Ngjarje e vërtetë: Si më tradhtoi burri ditën e martesës (1)

  • E.K /
  • 12 September 2021 - 18:04
Ngjarje e vërtetë: Si më tradhtoi burri ditën e martesës (1)

Mezi prisja t'i shikoja fotot tona të martesës. A i kishte klasifikuar tanimë Amiri ato, duke i zgjedhur më të bukurat? Më duhet të shkoj tek ai dhe këtë do ta bëj këtë pasdite, pas drekës, me burrin tim. Në fakt, burri im, Meti, dhe unë javën e kaluar ishin kthyer nga udhëtimi në Mauricius, ku i kishim kaluar pesëmbëdhjetë ditë të paharrueshme. Ndihesha shumë mirë vetëm kur mendoja se sa mirë më kishte trajtuar. Ishte ky një udhëtim i ëndrrave: klima e mirë, natyra e mrekullueshme, ushqimet jo të rëndomta, kaltërsia e qiellit dhe oqeanit, rëra e cila rrëshqiste nga dora, hoteli luksoz, dhoma jonë tepër mirë e rregulluar në të cilën kishim kaluar një pjesë të mirë të kohës, duke u puthur me pasion. Ende më dukej se isha duke i dëgjuar fjalët e ëmbla të Metit: - Të dua vogëlushe. Këtë duhet ta bëjmë përsëri. I mbylla sytë derisa i kujtoja të gjitha këto, derisa trupin ma përshkoi një ndjenjë e këndshme. Isha tepër e lumtur. U rregullova mirë dhe u nisa për në drekën e caktuar.

Derisa vozisja, mendoja se sa mirë ishte që edhe këtë javë, të tretën me radhë, e mora pushim. Do të kisha më shumë kohë që t'i përkushtohesha Metit i cili, dorën në zemër, menjëherë u kthye në punë, por ne mund të ishim bashkë gjatë pasditeve dhe netëve. Përndryshe, shpesh ndjeja brejtje të ndërgjegjes për shkak se, gjatë lidhjes tonë katër vjeçare, shpesh e kisha lënë atë anash, për shkak të punës. Për këtë shkak kisha vendosur që atij t'i përkushtohesha më shumë e mendoja edhe rreth lindjes së fëmijëve. Për askënd në jetë nuk isha e gatshme që të bëja lëshime të tilla, gjë që donte të thoshte se Metin e doja me të vërtetë. Në fakt, për dallim nga Meti, i cili ishte udhëheqës i repartit në një fabrikë shtetërore, me orar të caktuar dhe me pauzë gjatë punës, unë bëja një punë shumë të lodhshme dhe me përgjegjësi të marketingut në një ndërmarrje të madhe private dhe nuk kisha orar të caktuar të punës. Puna ime lidhej me prodhimin dhe shitjen e "Coca cola"-s, e cila, përkundër krizës, vazhdonte të kishte shitje të mirë, prandaj edhe marketingu kërkonte angazhim të madh rreth reklamave të shtrenjta.

Në të njëjtën kohë, falë mu asaj krize, shitja megjithatë kishte rënë paksa, prandaj presioni në punë sa vinte e rritej, meqë kërkoheshin kursime dhe racionalizim të punës, me zgjerimin e njëkohësishëm të tregut. Mos u kthe në realitet, Hana, i thosha vetes. Harroje punën edhe disa ditë. Isha duke parkuar veturën para fabrikës ku punonte Meti. Por, më kot i thosha vetes që të kënaqesha. Përkundër kësaj, ndjeja se plazhet dhe dielli ishin me kilometra larg nga bota në të cilën isha kthyer.

E ndjeja edhe atë eksitimin e njohur, i cili më përcillte sa herë që mendoja për punë. Ishte e thjeshtë ta shpjegoje: më pëlqente puna që bëja. Puna më plotësonte, më gëzonte, ma bënte jetën më eksituese dhe më dinamike. - I dashur, të pres - thashë pasi që Meti m'u lajmërua në celular. - Menjëherë po zbres - m'u përgjigj ai dhe, me të vërtetë, nuk kaloi mirë as edhe një minutë, kur e pash se si ngutej të vinte tek unë. Sapo mbërriti, më përqafoi. - Shkojmë - më tha, duke ma kapur dorën dhe duke më çuar në një restorant, aty afër. Pas pak, Meti filloi ta shikonte orën. - Më duhet të kthehem në punë. - E di. Shko ti. Unë do të rri edhe pak. Do ta mbaroj ngadalë drekën, do të bëj disa telefonata, e në fund do të kthehem te Amiri. Do të doja të shihja se në cilën fazë janë albumet tona të ditës së dasmës.

Edhe ty të paska thirrur, a? - Jo, nuk më ka thirrur. E ty? - Më thirri sot dhe më tha që, pasi ta mbaroj punën, duhet të shkoj gjithsesi tek ai, meqë ka për të më treguar diçka. Por, njësoj është. Shko ti. Edhe ashtu fjala jote do të jetë ajo përfundimtarja kur bëhet fjalë për fotot tona të martesës - më tha duke më puthur dhe shkoi. (vijon)  

(Kosova Sot Online)