Ngjarje e vërtetë: Sekreti që nëna ime e mori në varr (6)

  • G.G /
  • 23 September 2021 - 10:03
Ngjarje e vërtetë: Sekreti që nëna ime e mori në varr (6)

U ngrita dhe nuk vonoi e Ariana u gjet në përqafimin tim. Vallëzuam valsin, por unë mezi isha i vetëdijshëm rreth muzikës. Disa herë shkela fustanin e saj të gjatë, ngjyrë të verdhë ari. - Më fal - kisha thënë disa herë. Pasi që përfundoi vallëzimi, e dëgjova duke më thënë: - Do të mund të shkonim bashkë. Ti ke ardhur me veturë. - Nuk vjen në shprehje - thashë duke ikur nga skena e vallëzimit. Më zemëronte mënyra e saj e haptë, por e dija se, me shikimet e mia, e edhe me shkuarjen në atë vallëzim, i jepja arsye që të shpresonte se midis nesh mund të kishte diçka më shumë.

Pas vetëm dhjetë minutash, vendosa që të largohesha, ndër të parët. Derisa në parkingun e errët kërkoja çelësin në xhepat e palltor, e dëgjova prapa meje duke më thënë: - Të lutem mos më refuzo vetëm për shkak të shkollës. Pas disa muajsh do të maturoj. Unë të dua - më tha ajo, thuajse duke qarë. Mbeta i tronditur. - Ariana kthehu menjëherë brenda. Mund të na shohë ndokush - frika se ndjenjat e mia mund të dilnin në pah më tmerroi të tërin. Por, Ariana mu afrua dhe mi qiti duart në qafë. Trupin e vet e palosi për trupin tim. Desha ta shtyja, por instinktivisht e përqafova.

Puthja ishte e shkurtër. Menjëherë pashë se ajo nuk kishte kurrfarë përvoje të dashurisë. Kjo më kthjelli të tërin, bile edhe më frikësoi. E shtyva paksa, e ajo thuajse e turpëruar e lëshoi kokën anash duke më thënë: - Me të vërtetë të dua. Ma jep një shans! - Nuk vjen në shprehje. Më fal për këtë dhe, kthehu në sallë - i thashë dhe hyra në veturë. U largova si i pakrye. Pas kësaj ngjarjeje vendosa ta injoroja në tërësi. Kishin mbetur vetëm edhe disa javë deri te fundi i vitit shkollor.

Shpresoja që shkolla të ma ofronte një marrëdhënie të përhershme të punës edhe pse arsimtarja të cilën e zëvendësoja kishte shprehur dëshirën që të kthehej më herët në punë nga pushimi i lindjes. Me lidhjen e pamenduar me një nxënëse nuk doja që ta rrezikoja vendin e punës. Për kënaqësinë time edhe Ariana evitonte takimin me mua. Me gjasë kishte kuptuar se nuk mund të më bënte për vete. Edhe ashtu, ajo me gjasë kishte shumë obligime rreth maturës dhe regjistrimit në fakultet. Për dallim prej nxënësve të tjerë, kurrë nuk e kisha pyetur se çka do të studionte.

Mezi prisja që ajo ta mbaronte shkollën dhe të dilte nga jeta ime. Edhe pse shpesh e dëshiroja dhe e ëndërroja, e dija se nuk do të dorëzohesha para ndjenjave. Midis nesh nuk mund të kishte asgjë. Ariana maturoi dhe erdhën pushimet shkollore. Qëndrova një kohë të gjatë në bregdet, e para fillimit të vitit të ri shkollor u paraqita në konkurs për punë me afat të pacaktuar, në një shkollë të mesme. U pranova në punë në gjimnaz. Në një ambient të ri dhe me kolegët e rinj, dalëngadalë kisha filluar që ta harroja nxënësen e bukur. Disa vite kisha qenë në një lidhje stabile me Drenushën, por nuk u martuam. Ajo ishte një disenjatore ambicioze dhe ëndërronte për një karrierë në botën e jashtme.

Unë as që doja të mendoja ta lija një vend të sigurt pune, në mënyrë që të shkoja jashtë shtetit. U ndamë miqësisht, kështu që, për një vit, mbeta vetëm, gjë që ishte e pakuptueshme për një mik timin, disa vjet më të vjetër. - A nuk ka në shkollën tënde ndonjë arsimtare të bukur, të pamartuar? - habitej ai. - Për mua nuk ka. Ose janë më të vjetra, ose nuk janë tipi im - ia shpjegova si duke bërë shaka. - Atëherë dil jashtë vendit, gjeje ndonjë spanjolle të zjarrtë, a ndonjë turke të shtëpisë, a.

Ke mbetur si i ngujuar, shtëpi - punë. Kurrë nuk ke kontakte me femra, pos me nxënëse. Por, kjo është një mesele tjetër, të paktën shpresoj kështu - më thoshte ai, duke ma kujtuar faktin se dikur kisha rënë në dashuri me një maturante. Unë nuk thosha asgjë. Por tani, derisa rrija ulur vetëm disa metra larg Arianës, fjalët e tij më dukeshin profetike. Përsëri na kishte bashkuar fati. Edhe pse nuk dija asgjë rreth jetës së saj të tashme, gjithçka më dukej ndryshe nga atëherë. (vijon)

(Kosova Sot Online)