KUSH PO LUAN BIXHOZ ME POPULL: A DUHET TË BOJKOTOHEN ZGJEDHJET?!...

KUSH PO LUAN BIXHOZ ME POPULL: A DUHET TË BOJKOTOHEN ZGJEDHJET?!...
KUSH PO LUAN BIXHOZ ME POPULL: A DUHET TË BOJKOTOHEN ZGJEDHJET?!...

Ismail Muçiqi

  • 01 May 2026 - 13:17

Shkruan Ismail Muçiqi.

Fjala “bixhoz” kohëve të fundit hyri në politikë nga ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e kritikuar Qeverinë dhe Albin Kurtin se po i dëmtojnë marrëdhëniet me Amerikën. Bixhoz me shtetin dhe fatin e Kosovës po luajnë të gjitha të ashtuquajturat parti politike dhe të gjithë liderët e tyre, të veshur me petkun e folklorizmit patriotik si shpëtimtarë të atdheut. Kjo që po i ndodh Kosovës është çmenduri që askush nuk e ka ëndërruar apo pritur që, pas 27 viteve në liri, këta “patriotë” të politikës të bllokojnë shtetin duke u barrikaduar për t’i mbrojtur interesat personale, grupore, klanore, parapolitike e lideriste, në dëm të atdheut. Koha po tregon se jemi një shoqëri e sëmurë me një diagnozë politike të pashërueshme kundër vetvetes. K

ëta demagogë të politikës po flasin në emër të partisë, në emër të UÇK-së, në emër të patriotizmit, duke derdhur lot krokodili se rendi kushtetues i shtetit të Kosovës është në rrezik nga rivalët e tyre partiakë. Marrëzia ka shkuar deri në majat e piramidës nga po këta “shpëtimtarë të atdheut”, duke kërcënuar se nuk do të lejojnë që Kushtetuta e Kosovës dhe rendi juridik të shkelen apo të përdhosen. Kjo klasë politike, këta deputetë të instaluar në Parlamentin e Kosovës përmes listave partiake e parapartiake dhe përmes ndikimeve të ndryshme, jo vetëm që e kanë degraduar sistemin politik dhe institucionet e shtetit, por edhe kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, ia kanë humbur imazhin, sharmin dhe hijeshinë që e kishte gjithmonë gjatë historisë. Mendësia primitive, e dalë nga botëkuptimet e lagjes (mahallës), ka vite që është bartur dhe instaluar në Parlamentin e Kosovës dhe në institucionet tjera të shtetit. Askush prej këtyre pseudopatriotëve nuk u krekos për dëmin që iu bë shtetit të Kosovës me listat e veteranëve, të cilët sot e thithin buxhetin e Kosovës në mënyrë të padrejtë dhe joligjore — dhe kjo është shkelje e qartë e Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit. Obstruksionet dhe bllokadat, të cilat po ndodhin më shumë se një vit për interesa thjesht personale — për të grabitur pushtetin, për ta vazhduar karrierën dhe për ta ruajtur pasurinë e pajustifikueshme — janë argumente dhe fakte të pamohueshme që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje. Andaj, këta janë lojtarët e bixhozit që po luajnë me fatin e Kosovës. Kërcënimet e fundit për ta ftuar popullin në protesta tregojnë nivelin dhe karakterin e pjekurisë politike, kulturore e arsimore, si dhe një mendësi të kohës së koçakëve, fiseve dhe bajraktarëve.

Për fat të mirë, këto rryma që kanë hyrë në politikë, në Parlament dhe në institucione të tjera, nuk janë të vetëdijshme se Kosova vëzhgohet dhe monitorohet nga shërbimet inteligjente të KFOR-it, NATO-s, EULEX-it dhe mekanizmave të tjerë të sigurisë, të cilët kanë marrë në dorë ruajtjen e stabilitetit të Ballkanit dhe Evropës. Andaj, çdo përpjekje apo tendencë për të krijuar situata destabilizuese kundër qytetarëve dhe rendit kushtetues e demokratik, nga kushdo qoftë — individ apo subjekt politik — është e kotë dhe e dështuar. Këta politikanë, deputetë e figura të tjera, me veprimet e tyre dhe sjelljet e papërgjegjshme ndaj vendit, e kanë sjellë Kosovën në një situatë shumë dramatike, duke i zhgënjyer qytetarët me kalkulimet e tyre. Nuk është befasi që këto zgjedhje, të imponuara nga politika, mund të bojkotohen dhe të dështojnë më shumë se asnjëherë më parë. Që moti u ka kaluar koha këtyre matrapazëve për tu lëshuar rrugë figurave të reja me integritet dhe me ideale të pastra për ta ndërtuar Shtetin e Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".