në gjunjë dhe fillova të merrja frymë me ofshama. Edhe Kyle, që gjendej disa hapa larg meje, e bënte të njëjtën gjë. Ishim në një kreshtë mali, ku shtëpitë tona ishin disa kilometra larg. Lulet ishin gjithandej.

Mbretëronte një freski e një pasditeje shtatori. Fillova që të ecja vërdallë, duke e hequr bluzën për ta fshirë djersën nga fytyra. Më pas u ndala, duke tentuar që ta ngadalësoja frymëmarrjen. "Duhet të bësh ushtrime të zgjatjes", tha Kyle, i cili gjendej afër meje. Analizova zërin e tij, afërsinë e tij të madhe. Zemra filloi të më rrihte sërish, gjë që më nervozoi, meqë kisha të bëja me Kyle-in, njeriun i cili dinte gjithçka për mua. Bile-bile, ai më kishte parë edhe lakuriqe. Këto mendime nuk më ndihmuan aspak. E shikova edhe një herë dhe pash se ishte duke marrë ende frymë me vështirësi, për shkak të vrapimit, por ato më dukeshin edhe si... ofshama dashurie. I lëpiva buzët, kurse ai ma fiksoi gjuhën me shikimin e tij. Kjo ishte keq. "Kyle…" fillova, për të kuptuar më pas se nuk dija si të vazhdoja. "Nell", tha ai me një zë të qetë dhe me vetëbesim. Por, ishte shikimi ai që e tradhtoi atë.

Ai ma ktheu shpinën dhe filloi që të bënte ushtrimet e zgjatjes. Edhe unë fillova me po të njëjtat ushtrime. Kur përfunduam, u ulëm në bar dhe unë e dija se më nuk mund ta evitonim diskutimin. Me qëllim që t'i zbusja nervat sado pak, i zgjidha flokët që i kisha të lidhura dhe i lëshova të më binin lirshëm. Kyle mori frymë thellë dhe më analizoi me shikim. Më pas i rrudhi sytë, sa nuk i mbylli tërësisht. "Nell, dëgjo. Kur thash 'pse jo', ajo ishte një... marrëzi. Nuk ishte mendimi im. Më vjen keq. E di sesi mund ta kesh kuptuar një gjë të tillë, por unë isha vetëm i shqetësuar dhe konfuz". "Konfuz?" "Po, konfuz!", tha Kyle, gati duke bërtitur. "E tërë kjo gjë midis nesh sot është konfuze. Kur më tregove se Jason të paska thirrur në takim, sikur diçka plasi në kokën time. E paramendova atë bashkë me ty, ndoshta edhe duke të të puthur. Jo! Thjesht jo"! Ai e fërkoi fytyrën, e më pas u shtri në bar, duke shikuar qiellin e kaltër, të bardhë dhe nga pak të portokalltë, nga dielli që kishte filluar të perëndonte. (vijon)

(Kosova Sot Online)