Ngjarje e vërtetë:Si më futi miku në botën e prostitucionit (2)

  • E.K /
  • 21 August 2021 - 18:05
Ngjarje e vërtetë:Si më futi miku në botën e prostitucionit (2)

Në takim arrita me kohë, gjë që më gëzoi shumë dhe, për një kohë të shkurtër, arrita të bëja tërë atë që kisha planifikuar. - Me qejf do të dilja me ju në drekë, por i kam premtuar një miku se do ta thërras. Ai jeton në Romë dhe ka vite që nuk e kam parë - iu thash kolegëve, duke i falënderuar për ftesën. I kënaqur që takimi kaloi mirë, u nisa për të shkuar në hotel. Sapo hyra në dhomë, menjëherë i telefonova Martinit, të cilin nuk e kisha parë me vite të tëra. - Luan, ti je? Ja, sapo iu thash këtu se do të më thërriste një mik nga koha e rinisë - zëri i Martinit ishte i përzemërt. - Martin, thashë të takohemi, meqë jam këtu. E kreva takimin dhe tani jam i lirë - i thash. - Gjithsesi të takohemi, Luan.

Sa vjet kanë kaluar pa u parë? Dhjetë, njëmbëdhjetë? - më pyeti Martini. - Me siguri dhjetë. Herë e kaluar u takuam kur lindën fëmijët. Të kujtohet, ishe te ne, për drekë? E djemtë tani kanë mbushur dhjetë vjet - thash duke takuar takimin tonë të fundit, pas të cilit Martini shkoi në Itali. - Dëgjo, Luan, për momentin jam i zënë, por sonte jam ftuar në një ndejë. Do të jetë një ndejë e mirë në një vilë, te disa miq. Mund të shkojmë bashkë - më tha me entuziazëm. Një propozim i tillë më habiti, meqë kisha pritur që me mikun e vjetër do të takohesha në ndonjë kafene, apo restorant, apo se ai do të më ftonte në shtëpinë e vet, që t'i kujtonim ditët e vjetra.

Por, kuptova se, në fakt, unë nuk di si jeton tani Martini. Dhe, me kë? Kur pesë vjet më parë kishim kontaktuar një herë me postë elektronike, ai më pat thënë se ishte shkurorëzuar, por se do të martohej sërish. - Nuk e di, Martin. Unë nuk e njoh askënd aty. Me gjasë që të gjithë do të jenë italianë - isha në hamendje, ta pranoja, apo të mos e pranoja ftesën e tij, por ai menjëherë filloi të ma mbushte mendjen: - Lëre, bre! Po ti e flet mirë italishten. Fundja, do të shkojmë bashkë. Të them, do të jetë një ndejë e mirë kjo. Aspak false. Do të ketë një bufe afër pishinës dhe do të ketë muzikë.

Do të vij të të marr në orën nëntë. Më trego në cilin hotel gjendesh? - më tha ai, duke mos pritur pëlqimin tim. Ia tregova emrin e hotelit. - Atëherë, Luan, do të takohemi në nëntë, para hyrjes. Mezi pres që të të shoh, miku im i vjetër - më përshëndeti dhe e mbylli telefonin. Unë kisha planifikuar që me të të takohesha pasdite, e tani nuk do të takoheshim deri në mbrëmje. Kjo d.m.th. se e kisha tërë pasditen e lirë, prandaj më erdhi keq që nuk e pranova ftesën e kolegëve për drekë. Mu kujtua premtimi që ia kisha bërë Valentinës, se do ta thërrisja sapo ta përfundoja takimin. - Shumë mirë, Luan, që takimi paska shkuar kaq mirë. Sikur ta dije, ndoshta do të mund të ktheheshe në shtëpi qysh sonte. - Nuk ka lidhje. Do të shëtis paksa nëpër Romë - i thash gruas. - A nuk do ta thërrasësh Martinin, a? - Tanimë fola me të. do të takohemi sonte - i thash. Sonte? - Po, do të dalim në pije - i thashë, duke mos i treguar asgjë për ndejën, as vetë nuk e di pse. - Vetëm për pije? A nuk të ftoi për darkë, a? - u habit Valentina.

Do të shkojmë edhe për darkë. Pash Zotin, Valentina, çka ka lidhje a do të dalim për pije, apo për të ngrënë? - i thash me nervozizëm. Më dukej se kohëve të fundit ajo vazhdimisht thoshte gjëra të parëndësishme, duke më nervozuar pa nevojë. - Vetëm po pyes. Pse po zemërohesh menjëherë? Hej, më duhet të shkoj. Vajza po qanë. E di, ende nuk e ka marrë veten nga ftohja. - Mirë, mirë! Do të të lajmërohem nesër nga aeroporti - thash, duke shpresuar se ajo nuk do të më thërriste më sonte. Martini arriti me kohë. Sa nuk më dolën sytë duq nga habia, kur e pash duke dalë nga një "Ferrari" i kuq.

(Kosova Sot Online)