Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (35)

  • E.K /
  • 26 November 2021 - 15:51
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (35)

Ai fliste me një zë monoton."Kjo nuk është qesharake, Ashlyn". Jo, nuk kishte. "Ti më the se ke 19 vjet", tha ai me një zë aq të butë, saqë mezi e dëgjova. "I kam! I kam!", thashë dy herë, duke e ngritur zërin. Nuk e di a mundohesha ta bindja atë, apo veten time. "Isha e sëmurë…", thashë dhe pauzova."Nëna nuk më la që të shkoja në shkollë për një vit". Ndihesha sikur kërkoja falje pse isha ajo që isha. Kërkoja falje pse ia kisha nisur shkollës atë vit kur ia kisha nisur. Asnjë nxënës nuk hynte në klasën e tij, kështu që ma mori mendja se ai kishte orë të lirë."E ti, sa vjet i ke"? "Jam mjaft i vjetër, sa për të ditur më mirë se ti", murmuriti ai, duke fërkuar qafën me dorë. Fyti im u tha dhe u kollita lehtazi."Por, mjaft i ri sa për të qenë i shkujdesur"?

Një gogësimë e thellë doli nga goja e tij."Jo". Ai e bëri dorën grusht dhe e goditi tavolinën me grusht. Ai pauzoi një moment, e më pas shtoi: "Kam 22 vjet". Nuk u frikësova kur dëgjova moshën e tij. Sikur koha dhe situata të ishin të ndryshme, lidhja jonë eventuale me të vërtetë do të kishte një të ardhme të mirë. Diferenca prej tri vitesh nuk do të paraqiste kurrfarë problemi. Nuk ishte mosha ajo që na pengonte, por profesioni i tij. Lotët tanimë ishin në sipërfaqe, por unë refuzoja t'i lëshoja. E ula zërin në nivel të pëshpërimës."A nuk mendon se... do të duhej të bisedonim për këtë"? Zëri i tij u zbut paksa dhe koka e tij bëri me gjest kah dera."Nëse dëshiron që të flas me ata djemtë që të ngucnin, atëherë mund ta bëj këtë".

Me një rrotullim sysh e shpreha pakënaqësinë time me ofertën që ma bëri. Nëse nuk mund të qaja në prani të tij, të paktën mund të zemërohesha."Do të flasësh me ta?" Ishte duke më kapluar zemërimi. "Oh! Ti do të flasësh me ta, z. Daniels. Ju lutem, flisni me ta. Vetëm kjo më duhet, që të më përmirësohet jeta për 100%". I përplasa librat në tavolinën e tij dhe ia ngula sytë. "Motra më ka vdekur. Nëna nuk më do. Babai punon zëvendësdrejtor në shkollën ku shkoj dhe ka një familje tjetër. Tanimë jam e izoluar në shkollë. Ata djemtë ma ngacmonin vetëm trupin dhe, më e keqja, profesori im i anglishtes mu vardis vetëm disa ditë më parë, por tani as që mund t'mi lëshojë sytë. Prandaj, po. Fol me ta. Kjo do t'i zgjidhë të gjitha problemet që kam". Pashë fytyrën e tij duke u shtrembëruar dhe atë duke e fërkuar qafën. "Ashlyn…", pëshpëriti ai. Më pas më shikoi i shqetësuar.

"Prit, prit! Henry është babai yt"? Kur pashë se cili ishte shqetësimi i tij më i madh ato momente, ndjeva një dhembje në zemër."Nga të gjitha ato që thash, kjo të bëri më së shumti përshtypje"? Ai u vrenjt."Duhet të shkosh në orën tënde vijuese".Për disa momente nuk lëviza, edhe pse heshtja ishte tepër e padurueshme. I "kreha" flokët me gishta. E shikova atë për disa momente, para se të kthehesha në anën tjetër e të dilja. Ai nuk ishte ai mashkulli i pashëm, që më bëri për vete disa ditë më parë me zërin e tij romantik. Ai nuk ishte njeriu që më bëri të qeshem dhe që më la të qaja me të. ai nuk ishte njeriu i cili ma bëri me dije se ende isha gjallë, pasi që buzët e tij u puqën me ato të mijat. Jo, ai më nuk ishte Danieli. Ishte z. Daniels.E, unë isha studentja naive, të cilën ai e shqelmoi pa ndier dhembje.

(Kosova Sot Online)