Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (4)

  • E.K /
  • 22 October 2021 - 15:46
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (4)

Nëna qëndronte ulur në rend të parë, me të dashurin e saj, Jeremy. Nuk është kurrfarë sekreti që ajo gjithmonë e kishte dashur Gabby-n më shumë. Gabby interesohej për gjërat të cilat i interesonin nënës, sikur që është grimi dhe emisionet "reality TV". Ato gjithmonë qeshnin me njëra-tjetrën dhe ia kalonin për mrekulli derisa unë rrija ulur në kauç, duke lexuar ndonjë libër. E di që prindërit gjithmonë thonë se nuk kanë favorit në mesin e fëmijëve të tyre, por si mund të mos kenë? Ndonjë fëmijë i tyre mund të jetë aq shumë si ata, sa që favorizimi del vetvetiu. Kështu ishte edhe Gabby për nënën.

Nuk është se nëna nuk më donte, por thjesht nuk isha unë që i pëlqeja. Dikë mund ta duash edhe nëse nuk të pëlqen. Por, kjo nuk paraqiste problem, meqë unë e doja atë mjaft sa për ne të dyja. Jeremy ishte një njeri i sinqertë dhe unë fshehurazi shpresoja që ai do të ishte në gjendje ta kthente nënën që e kisha pasur para se të sëmurej Gabby. Një nënë që dinte të buzëqeshte. Një nënë, e cila më donte edhe pse nuk i pëlqeja aq shumë. Me të vërtetë më mungonte një nënë e tillë. Duke shikuar llakun e zi në thonjtë e mi, unë ofshava. Prifti vazhdonte që të fliste rreth Gabby-t sikur ta kishte njohur vetë atë. Ne kurrë nuk shkonim në kishë, kështu që fakti që tani gjendeshim në një të tillë, ishte përvojë dramatike për ne. Nëna gjithmonë na thoshte se kisha gjendet brenda nesh dhe se Zotin mund ta gjejmë kudo, prandaj nuk kishte nevojë që të shkonim në ndërtesën e quajtur kishë çdo të diele. Mua më dukej sikur ajo vetëm sa donte të flinte më shumë të dielën. Nuk mund të qëndroja në kishë as edhe një sekondë më shumë, ajo mund të ishte vend lutjesh dhe besimi, por kishte një atmosferë që ta zinte frymën. E ktheva kokën kah dera e kishës, kur veshët ma regjistruan edhe një himn. Oh, Zot! Sa himne po ekzistuakan?! Duke u ngritur nga ulësja, dola jashtë, duke ndier erën e ngrohtë verore në lëkurë. Ishte më nxehtë sesa viteve paraprake. Filluan që të më dilnin djersët. Duke u tkurrur në fustanin e zi, të cilin isha e obliguar ta mbaja në trup, fillova që të lodhesha dhe të kisha nevojë për gjumë. Disa njerëz me të gjasë do të mendonin që isha e çuditshme për faktin që, në funeralin e motrës, të shkoja me fustanin të cilin e kishte përzgjedhë mu ajo. Por, e tillë ishte Gabby. Ajo gjithmonë ishte paksa morbide, duke folur rreth vdekjes para se ajo t'i vinte, para se të ishte sëmurë dhe duke më thënë që, për funeralin e saj, të dukesha sa më bukur. Ai fustan ishte paksa tepër i vogël dhe më binte ngushtë në bel, por nuk ankohesha. E, kujt do t'i ankohesha edhe ashtu? Duke qëndruar ulur në shkallën më të lartë të kishës, i kisha qitë duart anash trupit, duke ndier njëfarë dhembjeje nga presioni të cilin e ushtroja. Funeralet ishin të mërzitshëm. Shikoja një buburrec duke ecur shkallës, ashtu i kapluar nga konfuzioni, para-prapa, poshtë-lart. "Duket se kemi shumëçka të përbashkët, z. buburrec". I largova sytë nga dielli, për ta shikuar qiellin e kaltër. Qiellin e marrë, të kaltër, të tërin të gëzuar. Edhe pse kisha mbyll sytë, dielli depërtonte, duke ma dhënë një ndjenjë të fajit. (vijon)

(Kosova Sot Online)