Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (33)

  • E.K /
  • 23 November 2021 - 15:45
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (33)

"Është mirë të të shoh, Ashlyn". Ai e vuri theksin te emri im dhe mori një buzëqeshje nga unë. "Edhe ty". "Pra, ti qenke vajza e re për të cilën po flasin të gjithë? E bija e drejtorit?" Të gjithë po flasin për mua? Kjo ide bëri që të më rrëqethej tërë trupi. "Jam bija e zëvendësdrejtorit. Të gjithë po flasin për mua? Është ora e parë, e ditës së parë". "Shpejt do ta marrësh vesh… njerëzit flasin këtu. Kjo thuajse është e vetmja gjë që ata bëjnë". Ai bëri me kokë, duke më përpirë edhe një herë me sy. "Aspak nuk i keni ngjarë z. Jennings". "Këtë do ta marr si kompliment", thashë duke buzëqeshur dhe duke larguar karrigen time pak nga ai. Ai vërejti lëvizjen time dhe u kollit paksa.

"Më beso, është". Ora vazhdoi dhe, më pas, Jake më pyeti nëse kisha nevojë për ndihmë për ta gjetur klasën ku do të mbahej ora tjetër, gjë që e refuzova me një buzëqeshje. Ora tjetër e mësimit kaloi sikur e para - ngadalë. Duke ecur nëpër korridor, ndihesha sikur e zënë në kurth. Sytë më shkuan te ora e varur në mur. Tiktaket e saj të zhurmshme na rikujtonin neve nxënësve se duhej të nguteshim, përndryshe do të na shkonte jeta kot. Edhe gjashtë orë të tjera. Edhe gjashtë orë të tjera, të mërzitshme dhe të gjata, para se do të mund të dilja nga ky burg.

Derisa isha duke ecur, pash Henryn poshtë, duke më shikuar. Unë ofshava dhe u ktheva në anën tjetër, duke u ndeshur me një njeri. Më ranë librat përtokë, kështu që i rrotullova sytë. "Shiko kah po ecën, oj qershi". Shikova dhe pashë një djalë me rroba sportive. Një lojtar futbolli dhe, nga ata që e ndiqnin, ai mund të ishte kryetari i ekipit. Më pas pashë edhe Jake-un me ta. Ai i rrudhi supet në shenjë kërkimfaljeje dhe u largua. Disa djem vazhduan që të më shikonin derisa mblidhja librat e mia.

"Çfarë qershie, more. Këto qenkan pjepra. Pjeprat i dua të jenë të mëdhenj dhe të lëngshëm", tha njëri prej tyre, duke ma shikuar gjoksin. Pasi i mblodha librat, i shtrëngova edhe më shumë. Nuk kisha guximin që ta ngritja shikimin, për të parë fytyrën e atyre që talleshin me mua. Njëra nga të metat e veshjes së fustaneve të Gabby-it ishte fakti se ata ma vizatonin trupin. Por, për njëfarë arsyeje, më duhej t'i vishja ata. "Nuk ke nevojë të kryesh shkollë, kur ke një dhuratë të tillë. Unë mund të të mësoj krejt çka do", tha ai që kryesonte me keqtrajtimet ndaj meje. Të tjerët e quanin Brad. Ndjeva shikimin e syve të tij që përthekuan tërë trupin tim dhe, duke ikur nga ai, ndesha në një tjetër. A nuk kishin punë më të mençur për të bërë? Psh, që të hynin në orë?

"Vetëm një prekje", tha njëri prej tyre, duke mi fërkuar supet me duar, para se të dëgjohej zëri i ashpër i arsimtarit. "Mirë, mirë! Kjo mjafton! Hyni në klasë"! Pashë të gjithë batakçinjtë duke u larguar, derisa unë ndjeja një nevojë për të bërë dush. Sikur prekjet e atyre zuzarëve të më kishin dhunuar. Doja që të kthehesha në Çikago, qoftë edhe duke shkuar këmbë e gjunjë. Të paktën, atje e dija se kush ishin keqbërësit. Doja që të kthehesha në shtëpi. (vijon)

(Kosova Sot Online)