Roman dashurie: Si u dashurova në ty (47)

  • E.K /
  • 04 September 2021 - 16:54
Roman dashurie: Si u dashurova në ty (47)

- Profesor, ne si popull ndoshta nuk kemi histori madhështore, por ajo që na karakterizon përgjatë historisë, është besa dhe mikpritja. - E vërtetë Kujtim! Këtë e thotë edhe një film, që flet për shpëtimin e çifutëve nga ana e shqiptarëve, ku e tërë kjo mirësi i referohet besës dhe kultit të shenjtë që gëzon mysafiri te ju. - Ndoshta tani kanë filluar të ndryshojnë gjërat, profesor... - Si kudo në botë. Jemi dëshmitarë të një procesi që mua nuk më pëlqen fare, e që quhet globalizim. - As mua nuk më pëlqen aspak dhe kuptoj shumë mirë atë që je duke thënë. - Saktësisht, Kujtim. Çfarë kuptimi ka që, p.sh në Izrael, apo edhe në Shqipëri e Kosovë, urimi i ditëlindjes, ta marrim shembull, të bëhet me melodinë "Happy birthday to you"?! Apo që ceremonia martesore të jetë "copy-paste" e asaj që zhvillohet në Perëndim? Mendoj se globalizimi është duke e varfëruar shumë keq botën. 

Po, profesor. Pajtohem shumë. Pasi që kishin arritur në mes të rrugës dhe pas disa minutash qetësie, Kujtimi e theu përsëri heshtjen. - Kam përshtypjen se ti ke hulumtuar dhe mbledhur informata rreth qëndrimit të gjyshit tënd në Shqipëri. - Po... - A ke hasur në ndonjë të dhënë interesante? - Po, ka disa të dhëna shumë interesante... P.sh kam konstatuar se, të paktën në Elbasan, disa nga njerëzit që kishin strehuar çifutët, ishin edhe vetë të tillë, pra çifutë. - Vërtetë?! Profesori tundi kokën në shenjë pohimi. - Athua edhe ai... Nosi të ketë qenë çifut? - Ai dhe familja e tij konsideroheshin dhe, në fakt, ishin (dhe janë) shqiptarë ortodoksë.

Por, në botë ka shumë çifutë që, për shkak të rrethanave të ndryshme historike e kanë fshehur identitetin e tyre etnik edhe nga vet pjesëtarët më të rinj të familjes. Vetëm kur janë përmirësuar rrethanat, apo kur pleqtë kanë qenë në buzë të vdekjes, ua kanë treguar të rinjve të vërtetën. - Interesant... - Kështu që edhe për familjen Nosi ka disa të dhëna që mund të kenë origjinë çifute, por kjo nuk mund të thuhet me saktësi. Fundja, as që ka ndonjë rëndësi të madhe. - Jo... rëndësi ndoshta ka. Sepse, po të jetë se ky... - Lef Nosi. - Po. Nëse Lef Nosi ka qenë çifut, atëherë del se Deklaratën e pavarësisë së Shqipërisë e paska shpëtuar një çifut, gjë që nuk është fare e parëndësishme... Profesori qeshi lehtazi, si duket ky konstatim e bëri të ndihej mirë. - Kujtim, shiko! Harrova të të them se Nosi në fakt e fotografoi Deklaratën e pavarësisë dhe tani kanë mbijetuar ato fotografi, sepse Deklarata origjinale e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë është zhdukur në një mënyrë të mistershme...

As këtë nuk e kishte ditur Kujtimi. "Hajde çifut, hajde! Në mes të Kosovës më mban ligjërata rreth historisë së shqiptarëve", mendoi ai me vete. - ... Çifutët, të cilët fati i shpërndau në tërë botën, për shkak të qëndrimit jo fort miqësor të popujve të tjerë, për shkaqe të njohura, shpesh ishin të detyruar që të integroheshin me popujt tjerë aq shumë, sa që edhe asimiloheshin fare. Kështu që Lef Nosi edhe nëse ka pasur origjinë çifute, ai ka jetuar dhe vepruar si një patriot i madh shqiptar dhe tërë veprimet e tij duhet të shikohen në këtë kontekst. - Po, po. Fundja, përkatësia etnike është një gjë që nuk e kemi zgjedhur ne. Kemi lindur me të. - Saktësisht! H. B. I.

(Kosova Sot Online)