Roman dashurie: Si u dashurova në ty (69)

  • A.P /
  • 26 September 2021 - 11:48
Roman dashurie: Si u dashurova në ty (69)

Kështu unë këndoj dhe nxjerr gjithçka jashtë. I ndjej sytë e tij duke më shikuar, e ndjej sesi shikimi i tij më zhvesh. Unë e përfundoj këngën, derisa duart dhe thuajse i tërë trupi më dridhen, sidomos zemra në kraharor. Pason një moment i heshtjes, të gjithë me sytë e drejtuar nga unë, me shprehje të habitshme të fytyrës. Më duket se do të çmendem, meqë askush nuk duartroket, por më pas shpërthejnë duartrokitjet, fishkëllimat dhe unë kuptoj se ata kishin qenë të qetë meqë iu kishte pëlqyer pa masë performimi im. Kjo është një gjë e mirë. Kur zhurma pashitet paksa, Colton e merr mikrofonin dhe më flet me fytyrë kthyer nga unë, por me shikim nga audienca. "Nell. Kjo ishte e mrekullueshme. Seriozisht". E ndjej tensionin në zërin e tij, shoh emocionet në sytë e tij. Ai e fsheh këtë mirë, por tanimë e njoh aq sa për ta ditur deri diku sesi është duke u ndier me të vërtetë në këto momente. Që të dy kalojmë një moment të tendosur të heshtjes për pak, por më pas e dimë se cila këngë pason dhe që të dy jemi të nervozuar. "Kurrë më parë nuk e kam kënduar këtë këngë për dikë", thotë Colton.

"Kjo është një këngë thellësisht personale, të cilën e kam shkruar shumë kohë më parë. Ka disa javë që Nell është duke më inkurajuar që ta këndoj këtë këngë live dhe, përfundimisht, u dorëzova. Pra.... po. Ja ku është. Kurrë nuk i kam vënë titull kësaj kënge, por ma merr mendja se atë mund ta quajmë... 'One More Hour'. Shpresoj se do t'ju pëlqejë". Mund të shoh se sa vështirë është kjo për të. Melodia të cilën ai e luan në kitarë është e ngadalshme dhe melankolike. Më pas ai këndon ninullën dhe në bar mbretëron një qetësi absolute. Askush nuk lëviz, bile më duket se askush nuk është duke marrë frymë. Ne e kishim praktikuar këtë këngë së bashku. Ai e këndonte atë vetëm nëse unë e mbështesja, prandaj edhe tani isha duke e bërë atë gjë. I këndoj disa vokale mbështetëse për të dhe e luaj ritmin themelor, por nuk e ngriti tepër zërin, në mënyrë që të mos ia marr atij primatin. Dhe, ai me të vërtetë mbizotëron. Shoh sesi këndon me emocione, shoh edhe lot. Shihet qartë se sa personale është kjo këngë për Coltonin, gjë që vërehet edhe nga pasioni i zërit të tij. Ai përsëri sikur i këndon vetvetes. Ai përsëri është ai djali i humbur, i vetëm në rrugët e Nju- Jorkut. Përsëri ndjej dhembje për të.

Dua ta mbaj në duar, ta puth, t'i tregoj se nuk është vetëm. Përsëri, në lokal mbretëron heshtja dhe... kështu me radhë. Performojmë edhe disa këngë popullore të cilat mi kishte mësuar Colton, e më pas e këndojmë edhe këngën "Barton Hollow" së bashku, e cila është kënga jonë e fundit për sonte. Ndihem e gjallëruar, dridhem nga eksitimi. Kisha aplikuar në kolegjin e arteve të performuara vetëm ashtu, si një akt të rebelimit, duke ua bërë me dije njerëzve se do të veproja sipas qejfit tim. Kurrë më parë nuk kisha performuar. Tani, sikur isha bërë e varur nga performimi. Colton merr pagesën për ne të dy dhe dalim me të shpejtë jashtë. Nuk mund t'ia lexoj shprehjen e fytyrës, por mund ta shoh tendosjen në gjuhën e trupit të tij. Jam nervoz derisa qëndrojmë anash në metro, me kitarat në shpinë. Ai heshtë dhe unë jam e sigurt se ai është i zemëruar për diçka, nga performimi.

Por, nuk e di pse dhe kjo gjë më bën nervoze. I afrohem dhe ia kap dorën, duke i gërshetuar gishtat e mi me ata të tij. ai më shikon, pastaj shikon duart tona të bashkuara, e më pas mi drejton sytë përsëri. Fytyra e tij zbutet. "Më fal, thjesht… ajo ishte një këngë e vështirë. Më duket se jam shqetësuar. Nuk jam një shoqëri e mirë". I afrohem edhe më shumë dhe i ngjitem për trupi. "E di sa vështirë e pate, Colton. Jam krenare për ty. Thjesht, ishe i mrekullueshëm. Njerëzit qanin". (vijon)

(Kosova Sot Online)