Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (3)

  • E.K /
  • 21 October 2021 - 15:47
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (3)

Zëri i Jace-it tingëlloi në kupë të qiellit. Zëri i tij ishte i trashë, i mbushur me zemërim derisa ia mbante anën nënës, por e munda edhe aty. "Nënë, nënë. A je në rregull? U ktheva kah vëllai dhe i bërtita fort. "Thirre ndihmën e shpejtë. Ai na qëndronte afër, me lotët që i rridhnin faqeve nga sytë e përgjakur. "Danny, ajo nuk… nuk…" Fjalët i mbesnin përgjysmë, por gjatë atyre momenteve e urreja pse mendonte mu atë që mendoja edhe unë. E futa dorën në xhep, e mora celularin dhe ia lëshova atij në dorë. "Thirre!" e urdhërova, derisa nënën e mbaja në duar. Shikova në drejtim të shtëpisë dhe pash fytyrën e babait në momentin kur kuptoi se çka kishte ndodhur. Momentin kur kuptoi se kishte dëgjuar një të shtënë dhe se gruaja e tij ishte e palëvizshme.

Ai ishte keq me shëndet, por megjithatë arrinte ta mbante hapin me ne. "Alo, po. Nëna jonë… e kanë goditur!"- vetëm duke dëgjuar fjalët e Jace-it mu mbushën sytë me lot. Gishtat e mi kaluan nëpër flokët e nënës, trupin e së cilës e përqafoja derisa babai na vinte prapa. "Jo… jo… jo…" pëshpëriste ai, duke u rrëzuar më pas në tokë. M'u desh ta mbaja edhe atë. Ajo më shikonte me sytë e saj të kaltër, duke m'u lutur që t'i përgjigjesha në pyetjen e saj. "Mirë je, mirë", i pëshpërita asaj në vesh. E rreja atë dhe e rreja veten. E dija se nuk do t'ia dilte. Diçka brenda më thoshte se ishte bërë tepër vonë dhe se më nuk kishte shpresë. Por, përkundër kësaj, nuk mundesha të ndalesha duke i thënë se ishte në rregull, sikur që nuk mund ta ndalja vajin. "Mirë je".

KAPITULLI 1

~ Koha e tashme ~ Vdekja nuk është e frikshme, ajo nuk është mallkim. Do të doja vetëm që ajo dreq vdekje të më merrte të parin. ~ Romeo Rrija ulur në fund diku. Urreja funeralet, por në anën tjetër, më mirë kështu sesa të më pëlqenin. E pyesja veten, a mund të ketë njerëz që kënaqen në situata të tilla. Njerëzit që thjesht vinin aty sa për ta shijuar atmosferën e pikëllimit. Disa prej tyre i sheh duke qeshur dhe duke bërë shaka. A e di si thonë? Nuk shkon funerali pa pak humor. Unë jam në rregull. Sa herë që njerëzit kalojnë afër meje, ata marrin atë frymën e hezitimit, duke menduar se, në fakt, ishin duke shikuar Gabby-n. "Nuk jam ajo", iu pëshpëritja para se të vazhdonin tutje. "Nuk jam ajo" i pëshpëritja vetes, e ulur në karrigen e drunjtë. Kur kisha qenë e vogël, shpesh kisha qenë e sëmurë. Nga mosha katër deri në moshën gjashtëvjeçare më shumë kisha qëndruar në spital, sesa në shtëpi. Më duket se kisha një vrimë në zemër.

Pas disa operacioneve dhe shumë lutjeve, përfundimisht mund ta bëja një jetë normale. Nëna kishte menduar se do të vdisja atëherë, prandaj nuk mund e të mos mendoja se sa e zhgënjyer që duhej të kishte mbetur ajo, pasi unë mbijetova, e Gabby vdiq. Pasi mori vesh se Gabby ishte sëmurë, ajo filloi të pinte sërish. Mundohej fort që ta fshihte këtë, por njëherë e pashë në dhomë të gjumit. Ajo qante dhe dridhej në shtrat. Kur iu afrova dhe rashë afër saj, ndjeva erën e uiskit. Nëna kurrë nuk i kishte përballuar mirë situatat e vështira dhe alkooli ishte gjithmonë mjet të cilin e përdorte në situata të tilla. Nuk ishte aspak mirë kur Gabby dhe unë qemë të detyruara që të shkonim të rrinim me gjyshin, gjatë kohës sa ajo ishte në rehabilitim. Pas episodit të fundit të rehabilitimit, ajo na premtoi se më kurrë nuk do ta vinte shishen në gojë. (vijon)

(Kosova Sot Online)