Ngjarje e vërtetë: Në përqafim të instruktorit të skijimit (2)

  • E.K /
  • 30 gusht 2021 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Në përqafim të instruktorit të skijimit (2)

Dritoni i dukej një rast ideal për mua. I kishte pëlqyer që nga momenti që e kishte njoftuar dhe gjithmonë përsëriste se ai është mashkull sipas masës së saj. Natyrisht, kësaj i kontribuonte edhe fakti që ai ishte nga një familje e njohur. Por, familja e tij e njohur dhe e pasur nuk ia kishte mësuar rregullat elementare të mirësjelljes, e as të moralit. Te ai kurrë nuk më kishin bërë përshtypje paratë e familjes së tij. Fundja, banesën ku duhej të jetonim e kisha blerë me paratë e mia. Kurrë nuk kisha pasur kërkesa të tepërta në jetë. Doja vetëm të isha e dashur dhe ta duaja dikë. Ishte e qartë se Dritoni nuk mund të ma ofronte një gjë të tillë, prandaj e vetmja gjë që mund të bëja, ishte që ta harroja sa më parë. Kolegët në punë e dinin si kisha kaluar, këtë nuk mund ta fshihja, por të gjithë ata ishin të ngarkuar me jetën e vet dhe me problemet e veta, e nuk kishin kohë që të merreshin me diçka sikur që ishte fati im. Një vit të tërë, çdo ditë të lume, kisha punuar jashtë orarit të punës.

Natyrisht, kjo i kishte rënë në sy edhe drejtorit. Një mëngjes më ftoi në zyrën e tij dhe më ofroi kafe. Drejtori ishte i ashpër, një biznesmen i vërtetë. Shumica e punëtorëve ia kishin frikën, meqë e dinin se me të nuk kishte "kili-mili", e as humbje kohe. Rëndom, kur ai e thërriste dikë në zyrë, ai njeri nuk i kishte punët mirë. qëndroja ulur para tij dhe përgjigjesha në pyetjet më të rëndomta, por në vete dridhesha nga frika. Të gjithë thoshin se do të vinin kohë të vështira, se do të ketë përjashtime nga puna, e unë frikësohesha se do të gjendesha e para në listë për përjashtim. Më duket që drejtori hetoi tremën time, e cila vinte duke u zmadhuar çdo moment. - Adelina, me gjasë pyetesh se pse të kam thirrur këtu - përfundimisht e tha edhe këtë fjali, e mua mu rrëqeth tërë trupi. - Ju më konsideroni njeri të ashpër, por kështu duhet të jetë në një sipërmarrje e cila dëshiron që të funksionojë me kualitet. Më duhet t'i mbajë frerët në dorë, përndryshe çdo gjë do të shkonte në dreq të mallkuar.

Rrallë ndodhë që ta lavdëroj dikë, por jo pse nuk dua, por për faktin që te ne, rrallëkush e meriton një gjë të tillë. Më vjen rëndë kur hyj në zyrë, e të gjithë bëjnë turr, kinse për të punuar diçka. Ndoshta të gjithë mendojnë se jam budalla, por nuk jam. Sikur të isha ashtu si thonë pjesa më e madhe e punëtorëve, atëherë ata qëmoti do të kishin shkuar në shtëpi. Por, unë mendoj për ta, për familjet e tyre dhe për jetën e tyre. Shumë prej tyre vazhdojnë që të qëndrojnë këtu vetëm për shkakun se, për mua, familja është e shenjtë. Për fat, nuk jeni të gjithë njësoj. Kam punëtorë me të cilët jam shumë krenar. Ti je njëra prej tyre. Është duke u afruar koha e pushimeve tona kolektive vjetore. Ty dhe disa punëtorë kam vendosur që t'ju shpërblej me një rritje rroge, por edhe me skijim në Aspen - tha ai me një qetësi të tillë, sikur të thoshte, ja do të shkojmë këtu, te tregu, që të hamë bukë e qofte.

Frika e cila më kishte kapluar në fillim, tani u zhduk tërësisht. Fjalët e drejtorit ishin më se të mirëseardhura për veshët e mi. Dëgjova me kujdes hollësitë rreth udhëtimit, mora shpërblimin me të dy duart dhe premtova se do t'i bëja të gjitha përgatitjet për udhëtim. Përpos meje, me një shpërblim të tillë ishin shpërblyer edhe dy kolege dhe dy kolegë. Edhe drejtori me gruan e tij na u bashkëngjitën në këtë udhëtim. Ky ishte udhëtimi im i parë me avion, e gruaja e drejtorit më thoshte se nuk kishte arsye që të kisha frikë nga fluturimi, dhe se avioni është më i sigurt sesa automobili në rrugë. Mbaja një qëndrim miqësor ndaj të gjithëve. Ishim si një familje e madhe, anëtarët e së cilës ia kalojnë shumë mirë midis vete. Drejtorin më nuk e përjetonim si drejtor, por si dikë që përkujdesej për ne, duke na mbrojtur. (vijon).

(Kosova Sot Online)