Ngjarje e vërtetë: Më braktisi ditën e martesës (3)

  • E.K /
  • 03 December 2021 - 15:52
Ngjarje e vërtetë: Më braktisi ditën e martesës (3)

Me ditë të tëra e mundoja veten me pyetjen në të cilën nuk kisha përgjigje. Nëse e donte, pse nuk ishte ndarë me mua më herët? Ishte evidente se nuk bëhej fjalë për dashuri, por vetëm për pasion, për mollën e ndaluar, të cilës Kastrioti nuk kishte mundur t'i rezistonte. U desh që të kalonin disa ditë, që të merrja guximin të delja jashtë. Kisha përshtypjen se të gjithë mi kishin ngulë sytë, se të gjithë e dinin se çka më kishte ndodhur. Bile edhe disa javë pasi që më kishte lënë ai, dhembja ime nuk ishte zvogëluar. Po, kisha filluar që të pajtohesha me realitetin, por jo aq sa doja. Nëna kishte shpjegim edhe për këtë.

 Nuk do të duhej të vajtoje - më tha njëherë pasi që më pa me lot në sy. - Do ta tejkalosh edhe këtë - më tha duke mi lëmuar flokët, sikur të isha vajzë e vogël. Më mirë që të la ditën e martesës, sesa që të ishit martuar dhe që, vetëm më pas, ta kishe mësuar të vërtetën. Ai nuk e meriton as edhe një lot tëndin. Do të duhej të ishe e lumtur që ai është me Merin. Kjo do të jetë hakmarrje e mjaftueshme për të dy ata, për atë që kanë bërë. Lumturia nuk arrihet mbi lotët e dikujt tjetër. Këto nuk janë themele të qëndrueshme - edhe pse e dija se çdo fjalë e saj ishte e vërtetë, kjo aspak nuk ma zvogëlonte dhembjen.

Si ta harroj? - e pyesja veten. Dhembja ime e kishte prekur mu në zemër. Ajo vuante bashkë me mua. Donte të më ndihmonte, por nuk mundej aq sa donte. Këshillat e saj, sado që ishin të arsyeshme, nuk kishin efekt. Trupi dhe zemra nuk kishin veshë për t'i dëgjuar këshillat. Duhej të kalonte një kohë në mënyrë që të zvogëlohej dhembja, që të pajtohesha me realitetin, por ajo kohë kalonte tepër ngadalë. - Dikur do t'ia dish për faleminderit për atë që të ka bërë - më thoshte ajo, duke u munduar që të më bënte të qeshesha. Papritmas cingëroi celulari. Sikur të më kishte zgjuar nga gjumi. As që shikova kush më thërriste, por e hapa menjëherë. - Hana - një zë i njohur më bëri që të rrëqethesha.

Kastriot! - isha e zemëruar, më shumë se kurrë më parë. - Si ke fytyrë të më thërrasësh? - e pyeta. - Hana, unë të dua vetëm ty! Jo Merin! Aspak! Të dua ende - më tha ai. U zemërova edhe më shumë. Si kishte guxim ai ta bënte një gjë të tillë? - Uh, sa mirë po më ardhka! - i thashë me sarkazëm. As vetë nuk e di pse nuk ia mbyllja celularin. - Jam duke e thënë të vërtetën - vazhdonte ai. - Mos e ke gabuar numrin? - e pyeta. - Unë nuk jam Meri. Nuk dua të ahmerrem. Ahmarrja më e madhe për mua është që ju të dy jeni bashkë. Kurrë, kurrë më, mos e thirr këtë numër. Çka deshe të më propozoje? Që të jem dashnorja jote? Më vjen fëlliqtë nga ti, nga fjalët e tua dhe vetëm tani shoh se sa me fat paskam qenë që më le - i thash dhe ia mbylla. Isha e zemëruar. Por, pas disa minutash, në fytyrën time u kthye buzëqeshja. Kisha përshtypjen sikur nga shpina dhe nga zemra kisha hequr një barrë të madhe, e cila nuk më kishte lënë që të jetoja. A thua ai duhej që të më thërriste gjithsesi, në mënyrë që ta kuptoja të vërtetën? Si duket po. Jeta vazhdon. E di se nuk janë të gjithë meshkujt mashtrues. Shpresoj që një ditë, ta gjej dikë që do të ma dijë vlerën dhe kimetin. FUND.

NGA NESËR MUND TA LEXONI TREGIMIN TJETËR, TË BAZUAR NË NGJARJE TË VËRTETË

"I TREGOVA SE ISHA DUKE E MASHTRUAR"

(Kosova Sot Online)