Ngjarje e vërtetë:Si më futi miku në botën e prostitucionit (4)

  • E.K /
  • 23 August 2021 - 15:53
Ngjarje e vërtetë:Si më futi miku në botën e prostitucionit (4)

Edhe pse sipas viteve ishim bashkëmoshatarë, megjithëse ai dukej më i ri se unë në moshë, për së paku pesë vjet. Në moshën 34-vjeçare ai dukej më mirë se kur e kisha takuar para dhjetë viteve. I gjatë dhe vital, me flokë të shkurtë dhe me një palë syze të shtrenjta dielli në ballë. Ai po më dukej si një yll filmi. - Or mik, po dukesh për mrekulli. Mezi të kam njohur - iu drejtova përzemërsisht, e ai edhe më përzemërsisht më ka përqafuar. Isha i lumtur që kisha me vete rroba të lehta, e jo vetëm këtë veshjen e rëndë të punës, megjithëse ai në pantallona të shkurtra dhe këmishë, ishte me veshje sportive. - As ti nuk ke ndryshuar aspak - ma ktheu komplimentin, edhe pse që nga momenti, kur ishim takuar për të fundit here, kisha shtuar së paku dhjetë kilogramë.

A je në martesë? Si po jeton - e kam pyetur kur u rehatova në ulësen e bashkë-shoferit. - Paj, jetojmë mirë - më shikoi, e më pas e mbushi gaz veturën. Automobili po ecte kaq shpejt, saqë shumë shpejt e vendosa rripin e sigurisë. Ai buzëqeshi dhe vazhdoi: - Jam ende në martesë, por kjo nuk është si dikur. Kryesisht jetojmë secili me të tijën - më tha dhe lëshoi një muzikë në radio. - Kjo qenka gruaja jote e dytë - po provoja të ndërlidhem. - Po, sepse me të parën, jam ndarë moti. Por, ti atë e ke njohur moti, që kur ishim në kryeqytet. - Po, më kujtohet - disi jo me aq qartësi m'u kujtua një nga femrat e tij të shumta. Me Martinin jam njohur që në shkollë të mesme. Megjithëse nuk ishim në klasën e njëjtë, kishim filluar intensivisht të shoqërohemi, ishte zbavitës dhe i dashur dhe nuk pëlqente mësimin.

Unë u nisa në studime, e ai u fut në punë në një kafeteri. Ishte shumë i zoti dhe me një mikun e tij kishin hapur një lokal së bashku. Puna po ju ecte mirë, por Martini kërkonte gjithmonë më shumë. Ishte ambicioz dhe i mençur dhe shpeshherë ia kam zënë për të madhe pse nuk kishte regjistruar fakultetin. Por, ai kësaj i përgjigjej se jo gjithmonë fakulteti sjell edhe fitime. Që si djalosh i pëlqente veshjet e shtrenjta, daljet dhe vajzat e bukura, kështu që nuk habitem edhe aq pse me atë vajzë nuk kishte mundur të rehatohej. Me siguri se ajo tjetra nuk e kishte të lehtë me të, po mendoja duke e shikuar, me njërën dorë voziste e me tjetrën ndezi cigaren. - E ti, Luan? Je në martesë dhe ke dy djem, apo jo - më pyeti. - Po, binjakë. E para një viti kam edhe një vajzë. - Tre fëmijë? Unë nuk kam fëmijë, apo nuk di të bëj fëmijë - buzëqeshi. E sjella kokën. Ishte pikërisht ky Martini çfarë e njihja unë.

A ke së paku një punë të mirë për një familje kaq të bukur? Dhe natyrisht të ardhura - më pyeti. - Epo, nuk po ankohem. Valentina është amvise, e unë … -Atëherë nuk po habitem se i keni tre fëmijë. Me siguri ajo pëlqen fëmijët. Por, është e lodhshme. Motra e gruas sime po ashtu ka tri vajza. Vajza të bukura, por kur vijnë te ne, e shkatërrojnë shtëpinë. Unë ju blej dhurata, e më pas zhdukem diku - fliste Martini duke buzëqeshur, e mua më kujtohej moment, kur djemtë përleshen në shtëpi e vajza ia plas vajit. Ferrari i tij u ndal, para një pale dyerve të larta dhe po aq një muri të lartë. - Ja ku erdhëm. Tash do ta shohësh se çfarë është argëtimi i vërtetë. Dhe jeta në këmbë të madhe - më tha Martini, duke prekur zilen, e unë po lexoja mbiemrin Italian në derë. (vijon)

(Kosova Sot Online)