Roman dashurie:Si u dashurova në ty (13)

  • E.K /
  • 31 July 2021 - 17:09
Roman dashurie:Si u dashurova në ty (13)

U ngurtësova, kurse dora e Colton-it më fiksoi."Të paktën mbështetu te unë, Nell", tha ai. "Mos u bëj kokëfortë". Unë u ndala, me këmbën e ngritur lehtazi, duke hezituar. "Jo", thashë, duke ia larguar dorën. Lëshova këmbën në tokë dhe fillova të ecja normalisht. Kisha dhembje aq të madhe sa që mezi merrja frymë, por kështu bile më largohej ndjenja e fajit, më largohej dhembja në zemrën time, ankthi i cili më kaplonte sa herë që zgjohesha në mëngjes, kur bëhesha e vetëdijshme se Kyle kishte ikur, për të mos u kthyer kurrë më. Kishte vdekur. Kaq! Kishte dhënë shpirt duke më shpëtuar mua. Bëra edhe një hap dhe dhembja përsëri më plandosi.

Përkula kokën dhe flokët më ranë në fytyrë, duke ma penguar shikimin. Dëgjoja hapat e tij prapa meje, dëgjoja frymëmarrjen e tij, aromën e tij, erën e duhanit të përzier me aromë kolonje. Aromë burri. Një aromë tipike për Coltonin, por disi tepër familjare. Rruga deri në shtëpi mu duk tepër e gjatë, derisa nyja e këmbës më ishte ënjtur, duke bërë që dhembja të më përhapej deri në ije, lart. E shtyva derën e hyrjes, injorova prindërit e mi, të cilët u ngritën në këmbë dhe më thirrën në emër. Colton më përcolli deri brenda. "E ka ndrydhur këmbën", iu tha ai atyre. "Faleminderit që shkove me të", tha babai. Hetova dyshimin në zërin e tij, derisa isha duke dëgjuar nga lart. "Nuk ka problem", tha Colton derisa hapi derën dhe deshi të dilte jashtë. "Ngushëllimet e mia, Colton", i tha nëna ime.

"Po". Kaq tha ai dhe doli duke mbyllur derën ngadalë. Hyra në dhomën time ku, meqë tani isha vetëm, mund të çaloja lirshëm. Mbylla derën dhe fillova që të zhvishesha. Pasi që u zhvesha hyra nën dush. Uji i ngrohtë, duke më rënë teposhtë trupit, ma largoi dhembjen, por jo edhe ndjenjën e fajit. Kur uji u bë i vakët, dola nga dushi dhe u mbështolla me rrobën e banjës. Më pas u shtriva në shtrat dhe u mbulova me dy batanije. Heshtja në dhomën time ishte e thellë. Mbylla sytë dhe pash Kyle-n nën dru, të ndrydhur, duke derdhur gjak dhe duke marrë frymë me vështirësi. Dëgjova zërin e tij duke pëshpëritur: "Të dua…I Të dua…", duke e përsëritur këtë derisa mbeti pa frymë. Dëgjova derën duke u hapur, ndjeva shtratin duke u ndrydhur, derisa nëna u ul aty. I shtrëngova sytë e mbyllur, duke ndier diçka të ngrohtë dhe të lagësht duke mu zdirgjur poshtë faqes. Nuk ishte lot, meqë nuk mund të qaja.

Për të qarë, për t'i lënë gjërat që të shkonin, më duhej ta hapja zemrën. Po të filloja të qaja, më nuk do të mund të ndalesha. "Nell… zemër", zëri i nënës ishte i butë, hezitues. Dëgjova sesi ajo ma zbuloi këmbën dhe ma preku nyjën e ënjtur. "O Zot, Nell. Ti ke nevojë për mjek. Këmba të është ënjtur dhe ka marrë ngjyrë vjollcë". Unë mohova me kokë. "Vetëm ma mbështill. Ma qit pak akull. Nuk e kam thyer". Ajo ofshau. Qëndroi disa minuta pa thënë gjë, e më pas u largua, për t'u kthyer me një paketim të akullit dhe me një lidhëse. Pasi që ma lidhi këmbën, u ul përsëri. "Nuk e dija se e njihje Coltonin" "Nuk e njihja"! "Të pashë duke pirë duhan", më tha, derisa unë nuk u përgjigja. "Fol me mua, zemër". Unë tunda kokën dhe, duke e mbuluar kokën me batanije, thashë: "Të flas? E, çka të them"? (vijon)

(Kosova Sot Online)