Ngjarje e vërtetë: Abortova, sepse më helmoi burri (4)

  • E.K /
  • 11 October 2021 - 15:50
Ngjarje e vërtetë: Abortova, sepse më helmoi burri (4)

- Bedriu assesi nuk donte që unë të ngelesha shtatzënë. Ai ma kishte bërë me dije këtë që nga fillimi. Kishte insistuar që ta bëja ndonjë operacion, për ta pamundësuar shtatzënësinë, por unë më shumë preferoja të merrja pilula kontraceptive. Pasi që kuptova se nuk isha e lumtur me të dhe se kurrë nuk do të kisha asgjë timen, vendosa që, pa dijeninë e tij, të mos merrja më preparate kontraceptive dhe, kështu, ngela shtatzënë. Aq shumë doja ta lindja atë fëmijë - thashë me zë të ulët. - Pse ai nuk dëshiron fëmijë? - Më thotë se unë i mjaftoj dhe se më do vetëm për veten e vet. Ai thotë se fëmijët do t'i prishnin të gjitha këto dhe se unë më pas nuk do të kisha kohë për ne të dy. Ai është fëmijë hasreti, babai e kishte braktisur që në fëmijëri, e është rritur me nënën - i tregova.

Me çka merret? - Është sipërmarrës. Merret me patundshmëri, më duket. Nuk e di saktësisht, nuk më tregon asgjë rreth punëve të tij. - Merita, pse nuk e lë? Me sa po shoh, ti nuk e do atë njeri - pyetja e tij më shumë dukej zyrtare, gjë që edhe ma tha menjëherë: - Më fal, por e kam vështirë të flas me ty zyrtarisht. Dua të kuptoj pse po rri me atë njeri, i cili, sikur që po shihet qartë, nuk është duke të të bërë të lumtur. - Nuk po më kupton - thashë duke murmuritur. - A ia ke frikën? A është i dhunshëm? - pyetjet e Ilirit më frikësuan. - Nuk më rrah, nëse e ke fjalën për këtë. Por... - Por, çka? - insistoi ai. - Nuk do të më linte ta lija. Ai më do, vetëm dëshiron që çdo gjë të bëhet sikur që thotë ai vetë. Kryesisht ia kalojmë mirë, meqë unë di si të sillem me të. 

Apo, ndoshta, nuk ia prishë qejfin me asgjë? - më pyeti, tani i shqetësuar. Nuk mohova, vetëm thashë me zemërim: - Jam martuar me të dhe më nuk mund të bëj asgjë në këtë drejtim. - Nuk mund t'iu besoj veshëve. Po mua ti më le brenda natës, nuk ma dhe as edhe një rast të dytë. E di se kisha gabuar dhe se kishe të drejtë që të më lije, por si mund ta mbrosh burrin tënd, i cili sillet ashtu me ty? - Iliri më nuk fliste si psikiatër dhe të dy ne e dinim këtë. U habita nga ky zemërim i tij. Ne nuk ishim parë tash e 15 vjet, e ai seriozisht ishte shqetësuar për mua. 

Nuk është kështu - u mundova ta kundërshtoja, por shihej se isha duke gënjyer. - Merita, të lutem! Nga çdo fjalë jotja del dëshpërimi. M'i trego të gjitha, të lutem - ai shihte se isha buzë dorëzimit, gjë që edhe e bëra: - E vërtetë është. Ia kam frikën. Nuk më lë askund që të shkoj vetëm. Irena, nëse dëshiron që të takohet me mua, duhet të vijë te unë. Bëhet xheloz sapo të përshëndetem apo flas me cilindo mashkull qoftë. Dolëm që të jetojmë në periferi vetëm që të mund të më kontrollonte më lehtë. Më parë jetonim në qendër të qytetit, ku edhe më lehtë e kisha për të dalë. - A je duke punuar? - më pyeti pasi që u ndala për një çast. - Kam punuar në një recepsion, por vetëm gjatë vitit të parë të martesave. Më pas ma ndaloi. Kemi mjaft para, prandaj më tha se nuk kisha nevojë të punoja.

Mendoja se kjo do ta qetësonte, por ai vetëm sa u përkeqësua edhe më shumë. Dal vetëm me të, e kur të dal për të bërë shoping, më duhet t'i tregoj se kur do të kthehem. Kur erdha këtu, i thashë se do të shkoja te dentisti. Ai shkoi në fshat, te e ëma, por mua më duhet që të kthehem me kohë - vetë mendimi rreth shkuarjes në shtëpi më bëri që të më kaplonte shqetësimi. Por, në të njëjtën kohë, pasi që thashë gjithçka me zë të lartë, pasi që edhe vetes sime ia pranova të vërtetën, ndihesha më e lehtë. - Merita, e kuptoj frikën tënde, por një gjë nuk e kam të qartë. Nëse do të kërkoje shkurorëzim, çka mendon ti se do të bënte ai? - Nuk do të ma lejonte. As që guxoj t'i çoj mendtë andej. - Nga çka frikësohesh? Ti më the se ai nuk të rrahë. Unë nuk thashë asgjë. - Merita, duhet të ma thuash të vërtetën! - Vetëm njëherë më ka ra - pranova me një zë tepër të ulët. - Kur? - më pyeti, e kur unë nuk iu përgjigja, ai ma përsëriti pyetjen edhe një herë, me zë më të lartë. - Kur i thashë se kisha ngelur me barrë. (vijon).

(Kosova Sot Online)