Ngjarje e vërtetë:Si më futi miku në botën e prostitucionit (7)

  • E.K /
  • 26 August 2021 - 15:53
Ngjarje e vërtetë:Si më futi miku në botën e prostitucionit (7)

Nuk më largohej nga mendja fytyra e saj e bukur. A është e vërtetë se me të vërtetë i pëlqej?, e pyesja veten duke mos mu hequr nga mendja pamja e saj e patëmeta. M'u kujtua sesi më shikonte nga ballkoni, ajo është shoqe e Monikës, e Monika është e dashuruar në Martinin. Me gjasë Martini e njihte atë femër të bukur. Valentina nuk e dinte se ku gjendesha. Kurrë nuk do ta merrte vesh që e kam tradhtuar. Këto ishin vetëm disa nga mendimet që më silleshin nëpër kokë. Mu kujtua tradhtia ime e vetme martesore, të cilën e kisha bërë shtatë vjet më parë.

Afera e shkurtër me një kolege të punës mbaroi vetëm disa javë më pas. Edhe për Çlirimen, lidhja me mua ishte vetëm një aferë. Më pas ajo hyri në punë dhe u martua, e Valentina kurrë nuk e mori vesh. Edhe pse një kohë më kishte brejtur ndërgjegjja, me kalimin e kohës kjo ndjenjë kishte filluar që të më topitej. Atë që nuk e di, nuk mund të të lëndojë, mendoja dhe vetëm tani u nisa dalëngadalë korridorit. Kam një pamje krejt të rëndomtë, kështu që as në ëndërr nuk mund të shihja që t'i pëlqeja një bukurosheje të tillë. Edhe pse i kisha pirë vetëm dy pije, nuk isha mësuar me pije të forta alkoolike. Por, në këtë rast alkooli më jepte fuqi që ta bëja atë që kisha ndërmend. U ndala para derës së dhomës, të cilën ma tregoi Martini, e më pas hodha shikimin nga dritarja, poshtë, për ta shikuar gjendjen në pishinë. Aty pash Valerion dhe një bionde në përqafim epshor.

E, më pas, pashë Martinin dhe Marselin se si rrinin anash dhe bisedonin. Më dukej se Marseli ishte i shqetësuar, por Martinit nuk ia shihja fytyrën, meqë ishte i kthyer me shpinë. Përsëri e shikova Valerion, i cili nuk kishte dyshim se ishte duke ia kaluar mirë. Vajza shumë shpejt ngeli pa pjesën e epërme të kostumit të plazhit. Duke mos menduar se çka isha duke bërë, trokita në derë. Pasi që nga brenda nuk u lajmërua askush, e kapa bravën dhe hyra brenda dhe u gjeta në një dhomë jo aq të madhe, e ajo që më befasoi ishte një pasqyrë e madhe në tavan. E, atëherë e pash edhe atë. Qëndronte afër dritares e veshur me të njëjtin fustan të verdhë, të zbehtë. Pasi që hetoi se dikush kishte hyrë, u kthye me të shpejtë. Fustani i saj ishte thuajse i tejdukshëm dhe nën të shihja pa problem veshjet e brendshme, me dantellë.

Vajza më shikonte pa rrahur qerpikët derisa i afrohesha, pa thënë gjë. - Unë jam... Leonardo - i thashë, duke e italianizuar emrin tim, por më pas mu kujtua që Martini më kishte thënë se kjo vajzë nuk ishte italiane. Sytë e saj u hapën nga befasia. Hapi gojën sikur donte të më thoshte diçka, por nuk arriti, meqë unë, i kapluar nga epshi, e tërhoqa kah vetja. Trupi i saj ishte elastik, sikur të ishte i tëri nga goma. I bashkova buzët e mia me buzët e saj dhe, derisa e puthja gjithnjë e më me epsh, hetova se si trupi i saj, në një moment, sikur u shtang i tëri. I kapluar nga epshi, vazhdova që ta puthja, por me atomin e fundit të arsyes, pashë se ajo nuk m'i kthente puthjet. U ndala dhe e shikova me befasi. Sytë e saj të kaltër ishin të zgjeruar nga frika. Më shikonte e tmerruar, sikur të ishte duke parë ndonjë fantazmë. Atëherë pash sesi dridhej me tërë trupin dhe me dorën që i dridhej mundohej që të fshihej nga shikimi im. Kjo më tmerroi.

Pse Martini më kishte thënë se i pëlqeja? - Çka ke? - e pyeta sërish në italisht, për të parë se ajo nuk më kuptonte. Më shikonte sikur doja ta vrisja. Mos ishte e marrë? A flet anglisht? - i thashë, disi vetvetiu. Bëri me kokë dhe përfundimisht, foli: - Pak - më tha me një zë që i dridhej, e unë vazhdova që t'i flisja, tani në anglisht: - Martini më tha se të pëlqej. U pamë derisa qëndroje në ballkon. A të kujtohet? Isha gjithnjë e më i bindur se me atë vajzë diçka nuk ishte në rregull. Më shikonte sikur të mos kuptonte për çka e kisha fjalën. - Martini? - tha, me një zë që mezi dëgjohej. - Po, Martini. Ti je shoqja e Monikës, apo jo? (vijon)

(Kosova Sot Online)