Ngjarje e vërtetë: Dashuria me ciganin e bukur (8)

  • A.P /
  • 24 October 2021 - 12:40
Ngjarje e vërtetë: Dashuria me ciganin e bukur (8)

- Nesër do të bisedoj me prindërit - i thashë. Ai më ndërpreu me puthje. - Do ta bëj këtë - i thashë me vendosmëri. E dija se ai frikësohej, e frikësohesha edhe unë, por ajo frikë ishte më e vogël nga ajo të cilën do ta kisha nga rreziku që ta humbë Mehën. Çdo ndarje nga ai, sado e shkurtër që ishte, më dukej se më shkaktonte vdekjen e një pjese të shpirtit. Jetoja për të dhe për çdo moment që kaloja me të. nuk kam nevojë që të tregoj sesi kaloi biseda ime me prindërit. Mosbesim, kërcënime, frikë dhe lot, këto gjëra ia lëshonin vendin njëra-tjetrës nga momenti në moment. Bile edhe im at, i cili gjithmonë ishte i matur, sa nuk ulërinte nga zemërimi. Nuk lejova që të ma ndërronin mendjen. Jo, këtë nuk mund ta bëja assesi. Gjërat e mia, ato më elementaret, tanimë i kisha përgatitur. Më shumë nuk më duhej. Meha më priste, meqë i kisha thënë se ka mundësi se do të shkoja që atë natë. Në këtë drejtim nuk më dekurajuan as fjalët e rënda që i këmbeva me prindërit. Një orë pas fillimit të bisedës, unë dola nga shtëpia. U përcolla nga lotët dhe kërcënimet, por nuk ua vura veshin atyre. Kur u largova nga shtëpia nja 100 metra, u ktheva edhe një herë. Sytë i kisha plot me lot, por në vend se të qaja, buzëqeshja. Hoqa dorë nga gjithçka vetëm për hir të dashurisë. Isha e gatshme që ta ndryshoja mënyrën e jetës dhe bindjet e mia, duke pranuar çdo gjë që "shkonte" me Mehën. Nëse ai jetonte pa shtëpi, këtë mund ta bëja edhe unë. Nuk mund të prisja falje nga prindërit, por e dija se ajo falje, herët apo vonë, do të vinte.

Kisha përshtypjen që jeta sërish do të na kthente këtu, e atëherë çdo gjë do të ishte ndryshe. Zemërimi do të jetë larguar dhe do të dominojë dashuria. Isha e bindur se do të ishte ashtu. Prindërit ua falin fëmijëve të gjitha gabimet, por atyre iu duhet një kohë për ta bërë këtë, e tani e kishin kohën e tërë botës. Njëzet minuta më pas, hyra në një kolibe ku gjendej Meha. I hapi duart dhe më përqafoi. - Tani jam si ti - ia thashë troç. - Do të jetoj sipas adeteve tuaja, meqë për asgjë tjetër nuk kam nevojë. Ai më çoi deri te një shtrat i improvizuar. Gjatë tërë natës më mbajti në përqafim, duke m'i shpjeguar adetet e tyre, duke më treguar edhe disa sekrete. Ai më tregoi sesi ciganët ishin të përjashtuar nga shoqëria, se bënin punët më të ndyta që të mund të mbijetonin, por lidhshmëria midis tyre ishte në nivel të lartë.

Tani jam pjesë e tyre, pjesë e tij dhe pjesë e jetës e cila nuk është aspak e lehtë për mua, por nuk kam frikë nga asgjë. I isha dorëzuar dashurisë me vetëdëshirë dhe, pa marrë parasysh se sa vende do t'i ndërronim, do të vazhdojmë që të jemi bashkë, gjë që kishte më së shumti rëndësi. Midis nesh më nuk kishte pengesa. Dashuria i rrënoi të gjitha ato. Nëse do ta kem vështirë ndonjëherë, atëherë fuqinë do ta marr nga dashuria e tij, meqë e di se kjo dashuri kurrë nuk do të më zhgënjejë. Këtë e ndjej si të vërtetë dhe si fatin tim. 

(Kosova Sot Online)