Ngjarje e vërtetë: E martuar - e robëruar! (5)

  • E.K /
  • 09 August 2021 - 15:45
Ngjarje e vërtetë: E martuar - e robëruar! (5)

E kam shikuar në fytyrë. E vërteta ishte se nuk kishte ndonjë bukuri, por përshtypja e tij e përgjithshme ishte e theksuar. Kam menduar se do të fitoja gjithçka prej tij, e ai m'i mori të gjitha. Dukej i shpenzuar. Edhe vetë habitem me veten sesi nuk e kisha vërejtur këtë gjë. Të gjitha shkathtësitë e tij ishin shndërruar në mangësi. Ndoshta kjo ndodh me kalimin e kohës. Rrudhat po i theksoheshin gjithnjë e më shumë, e flokët po i rralloheshin. Ai duhej të bënte gjithçka që të më mbante për vete, por në një mënyrë tjetër, e jo me dhunë. Po ndihesha si një zog i plaguar, që në njëfarë mënyre edhe isha.

E robëruar nga dashuria, e rrethuar me xhelozinë e tij, e ajo që ishte më e keqja, isha e vetme, krejt vetëm. Isha larguar nga gjithë të tjerët. Të gjithë miqtë më kishin braktisur. Disa kishin paragjykuar sjelljen time, e disa të tjerë ai nuk dëshironte t'i shihte në shoqërinë time. Sido që të jetë, unë isha ajo që po i vuaja pasojat e veprimeve të mia. Për çfarë jam jofalënderuese -e pyeta pas mendimeve që mi kishte nxitur. - Për çfarë - përsëriti pyetjen time, duke qeshur me ironi. - Po, për çfarë? A thua çfarë duhet të bëj - nuk e kisha të qarë. - Po sillesh ndaj meje sikurse të isha… - po belbëzoja me fjalët, por nuk e dita si ta formoj fjalinë. - Po sillem ashtu siç e meriton. Kurrë nuk e ke fituar besimin tim. Nëse nuk të ka penguar të jesh me një njeri të martuar, pse po sillesh ndryshe atëherë? Duket qartë se ishte prirë për aventura, e unë nuk lejoj që dikush të më përqesh prapa shpinës.

Ti pa kontroll do të ishe thjesht një objekt, me të cilin të tjerët do të shërbeheshin - ma tha versionin e tij të së vërtetës në fytyrë, e unë nuk kisha ndonjë mënyrë për t'u mbrojtur. - Kjo nuk është aspak e vërtetë - ia dola t'ia them këto fjalë. - Nëse ke të holla, ke edhe pushtet. Unë i kam të dyja. Nuk je ti e para që dëshiron të më joshë, por të rralla janë ato që kanë pasur sukses në këtë. Askujt si ty së paku. Krejt i kam lënë shkaku yt, e ti dëshiron të veprosh kështu - fjalët e tij kishin kaluar tashmë secilin kufi. - Dashuria do të duhej të na bashkonte, e jo të na largojë - Po provoja t'ia shpjegoj, por ai vetëm qeshte me ironi. - Këto janë përralla në të cilat nuk beson askush më. Dashuria - i hapi duart me këtë rast. - Nëse nuk e ke një vizion të qarë se çfarë dëshiroj prej teje, do ta shpjegoj.

Po ashtu, do t'i shpjegoj edhe pasojat nëse nuk do të jetë krejt ashtu si ç kërkoj unë nga ti - tha i vendosur. Atë natë m'i kishte treguar shumë gjëra pa lidhje, së paku unë besoja se ishin të tilla. Në fund e kam kuptuar vetëm një, unë nuk kam zgjedhje, e as ku të shkoj, e për të gjitha fajet i kam vet. Nëse edhe kërkoj punë, askush nuk do të më punësojë. Nuk isha mjaftueshëm e mençur që të provoj të shikoj se si e ardhmja do të duhej të dukej. Kam menduar se gjithmonë do të ec nëpër petalet e trëndafilave, por shenja e bukurisë kishte mbetur prapa meje. Gjithmonë e kam dashur ndjenjën e lirisë. Kjo liri po qarkullonte nëpër venat e mia, e tani isha në burg, e nuk kam bërë gjë. Sikur të kisha bërë ndoshta do të ndihesha më mirë. Asnjë dhuratë më nuk më lumturonte, por i dëshiroja. Më së shumti kam gabuar që kam kërkuar diçka që e kisha në veten time, e se këtë nuk e kam vërejtur derisa ishte tepër vonë. Unë e kisha dashurinë, e më pas e kam shitur atë. I kisha prindërit, e ata po silleshin sikurse unë nuk ekzistoja. (vijon)

(Kosova Sot Online)