Ngjarje e vërtetë: E martuar - e robëruar! (1)

  • E.K /
  • 05 August 2021 - 15:54
Ngjarje e vërtetë: E martuar - e robëruar! (1)

Lule - zëri i bashkëshortit tim Robertit më dridhi. Nuk po mendoja për asgjë, por vetëm i kisha ngulur sytë në diçka të zbrazët. As që isha në gjendje të mendoja. Një mungesë e vullnetit më kishte pushtuar. - Ku mbete - më pyeti derisa po buzëqeshte. I ula krahët. Fytyra ime kishte humbur shprehjen, po e shikoja sikurse po e vëzhgoja një objekt, i cili më kishte dalë para rrugës. - Ja ku jam - i thashë e frikësuar dhe e befasuar. - Dreka është e shkëlqyeshme - më falënderoi. - Gjithmonë kam dashur një grua të përsosur, e ti je bashkimi i përsosmërisë që e kam dëshiruar. 

Por… - po më shikonte me vëmendje, si gjithmonë që e bënte kur ishte në afërsinë time. - Një balluke të ka dalë para syve - më paralajmëroi. Sikur të mundja të kërceja nga lëkura, në atë moment do ta bëja. Ai thuajse nuk ishte i vetëdijshëm se sa shumë më irritonte me imtësirat e veta, që ishin krejt të parëndësishme. - E di se gjithmonë dëshiroj të dukesh e hatashme. Në dispozicion i ke të gjithë ekspertët e mundshëm për bukuri. Kur të vij nga puna, do të dalim për darkë - i fshiu buzët e tij, si dhe piu një gllënjkë të verës së tij të preferuar. - Në rregull - ia ktheva me qetësi. Gjithmonë ndihem rehat kur dal me ty - ia dola t'ia them. - E di - Roberti u ngrit dhe m'u ofrua.

E kapi fytyrën time me duar dhe lëshoi një puthje të lehtë në buzët e mia. E mbajta këtë prekje të vogël të butësisë, edhe pse kisha një nxitje që ta kthej kokën. Mezi po prisja që të shkonte. Një mllef i madh ishte grumbulluar brenda meje dhe thënë më mirë, mllefi im ishte në pikën më të lartë të vlimit. Kur ishte larguar prej meje, u ngrita dhe shkova te xhaketa e tij. I kam ndihmuar ta vesh dhe e kam pritur momentin kur do të mbetesha vetë, krejtësisht vetë. - Dua të mbetesh e pakrahasueshme - më tha, derisa po largohej. Në shenjë të pranimit të kësaj që tha e ula kokën, dhe mora frymë thellë. Kur janë mbyllur dyert, mora frymë lirisht. I kam larguar enët nga tavolina dhe po i pastroja.

E kam zier një kafe dhe jam ulur. I kam kryqëzuar këmbët. As gllënjka e parë e kafesë nuk po mund të ma hiqte shijen e hidhur, që më kishte mbetur në gojë. E kam ndezur një cigare, duke u kënaqur me të dhe me të gjitha shqisat e mia. Kjo ishte kënaqësia ime e vetme. Kjo po ndikonte në bukurinë time, por edhe unë vetë disi dëshiroja që të plakem dhe të më humbet bukuria. Pa marrë parasysh se sa e çuditshme të ndikonte dhe tingëllonte, kjo ishte e vërteta. Edhe vetë e kam ditur se si mendjet më ishin ndarë. E kam pirë edhe një gllënjkë të kafesë, duke provuar që të qetësohem dhe kjo deri-diku po më shkonte për dore. Vetë fakti se Roberti nuk ishte këtu, ishte një arsye e duhur që të festoj dhe të jem e lumtur. Tash e disa muaj po e urreja, por me shumë shkathtësi po e fshihja këtë.

O Zot, po mendoja me veten time. E kam sjellë vetë veten time në një situatë si kjo, në të cilën po gjendesha tani. Kujtimet filluan të më shkojnë në nerva. I kam hapur kujtimet e së kaluarës time, që pa kurrfarë dyshimi ishin më të bukura se e tashmja, por këtë atëherë nuk e kisha kuptuar, kështu që nuk kisha mundur të kënaqem në ato momente. Më kujtohet koha, kur nga një vajzë e vogël isha shndërruar në një femër të rritur. Sa më shumë kohë që po kalonte, dukja ime po tërhiqte më shumë vëmendje. Por, deri në atë moment nuk kisha qenë e vetëdijshme, gjithnjë e më shumë po kujdesesha për dukjen time. Po dukesha për mrekulli. E gjatë dhe me figurë vitale, plot me gjoks, këmbë të gjata dhe ijë të theksuara, që ishin edhe karakteristikat kryesore të trupit tim. E fytyra? Ajo ishte pjesa më e bukur e imja. (vijon)

(Kosova Sot Online)