Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (34)

  • E.K /
  • 24 November 2021 - 15:49
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (34)

"Ty të ra kjo", tha zëri, duke ma zgjatur orarin tim. Kur shikova lart, letra në duart e tij ra poshtë dhe ai pëshpëriti - "Ashlyn." I bukur, brilant, me sy të kaltër. Në fillim më kaploi një ndjenjë e çuditshme e rehatisë, duke ditur se ishte ai që m'i largoi keqbërësit. Por, më pas fillova të mendoja ndryshe. "Çka po bën këtu, Daniel?" Ai dukej aq... i rritur. Aq ndryshe nga ai që e kisha parë në kafenenë e Joe-s. Pantallonat i kishte kombinuar me një rrip të kafenjtë, i cili, në anën tjetër, përshtatej me këpucët e tij. Një këmishë e kaltër e çeltë mbulonte trupin e tij me muskuj, derisa flokët i kishte të fiksuara prapa. "Mos", tha ai. E shikoja derisa ai shikonte korridorit, e më pas duke e vendosur dorën në qafë. "Mos më thirr ashtu, Ashlyn", pëshpëriti ai. Një orman bëri zhurmë aty afër dhe unë kërceva lart nga frika. Çdo gjë më përzihej brenda dhe mezi mbaja lotët që të mos më dilnin. Si mund të ndodhte kjo?

Daniel pastroi fytin e tij dhe mori sërish orarin tim. Kësaj here e analizoi mirë, derisa fytyra i merrte pamje gjithnjë e më të shqetësuar. "Ti je studente". Dora e tij u bë grusht, të cilin e vendosi para gojës. "Je studentja ime". Sytë e mi u zgjeruan nga habia dhe tmerri. Më shumë nga tmerri. Zilja ra duke bërë zhurmë, derisa zhurma përhapej korridorit. "Dhe, je vonuar". Ai ma dha orarin. Unë shikova lart dhe pashë Ryanin duke vrapuar në drejtimin tonë. Ai buzëqeshi. "Këtu jam, këtu! Mos më grushto, profesor. Më duhet që të shkoj në orën e gjimnastikës, në sallën që gjendet në anën tjetër të ndërtesës". Ai kaloi afër Danielit dhe meje, derisa ne ishim të ngrirë në kohë dhe hapësirë. Ryan u kthye kah unë, u zgërdhi dhe ma bëri me dorë. "A po vjen, Ashlyn?" I shtrëngova buzët derisa e ktheva shikimin kah Danieli - profesori Daniels. Shkova disi në klasë dhe ofshava me lehtësi pasi që dëgjova derën duke u përplasur prapa meje. Ryan buzëqeshi dhe ma ofroi karrigen që të ulesha, mu përballë tij. E falënderova me gjysmë goje. Pasi që e ngrita shikimin, pash Danielin e shushatur, duke u munduar që ta merrte veten. Ai filloi që ta shikonte çdo student në sy, përpos meje.

Nuk pati as edhe një moment të vetëm kur shikimet tona do të bashkoheshin. E tëra për çka kisha nevojë, ishte një shikim, për të ma bërë me dije se gjithçka ishte në rregull, se mund ta gjenim një rrugëdalje nga kjo situatë bizare. As edhe një shikim! Filloi të më vinte mundim. Ai vazhdoi që ta mbante orën, duke nxjerrë shkumësin dhe duke shkruar në tabelën e zezë temat që do t'i mësonim këtë semestër. Shkrimet fantastike, Odiseun, Makbethin... por, mua nuk më interesonte. Ajri ishte i rëndë dhe i ndotur, i mbushur me keqkuptim. Nuk mund të merrja frymë. "Në rregull, për nesër kërkoj një deri dy faqe përgjigje në këto tri pyetje. Tri pyetje të cilat pak a shumë do ta formësojnë semestrin për ju.

Vazhdimisht do t'iu referohemi këtyre temave, prandaj mendoni mirë rreth tyre". Klasa filloi që të gumëzhinte. I mpreha sytë për t'i shikuar pyetjet që i kishte shkruar Danieli. 1. Kush je sot? 2. Ku e shihni veten pas pesë vitesh? 3. Çka doni të bëheni kur të rriteni? Këmbët e mia donin të iknin dhe nuk e dija si ta largoja ndjenjën e dëshirës për të ikur. Bërtita nga ulësja ime dhe u ngrita në këmbë. Zëri i Danielit u ndal në mes të fjalisë dhe që të gjitha shikimet u kthyen kah unë. (vijon)

(Kosova Sot Online)