Ngjarje e vërtetë: Situata e vështirë materiale na shtyri në amoralitet (1)

  • E.K /
  • 03 November 2021 - 15:48
Ngjarje e vërtetë: Situata e vështirë materiale na shtyri në amoralitet (1)

Të lutem, ma sjell një birrë Meritë - dëgjova zërin e burrit tim si po më thërriste nga punëtoria. - Ja menjëherë i dashur - ia ktheva me po të njëjtin zë. Porsa kisha fshirë pjatën e fundit dhe e kam vendosur në dollapin e kuzhinës, e vara peshqirin dhe largova flokët nga sytë. Enët i kisha rehatuar, fëmijët ishin në shtrat, pra përfundimisht edhe unë mund të relaksohesha. Vetëm në këtë pjesë të ditës, rreth orës dhjetë në mbrëmje, bashkëshorti im Demiri dhe unë kishim kohë për njëri tjetrin. I hapa dy shishe me birrë dhe me to u nisa për te punëtoria e burrit. Prapa meje po qëndronte një ditë e lodhshme. Së pari m'u desh ta dërgoja qenin te veterinari, më pas vajzën tonë të vogël te mjeku, e krejt në fund ta thërras mjeshtrin ta rregullojë lavariçen tonë, e cila përfundimisht kishte vendosur të prishej. Demiri po qëndronte ulur dhe po e rregullonte një kuti prej druri, të cilën duhej ta rregullonte për ditëlindjen e vajzës sonë 14 vjeçe.

Nuk kishim të holla për dhurata të shtrenjta, por që të dy e dinim se kjo dhuratë do ta bënte të lumtur. Lëshova në tavolinë shishet me birrë dhe ia hodha të dy duart bashkëshortit tim përreth qafës dhe fillova ngadalë t'ia bëj një masazh. - Dhurata do të jetë e hatashme i dashur - i shushurita në vesh. Demiri u duk i lumtur nga fjalët e mija. U kthye me fytyrë prej meje dhe më puthi në buzë, e më pas filloi ta konsumonte birrën. - Të faleminderit, për birrën dhe për komplimentin - më tha. - Aha, edhe herëve të tjera - i thashë dhe u shtriva në luhatëse, të vetmin vend që ishte i rezervuar vetëm për mua. - Dhe? Si ishte dita - e pyeta pasi që edhe unë e konsumova një gllënjkë birrë. - Ashtu, mesatare - m'u përgjigj duke rrudhur krahët. - Kreshniku është i sëmurë kështu që mu desh vet të merrem me klientët. Kreshniku është një mik i vjetër i Demirit dhe ishin bashkëpronar në punëtori. Ai e kishte bindur që të largoheshin nga pronarët privatë dhe të punojnë për veten e tyre. Për një kohë puna ju kishte ecur mjaft mirë, por disa vitet e fundit mezi po ia dilnin.

Njerëzit thjesht nuk kanë të holla, po më shpjegonte burri im duke shpjeguar mungesën e punës, e unë natyrisht se e kuptoja. Koha është e tillë, askush nuk e ka të lehtë. Një kohë po e shikonte birrën derisa Demiri foli përsëri. - Sot më erdhi një femër me një xhip. Natyrisht se unë nuk kisha pjesë për të, e ajo ishte shumë e frustruar. Ia bëra me kokë në shenjë se po e dëgjoj. - Por, edhe ajo ka mundur ta kuptojë se në një punëtorë si kjo nuk mund të ketë pjesë aq të shtrenjta për veturën e saj. Përse nuk kishte shkuar në vendet ku zakonisht i bëjnë kontrollet e veturave të shtrenjta? - I ishte prishur vetura këtu afër. Ia dola disi t'ia aftësoj, e pjesën origjinale e kam porositur - më shpjegoi dhe përsëri i zhyt në mendime. - Për çfarë po mendon - e pyeta kur për disa minuta rresht nuk e tha asnjë fjalë të vetme. Mirëpo, mendimet e tij kishin fluturuar aq larg sa që as nuk e kishte dëgjuar pyetjen time. - Hej, Demir - ia bëra me dorë para fytyrës së tij. - Toka thërret Hënën! Ku je zhytur ashtu? U kthjell vetëm atëherë kur e kam lëkundur me duar.

 Po mendoj ende për atë femrën. Po më mundon ajo që ma tha - mu përgjigj. - PO? E çfarë të ka thënë - e pyeta me kureshtje. Demiri nuk ishte një tip i mashkullit që ngarendte pas femrave të huaja, e unë nuk isha xheloze, kështu që as më shkonte mendja të xhelozoja. Por, burri im prapë se prapë disi dukej i hutuar. - A e di atë shtëpinë e madhe aty në breg - bëri me dorë në drejtim të vilës e cila ndodhej pranë shtëpisë sonë modeste. Natyrisht se e dija. Të gjithë fqinjët e dinin për të. Që një kohë të gjatë është e zbrazët dhe pa pronar, dhe është fascionuese. (vijon)

(Kosova Sot Online)