Roman dashurie:Si u dashurova në ty (18)

  • E.K /
  • 05 August 2021 - 15:50
Roman dashurie:Si u dashurova në ty (18)

E zura veten duke folur me Kyle-n, sikur ai të mund të më dëgjonte. I thosha se ai moment nuk donte të thoshte asgjë, se e doja vetëm të. Por, më pas ai u largua dhe më shikoi. Mu desh që ta ngritja kokën, me ç'rast na u ndeshën shikimet. Oh, sytë e tij, aq të butë, të ndritshëm, të kaltër. Sytë e tij... më vërshuan. Më thithën brenda. U ngjita sërish për trupin e tij. Nuk e di sesi, buzët e mia më pas u bashkuan me buzët e tij të forta. E tëra zgjati vetëm ca sekonda. Një puthje, një moment dobësie, sikur forca e paevitueshme e gravitacionit. Për një moment më kaploi vetëdija, më goditi sikur thika në zemër. U tërhoqa prapa, dola nga përqafimi i tij, nga rehatia e përqafimit të tij, buzëve të tij.

"Çka jam duke bërë?", thashë, duke u larguar. "Çka jam duke bërë? Çka dreqin jam duke bërë?" U ktheva dhe u largova sa më shpejt që munda, duke u munduar që të mos ia krisja vajit për shkak të ndjenjës së turpit. Colton pasoi, duke vrapuar dhe duke më ndalur me duart në supe. "Prit, Nell. Prit. Prit". Unë u çlirova. "Mos më prek. Ajo që bëmë… ishte gabim. Tepër gabim. Më vjen keq... shumë keq". Ai tundi kokën, me sytë me emocion. "Jo, Nell. Ajo tanimë ndodhi. Më vjen po ashtu keq. Në rregull është". "Nuk është në rregull!" thash gati duke bërtitur. "Si mund të të puth, kur ai është i vdekur? Kur njeriu që e dua nuk është më. Si mund të të puth kur... kur Kyle...". "Nuk është faji yt. Edhe unë lejova që të ndodhte. Nuk është faji yt. Thjesht, ndodhi", ai vazhdonte t'i përsëriste këto fjalë, sikur të mund ta shihte dhe ta maste fajin. "Mos e thuaj më këtë!", thashë pa menduar mirë.

"Ti nuk e di! Nuk ishe atje! Ai ka vdekur, e unë...", nuk munda ta përfundoja fjalinë. Të menduarit ishte një gjë, por thënia e atyre mendimeve vëllait të Kyle-it ishte një gjë krejt tjetër. Vëllait të Kyle-it të cilin sapo e putha. Ai sërish ishte afër meje, në njëfarë mënyre. Nuk më prekte, por distanca midis nesh ishte tepër e vogël. "Nuk jemi më duke folur vetëm për puthjen, apo jo?" Zëri i tij ishte plot pasion, dridhej. Tunda kokën, përgjigja ime e vetme për shumëçka ishte: "Nuk mundem, nuk mundem, nuk mundem"! Mundesha vetëm të largohesha dhe, kësaj here Colton Calloway nuk më ndali.

Ai më shikonte, e ndjeja shikimin e tij në trupin tim, duke depërtuar thellë në sekretet e shpirtit tim, ku faji dhe pikëllimi më brenin si absces. Mezi arrita në dhomën time, në shtratin tim. I mbylla sytë dhe pash Kyle-in duke vdekur dhe atë jo vetëm një herë, por disa herë. Pastaj, midis imazheve të vdekjes së Kyle-s, pash fytyrën e Coltonit duke mu afruar dhe buzët e tij duke u bashkuar me ato të miat. Doja të bërtisja, të qaja, të dënesja. Por, nuk mundja. Sepse, po të mundja, kurrë nuk do të ndalesha. Do të nxirrja një oqean lotësh. E tëra që mund të ndjeja ishte një presion, një peshë e pikëllimit. Kjo do të ishte e tëra ajo që mund të ndjeja. E dija këtë. E dija edhe se, një ditë, do të mësohesha të bëhesha normale sërish. Që të jetoja, të isha, të dukesha se jam në rregull. (vijon)

(Kosova Sot Online)