Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (38)

  • E.K /
  • 29 November 2021 - 15:53
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (38)

Më pas i bëra disa miq të rinj, një të dashur. Por, qëndrimi me Ryanin ishte aq i sigurt... nuk e di çka do të bëj vitin tjetër, pasi që ai të diplomojë". Pasi u kthye Ryan, e tërë qenia e tij ishte e ndryshme. Duart e tij bëheshin grushte dhe ato përplaseshin në tavolinë. "A është Lia atje, Hailey"? Buzët e saj u përmblodhën derisa shikonte nëpër dhomë, e më pas shikimi i saj u fiksua te dikush. Shikova se çka ishte duke shikuar ajo. Ishte një djalë me flokë të shprishura, i cili thjesht iu kishte hedhur sipër një vajze, duke e puthur në qafë, në buzë, etj. Hailey pohoi me kokë. "Po". "Kush është Lia"? Ajo më dukej e njohshme, por nuk e dija ku e kisha parë. "Hëm, shoqja ime më e mirë". Hailey-t i doli një lot, të cilin e fshiu me të shpejtë.

"Do ta vras atë", murmuriti Ryan, duke u larguar më tej. Venat në qafën e tij filluan që të fryheshin, sa më tepër që merrte vesh se çka ishte duke ndodhur. Unë ende nuk e kisha kuptuar tërë situatën. Hailey e zgjati dorën dhe e ndali vëllain e saj. "Jo, Ryan", e urdhëroi ajo. "Ti e di se ai është më i fortë sesa ti". "Nuk mërzitem për këtë", tha ai, meqë zemërimi i tij ishte më i madh sesa aftësia e të gjykuarit. "E, unë po", tha Hailey me zë urdhërues, duke e bërë atë që të ulej. "Kush është ai?", pyeta unë. Hailey ofshau. "I dashuri im, Theo. Me shoqen time më të mirë, me të cilën më mashtron".

Ja pse i njihja të dy ata. Fotot e të dyve ishin të vendosura në kornizë, afër shtratit të Hailey-t. I përsërita fjalët e saj në mendjen time. Zuzarët! "Kur e morët vesh?" Pashë se Lia ishte një vajzë për të cilën fjala miqësi nuk donte të thoshte asgjë. Kur je shoqe e dikujt, ka rregulla që duhen respektuar, apo jo? Ishin thuajse rregulla të njëjta me të qenit binjak. Psh, ta urresh dikë që ia ka thyer zemrën shoqes tënde më të mirë; mbështetja e vazhdueshme në publik, qoftë edhe kur e kanë gabim. Dhe, kurrë të mos dalësh, të mos kalosh kurrë me të dashurin e shoqes tënde më të ngushtë. Lia nuk ishte shoqe e mirë, ajo ishte një gjarpër, e cila kishte pritur rastin e volitshëm për të vepruar. Tanimë e urreja atë dhe atë djalin. Sytë e mi panë Danielin, i cili më shikonte me vëmendje.

Zemra më lëvizi, A ju kam treguar se sa e urreja faktin që Danieli vazhdonte që të më injoronte? Dhe, më pengonte fakti që, për të, më shumë kishte rëndësi fakti që Henry ishte zëvendësdrejtor, sesa që mërzitej për ndjenjat e mia. Më pengonte edhe angazhimi i tij që të më mbronte nga keqtrajtimet, derisa në anën tjetër nuk fliste me mua. Dhe, a ju kam thënë se sa më pengon fakti që më keqtrajtonin për shkak të trupit tim? Urreja faktin që kishin filluar të më rriteshin gjinjtë. Urreja faktin që nuk isha e padukshme për keqbërësit. Zyrtarisht urreja djemtë. Djemtë dhe Lian. Edhe Gabby-n. E urreja që kishte vdekur. Nuk është e vërtetë! Nuk e urreja Gabby-n. Ajo më mungonte. Kjo nuk ishte e drejtë. Asgjë nuk ishte e drejtë.

Por, ndjeja se mund të veproja vetëm për një gjë, me radhë. U ngrita nga karrigia dhe u nisa me të shpejtë në drejtim të Theo-s. Dora ime u bë grusht, sikur që ishte edhe dora e Ryanit pak kohë më parë. Për një moment shikova në drejtim të Danielit, i cili vazhdonte që të më shikonte me një shikim konfuz. Vetëm duke i parë sytë e tij të përkryer zemra ime filloi që të rrihte më shpejt dhe zemërimi te unë u rrit. Pasi që arrita te Theo, ia preka supin, me dy-tri të goditura të lehta. (vijon)

(Kosova Sot Online)