Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (12)

  • A.P /
  • 31 October 2021 - 09:44
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (12)

"E kuptova". Ai ofshau, duke e fërkuar mjekrën me dorë. Ai dukej më i vjetër sesa që duhej, por ma merrte mendja se kjo ishte pasojë e pendimit dhe ndjenjës së fajit. "Në rregull". E hodha valixhen në pjesën e pasme të kamionçinës së tij dhe u nisa që të ulesha në karrigen e pasagjerëve. Pash derën e dëmtuar, gjë që nuk më befasoi, meqë Henry ishte mjeshtër për t'i thyer dhe mos rregulluar gjërat. "Më vjen keq. Ajo derë nuk hapet. Mund të hysh nga dera ime". Përsëri i rrotullova sytë dhe shkova e ula njëherë në karrigen e shoferit, e më pas në atë tjetrën, duke u ruajtur që të mos i grisja rrobat. Nuk folëm gjatë vozitjes dhe unë mendova se kështu do të ishin muajt në vijim. Me heshtje të çuditshme. Me ndërveprime të çuditshme. Henry ishte emri që gjendej në certifikatën time të lindjes, por kur flitej për atë që të ishte babai im, ai nuk e kishte merituar një titull të tillë. "Më fal për nxehtësinë. Kondicioneri i ajrit m'u prish javën e kaluar.

Nuk prisja një nxehtësi të tillë këtu. Parashikohet që temperaturat të jenë edhe më të larta. Ah, kjo dreq ngrohje globale", tha Henry. Unë nuk iu përgjigja, prandaj më duket se ai e mori këtë si ftesë që të vazhdonte të fliste. Unë në fakt nuk e doja një gjë të tillë, meqë i urreja llafet vetëm sa për ta kaluar kohën. "Gabby tha se je duke shkruar një libër, apo jo? Isha në gjendje që të të regjistroja në anglishten e avancuar me një mësues të madh. E di se njerëzit thonë se angazhojnë më të mirin nga më të mirët, por për të qenë të sinqertë, shumica prej tyre janë tuhafë që shkojnë andej-këndej", tha ai duke qeshur vetë me vete. Henry ishte ndihmës drejtori në shkollën e mesme "Edgewood", e cila së shpejti do të jetë shkolla ime, pasi që do të mbarojnë këto ditë finale të pushimeve verore. 180 ditët e fundit të karrierës së shkollës sime të lartë do t'i kaloj me babanë tim biologjik, duke u sorollatur korridoreve. E përkryer! "Nuk ka rëndësi, Henry". E pash duke përkulur kokën kur e thirra me emër, por si mund ta quaja ndryshe? 'Baba' dukej tepër personalisht dhe 'at' dukej disi tepër zyrtare. Prandaj, mbetej vetëm ta quaja Henry.

E hapa pak dritaren, e ngazëllyer nga kjo jetë e re që ma mbushte mendjen. Henry më shikoi dhe e pastroi fytin."Nëna jote më tha se ke pasur sulme të rënda të panikut?" I rrotullova sytë, si shenjë e ankthit adoleshent. E vërteta ishte se vuaja nga sulmet e panikut qyshkur morëm vesh se Gabby ishte e sëmurë. Por, nuk kishte nevojë që Henry ta dinte këtë. Ai e ndërroi temën... përsëri. "Jemi me të vërtetë të lumtur që do të vish për të jetuar me ne", tha ai. Koka ime u kthye kah ai dhe ia ngula sytë derisa ai e ktheu shikimin kah rruga. Unë ngela e palëvizur, sikur gur varri, meqë kisha nevojë ta dija se për kë e kishte fjalën. "Ne?" "Rebecca…" Rebecca? Kush është Rebecca? "…dhe fëmijët e saj" pëshpëriti ai, duke e pastruar fytin në një mënyrë jo të këndshme. Sytë mu zgjeruan nga habia. "Qe sa kohë jetojnë ata me ty?" "Tash e ca kohë", zëri i tij ishte i rrjedhshëm, sikur të më luste që të mos e tirrja më hollë këtë punë. Nuk mërzitesha çka donte ai. Po ashtu, e dija se, pa marrë parasysh se fliste me një zë të ëmbël, ai ishte duke thënë rrena. "Dua të them, a ishin ata duke jetuar me ty para se të na telefonosh për ditëlindje këtë vit, me tri ditë vonesë?" Heshtja e tij m'u përgjigj. "E, gjatë vitit të kaluar? A jetonin ata me ty, kur harrove fare të na thërrisje për ditëlindje?" (vijon)

(Kosova Sot Online)