Ngjarje e vërtetë: Jeta me një mashkull të pakorrigjueshëm (4)

  • A.P /
  • 15 August 2021 - 13:25
Ngjarje e vërtetë: Jeta me një mashkull të pakorrigjueshëm (4)

Kureshtja e femrës më ka shtyrë që të largoj gjithçka nga dollapi i Aliut, si dhe t'i kërkoj edhe këndet më të fshehura aty. Pothuajse po imagjinoja gjërat kur e kam kuptuar se nuk kishte gjë. E më pas vëmendjen ma ka tërhequr diçka në këpucët e tij, të cilat kurrë nuk i kishte mbathur. Aty kishte diçka që nuk e kishte vendin aty. E shikova dhe disi thuajse më goditi rrufeja. Në dorë po mbaja foton, në të cilën gjendej një grua e bukur me një fëmijë në dorë, apo më mirë të themi, me një djalë në dorë. Jo, kjo mund të jetë fotografia e secilit, por, fëmija nuk i kishte ngjarë Aliut, si veza vezës. Në të njëjtin moment e lëshova foton, e më pas përsëri e kam marrë në duar. Kisha një ndjenjë se po qëndroja mbi gërmadhat e gjithë asaj që kisha në botë, dhe në çka kisha besuar deri më tani. - E pamundur - ia thashë së vetes sime. - Ndoshta kjo ishte kur ai kishte qenë i vogël - po mundohesha të gjeja shenja, të cilat do ta vërtetojnë këtë tendencën time, por hoqa dorë. A thua vallë Aliu qenka i martuar? Veshjet te kjo grua ishin të bukura dhe moderne. A ia kam blerë unë me të hollat e mia? Kjo pyetje më ishte futur në kokë dhe po më mundonte. Ndoshta kjo është më e keqja, që njeriu mund ta përjetojë në dashuri, poshtërim, ashtu si ndihesha tani. Hidhërimi, poshtërimi, të gjitha këto po grumbulloheshin në mua. Natyrisht, vetes sime nuk dëshiroja t'ia pranoja se kjo ishte e vërtetë. Isha e sigurt se për këtë fotografi ekzistonte një shpjegim, e nëse ekziston, përse e kishte fshehur në këpucë?

U ula në shtrat. Zemra po më rrihte aq fort, saqë me saktësi po e dëgjoja secilën rrahje. Koka filloi të më eksplodonte. Unë pothuajse kurrë nuk kisha dhimbje koke dhe isha e lumtur për këtë fakt. Por, këto ishin raste të veçanta. E mora telefonin mobil në dorë. E kam thirrur Aliun Nuk më lajmërohej. Telefoni i tij ishte i fikur. Kjo edhe më shumë po e zgjeronte imagjinatën time, dhe këtë në mënyrë të keqe. Nuk e di si e kalova atë mbrëmje. Ishte një ndër më të tmerrshmet që e kam përjetuar ndonjëherë. Vetmia ishte e vështirë, e realiteti po trokiste në derën time, isha kaq e trishtuar se më kishte gjetur kaq të papërgatitur. Pa marrë parasysh sa shumë po mundohesha ta qetësoj veten, kjo nuk po më shkonte për dorë, së paku jo ashtu si kam pritur unë. A thua Aliu është i martuar? Disi kisha arsye të besoja, por edhe të mos besoj në këtë. Nga njëra anë, ai nuk kishte munguar asnjë natë, e nga tjetra, këto udhëtimet sekrete të tij, e të gjitha këto më jepnin mundësinë dhe dyshimin të besoja se ai ka një jetë tjetër. Nëse kjo është e vërtetë? Isha mbështetur në këtë mendim. Vallë a mundet të ekzistojë dikush që gënjen kështu?

Përse nuk po më lajmërohej? Pse? E kam thirrur përsëri, asgjë. Ai më fliste për nënën e sëmurë, e të vërtetën vetëm ai e dinte. Unë vetëm po hamendësoja. Në ditët e ardhshme Aliu nuk më ishte lajmëruar. Natyrisht, ishte në rrugë. Sa po afrohej koha kur ai do të kthehej, po bëhesha më nervoze. Po dëshiroja ta dëgjoj të vërtetën. Por, edhe kisha frikë nga kjo e vërtetë. Çfarë nëse …? Jo, nuk doja të mendoja kështu. Veten e bindja se gjithçka do të jetë në rregull, megjithëse ishte e vështirë ta besoja këtë. Ishte e habitshme se sa pak nevojitet që siguria të shndërrohet në ankth dhe të jetë buzë shkatërrimit. Kështu e ka jeta. (vijon)

(Kosova Sot Online)