Ngjarje e vërtetë: "Nëna më torturonte, donte të më bënte manekine" (2)

  • E.K /
  • 18 November 2021 - 15:47
Ngjarje e vërtetë:

- Nuk kam uri. Tanimë kam ngrënë kafjall - murmurita me shikimin e lëshuar poshtë. - Ah, po a? E ku ashtu dhe, çka ke ngrënë, të lutem? - pyeti me dyshim, duke më fiksuar me shikim. Në të njëjtin moment ndjeva sesi fytyra m'u kaplua nga nxehtësia dhe skuqja. Por, kësaj here sikur ndodhi diçka në mua, prandaj vendosa që t'ia thosha të gjitha në fytyrë. - Meqë nga ti nuk mund të vija në radhë për të hyrë në banjë, shkova te fqinja, e cila ishte duke pjekur petulla. Për herë të parë pas aq shumë kohësh hëngra derisa ma deshi qejfi. A je e kënaqur tani?! - e pyeta e nervozuar. - Qysh? Ke hëngër një ushqim të tillë? A e ke idenë se sa kalori ka një petull e vetme? - më tha duke hapur sytë e saj sa s'iu shqyen. A kështu më falënderohesh për tërë atë që kam bërë për ty, a?! Tina, unë me të vërtetë nuk të kuptoj.

A mendon se me atë peshë që ke do të arrish diçka në botën e manekinizmit, a? Mos e mashtro veten! Më shiko! Përkundër asaj se kam 35 vjet, e kam të njëjtën peshë sikur kur isha adoleshente. A mendon se kjo më piku nga qielli, a? Jo, jo e dashur! Disiplina ka rëndësi, vetëm disiplina - më tha ajo e zemëruar, me faqet që i ishin skuqur all. - E, kush tha se dua të bëhem manekine?! Mos e ke fjalën për atë audicionin e marrë që më ke paraqitur, pa dijen time? Më duket se ke harruar se nuk dua të bëhem modele, por avokate. Vetëm ta dish, nuk e kam ndërmend të shkoj në atë audicion të marrë! - tani kisha filluar të bërtisja, e sytë mu mbushën me lot. - Më dëgjo mirë, zonjushë!

Të të mos shkojë ndërmend që të ma marrësh fytyrën para atyre njerëzve të mirë, të cilët ma plotësuan lutjen që një e re e panjohur, si puna jote, të paraqitet atje. Ti do të shkosh në atë audicion, bile duke kënduar. Përndryshe, do të kesh punë me mua! A u kuptuam? - më tha me një zë kërcënues. - E shoh se ti nuk e ke të qartë, por kam investuar tepër mund, sa që të mund të heq dorë kështu hajt, nga karriera jote si modele. Më parë do të vdisja, më beso! Përndryshe, ushqimin shkollor e ke në frigorifer: një jogurt dhe një mollë. Shpresoj ta kuptosh se tërë këtë jam duke e bërë për të mirën tënde - përfundoi ajo duke më shikuar me kokën lart, me një dinjitet mbretëror, për të shkuar më pas në dhomën e ditës.

Përkundër tërë përpjekjeve të mia, atë ditë nuk arrija të përqendrohesha në mësime. Biseda me nënën më sillej vazhdimisht në kokë dhe më bënte të ndihesha më keq se ndonjëherë më parë. Edhe pse nëna gjithmonë ishte tregim në vete, kohëve të fundit ajo sillej sikur të ishte çmendur fare. Isha e detyruar t'i dëgjoja ligjëratat e saj të gjata rreth kujdesit adekuat ndaj fytyrës dhe trupit, rreth ushtrimeve të rregullta dhe, në fund, rreth dietës së shëndetshme, me pak kalori. Edhe pse nuk isha me mbipeshë, nëna mundohej me tërë forcën e saj që të më bindte se isha. Derisa isha më e vogël disi mund ta toleroja këtë sjellje të saj, por jo edhe gjatë moshës adoleshente, kur edhe ashtu çdo gjë më duket se më pengon. Kur mendoj më mirë, përfundimisht më bëhet e qartë se, pa marrë parasysh se sa do të doja, assesi nuk mund ta kisha një jetë normale. Nëna, respektivisht Zana, sikur që doja ta thërrisja, me muaj të tërë ishte duke kontrolluar çdo kafshatë që e çoja teposhtë. Ishte e preokupuar me pamjen time, por edhe me pamjen e vet, me ç'rast më së shumti kishte frikë nga mbipesha.

Tina, a nuk ke ngrënë tanimë mjaft për sot? Do të duhej të haje më pak, që të lësh vend për ëmbëlsirë - ma tërhoqi vërejtjen nëna gjatë atyre pak drekave në shtëpi, kur si një adoleshente e uritur 14- vjeçare, mora edhe një copë mish gjeldeti. - E di se tani ende nuk preokupohesh me këtë gjë, por të siguroj se rreth peshës duhet të përkujdesesh që nga rinia më e hershme. E di, mjafton vetëm pak që ta humbësh vëmendjen dhe të shohësh se je fryrë si një balon - më tha ajo me qesëndi. (vijon)

(Kosova Sot Online)