Ngjarje e vërtetë: E martuar - e robëruar! (2)

  • E.K /
  • 06 August 2021 - 15:54
Ngjarje e vërtetë: E martuar - e robëruar! (2)

Me të vërtetë ishte e përkryer. Këtë mund ta thosha pa ndonjë modesti të rreme. Bukur shumë i ngjaja Angelina Jolies, ku një gjë të tillë ma kishin thënë disa herë. Kisha ca sy të mrekullueshëm, të gjelbër, të kufizuar me qerpikë të gjatë, një hundë të vogël, buzët e plota të cilat i fshihnin dhëmbët e mi të bardhë dhe një fytyrë paksa të zgjatur, por harmonike me pjesët e tjera. E dija se mund ta kisha atë të dashur që do të ma donte zemra, prandaj kisha shumë të tillë. Isha si një flutur që shkon nga njëra, te lulja tjetër, ku shumicën e këtyre lidhjeve i ndërprisja ende pa u afruar mirë.

Me kalimin e kohës kuptova se, atë që isha duke e kërkuar, kurrë nuk do ta gjeja te meshkujt të cilët ishin vetëm pak më të rritur sesa unë. Për këtë shkak, iu ktheva meshkujve që ishin më të pjekur. Por, hasa në një problem, i cili mu duk i pakalueshëm. Shumica prej tyre ishin të martuar, për çka shumë prej atyre që i doja, nuk vinin në shprehje për shkak të kësaj "hollësie". Megjithatë, nuk hoqa dorë. Kur takova Robertin, kuptova se ai ishte tërësia e tërë asaj që kërkoja.

Ishte nja njëzet vjet më i vjetër se unë. Ishte një njeri i suksesshëm dhe i pasur, por mbi të gjitha, dinte si duhej të sillej ndaj një femre. Edhe pse ishte i martuar, u lëshova në lidhje me të. Me të vërtetë ndaj meje sillej sikur të isha mbretëreshë. E, kush do të mund t'i bënte ballë një trajtimi të tillë? Çdo ditë më bënte dhurata të shtrenjta dhe më premtonte se do të ndahej nga gruaja, por unë nuk i besoja aspak. U befasova shumë kur më tha se e kishte dorëzuar në gjyq kërkesën për shkurorëzim. Atë mbrëmje më propozoi martesë. Natyrisht se pranova.

Roberti mund të mos ishte mashkulli më i bukur, por ishte ai që mund të më ofronte çdo gjë që do të dëshiroja: sigurinë dhe stabilitetin. Kishte dy fëmijë të rritur, por kjo mua nuk më interesonte fare. E vetmja gjë që kishte rëndësi, ishte që ai ishte i dashuruar në mua. Edhe atë, më donte pa masë. Me kënaqësi shikoja smeraldin i cili gjendej në unazën time të fejesës. - Kur e pash mu kujtuan sytë e tu, prandaj nuk pata çare pa e blerë - më tha ai. Në asnjë moment nuk e fshihte faktin se sa ishte i magjepsur me mua. Për të isha gjëja më e rëndësishme në jetë. Krejt kjo më bënte të ndihesha mirë. Në shtëpi kisha një koleksion të tërë të dhuratave të shtrenjta.

Ai nuk e shfaqte vetëm dashurinë, por e dëshmonte atë në të gjitha mënyrat e mundshme. Nuk vonoi e bleu një banesë në qendër të qytetit, ku u vendosëm për të jetuar. U largua nga gruaja, duke ia lënë një shtëpi të mrekullueshme, por për mua kjo nuk kishte rëndësi. Me të vërtetë mendoja se ai ishte tërë ajo që më duhej. Sikur ta dija të paktën një pjesë të së vërtetës, do të ikja si e marrë nga ai. As nuk më shkonte ndërmend se sa më donte dhe sa do të ma nxinte jetën me xhelozinë e tij.

Në fillim më vinte mirë që ishte xheloz. Këtë xhelozi e konsideroja si dëshmi të dashurisë, se ai më donte pa hile. Gjithmonë donte ta dinte se ku dhe me kë isha. Kontrollonte çdo lëvizje që bëja, por nuk dija se çka më priste. E ngushëlloja veten se isha tepër e re dhe se ende nuk e njihja ende natyrën e vërtetë të meshkujve. Vetëm disa ditë pasi që filluam të jetonim bashkë, më vizituan prindërit e mi. Ata e dinin se kisha të dashur, por nuk e dinin se kush ishte ai. Kur dëgjuan se ai ishte duke u shkurorëzuar për hatrin tim, ata u çmendën, duke më thënë se do të distancoheshin dhe lëçiteshin nga unë në tërësi. (vijon).

(Kosova Sot Online)