Ngjarje e vërtetë: Dashuria me ciganin e bukur (5)

  • E.K /
  • 21 October 2021 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Dashuria me ciganin e bukur (5)

- Automobilin nuk e rregulluat ende? E dëgjova këtë pyetje, e më pas prapa këndit të hapur të dritares u paraqit koka e një mashkulli. Nuk u çudita nga lëkura e zeshkët e tij, e cila më së pari më ra në sy, por më la pa fjalë bukuria e tij. E shikoja duke mos mundur të merrja frymë. Isha aq e habitur, sa që kisha harruar që të përgjigjesha në pyetjen e tij. - Unë jam Meha - tha ai duke vazhduar që të qeshte. E fiku automobilin dhe doli jashtë. Kurrë nuk do të besoja se një cigan mund të dukej ashtu. Ciganët i paramendoja ndryshe, më të shkurtër dhe jo aq të bukur. - E, ju kush jeni? - më tha duke mu afruar për dy hapa. - Jam Merita, thash pa ia zgjatur dorën.

As që më shkonte mendja ta bëja një gjë të tillë. As vetë nuk e di pse. Ndoshta kisha frikë se, nga dridhja e dorës sime, ai do të m'i kuptonte mendimet. Me gjasë kjo ishte e vërteta. - A t'ju çoj në shtëpi?, pyetja e tij më befasoi. - Ose do t'ju përcjell deri në shtëpi, që të jeni e sigurt, e më pas do të vij ta marr kamionin - më propozoi atë që nuk do të ma thoshte asnjë mashkull tjetër. - Nuk jam aq e pafuqishme - thashë, duke u munduar që ta merrja veten. - Këtë nuk e thashë - buzëqeshja të cilën ma dërgoi ma bëri gjakun që të më vlonte. Ishte ky mashkulli më i bukur që kisha parë ndonjëherë. Dhëmbët e fildishtë i dukeshin edhe më të bardhë për shkak të tenit të tij të zeshkët, sikur të kishte qëndruar një kohë të gjatë në diell, gjë që ishte edhe e vërtetë.

Tenin e errët e kishte në gjene, sikur edhe gjatësinë, por edhe muskujt. Ishte tepër vital, më i gjatë se unë nja dhjetë cm. Flokët e zinj dhe sytë edhe më të zinj vetëm sa ia shtonin harmoninë fytyrës së tij. - Jam e pavarur - i thashë. - Ma merr mendja - tha ai, duke vazhduar që të buzëqeshte. E shikonte lëkurën time të butë, flokët e gjata, të verdha dhe trupin tim si statujë. As uniforma e punës nuk ma prishte bukurinë. Se isha duke i pëlqyer, kjo i shihej në fytyrë. - Fakti që jeni e pavarur më qe i qartë që në shikim të parë - më tha me zë të qetë. Nuk mund ta merrja me mend sa vjet kishte. Supozoja se ishte disa vjet më i madh se unë, prandaj me gjasë në shtëpi e prisnin gruaja dhe një llavë fëmijë. - Jeni tepër e bukur - më tha troç.

E shikova, e befasuar. - Jeni vajza më e bukur që kam parë ndonjëherë. Ndoshta nuk është e udhës që t'ju ftoj të dalim bashkë, por megjithatë do ta bëj këtë. Ta shohësh një vajzë si ti, të bukur, e të mos e provosh fatin, është një gjë që s'bëhet. Ngela! Çka t'i thosha? Atë që ma thoshte arsyeja, nëse edhe e kisha në ato momente, apo atë që ma donte zemra? Hezitimi im e dëshpëroi dukshëm. - E di, më tha me një dozë të ftohtësisë. - Nuk është lehtë të luftosh me paragjykimet, sidomos kur bëhet fjalë për neve, romëve - shtoi ai. - Unë nuk kam paragjykime - u nguta e i thashë. - Atëherë mund të pres përgjigje pozitive në pyetjen që ta bëra? - tha ai, me një ton lozonjar. Ia krisa të qeshurës, gjë që e bëri edhe ai.

Tendosja që ekzistonte midis nesh u zhduk si me dorë. - A ekziston ndonjë grua në jetën tënde, e cila do të kishte vërejtje, po të dilja unë me ty? - e pyeta haptazi. - Jo - tha me qetësi. - Zemra ime është e lirë, po aq sa jam edhe unë. Jam duke e pritur atë të vërtetën - më tha ai, duke më shikuar me atë shikimin i cili përsëri më la pa fjalë. - Sa për fillim do të mjaftonte që të të njoftoj me stilin e jetës që e bëjmë ne - më tha ai, e as vetë nuk e dija pse në ato momente as që më shkonte ndërmend t'i thosha "jo". - Nesër, pas pune… - i thashë. - Po, po. Kam celular - më tha ai, pasi që mi kishte lexuar mendimet. I këmbyem numrat e telefonit dhe ai më çoi deri në shtëpi. (vijon)

(Kosova Sot Online)