Ngjarje e vërtetë: I tregova se isha duke e mashtruar (1)

  • E.K /
  • 04 December 2021 - 15:13
Ngjarje e vërtetë: I tregova se isha duke e mashtruar (1)

Ishte vonë. Shtëpia ishte e zbrazët dhe e ftohtë. Po ecja nëpër hapësira dhe gjithkund po e ndjeja heshtjen. Ndihesha thuajse më nuk do të ketë jetë në të. Mu sikurse edhe shtëpia, edhe unë po ndihesha e ftohtë dhe e zbraztë nga emocionet. Edhe jeta ime ishte e ngujuar në kujtime. Samiri po më mungonte e kjo po më dhembte. Përse e kam lënë të ikte atë mbrëmje? Më duhej t'i thosha se Dreni nuk kishte ndonjë domethënie për mua dhe se kurrë asgjë nuk do të ishte ai për mua. Për fat të keq nuk e bëra këtë. Vetëm tani, kur e kam humbur atë që me të vërtetë më duhej, e kam kuptuar fuqinë e ndjenjave dhe e kam vërejtur se kujt ia kam dhuruar zemrën.

Kam hequr rrobat dhe shkova nën dush. Po shpërtheja nga emocionet, e uji tashmë po përzihej me lotët e mi në fytyrën time. Më dukej se si përsëri po i dëgjoj hapat e Samirit nëpër shtëpi. Për fat të keq, kjo ishte vetëm imagjinata ime, dëshira ime. Në vend të kësaj nëpër shtëpi po ndihej vetëm heshtja. Samiri nuk më dëshiron më dhe kjo është e vërteta, me të cilën më duhet të ballafaqohem. Kush e di edhe sa mbrëmje dhe natë pa gjumë janë para meje, derisa të mësohem se duhet ta kaloj jetën pa të. Pse pikërisht kjo u desh të na ndodhë neve? U shtriva në shtrat me mendimet për neve, më kujtohej koha kur dikur ishim të lumtur. Pas pesëmbëdhjetë viteve martesë. Unë dhe Samiri duheshim sikur në ditën e parë.

Për çdo ditë, me imtësi të ndryshme do ta zbukuronim jetën tonë, e të gjithë miqtë tonë na e kishin lakmi se sa shumë duheshim ne të dy. Flisnin se si jemi një shembull i gjallë se dashuria e vërtetë ekziston, dhe jo vetëm në filma. As ai e as unë nuk kemi mundur ta kuptojmë se martesa ju shndërrohet në një rutinë, cila më pas përfundon me ndarje. Ishim dëshmitarë të asaj se si shumë dashuri të mëdha kishin përfunduar me grindje të madhe, me seanca gjyqësore për fëmijët dhe pasurinë. Nuk kemi dëshiruar që kjo të na ndodh edhe neve kështu që jemi munduar rreth njëri tjetrit. Dëshiruam të duhemi gjithë jetën. Disa kolege në spital, ku unë punoja si një mjeke, janë ndarë shkaku i monotonisë në martesë. Te ne kjo nuk ndodhte. E as shoqja ime më e mirë Vlora nuk ia doli ta mbante dashurinë, në të cilën besonte shumë, kështu që edhe martesa e saj dështoi. Më fliste se si nuk kisha idenë se sa e lumtur duhej të isha që e kam Samirin.

 E ai nuk duhej të ishte i lumtur, pasi që më ka mua grua. - Ia ktheja me shaka në raste të tilla. - Me siguri se është mirë të jetosh me dikë që të dashuron kaq shumë - fliste Vlora, e sikur të mos më ishte shoqja më e mirë, do të bëhesha xheloze për të shkaku i pasionit për të cilin ajo flet. Midis meje dhe Samirit, gjithçka funksiononte si më së miri, deri këtë vit. Mjaftonte të më dhuronte një buzëqeshje dhe të më shëronte nga problemet e përditshme me të cilat, sikurse gjithë të tjerët ballafaqohesha në punë. Vetëm prania e tij më mjaftonte që këtë të mos e harroj, që përsëri të jem e lumtur. Mirëpo, tash e disa muaj nuk jam e lumtur dhe këtë me fajin tim. Që nga koha kur Dreni ka hyrë në jetën time, gjithçka ka kthyer përmbys, e edhe lidhjen time me Samirin.

Sot është çështje kohe kur edhe do të ndahemi zyrtarisht, e kjo është e fundit që dua. As Samiri nuk është i gatshëm për ndarje, por tashmë jetonim të ndarë dhe e di se do të ndodhte. Gjithçka po shkon drejt asaj se nuk mund të kthehemi me të vjetrën, dhe se jeta mban pasojat e një çmendurie të momentit. Dreni krejt pahiri hyri në jetën time. Më kujtohet ajo ditë thuajse ka ndodhur dje. Ishte verë, e unë dhe Samiri ishim në pushim vjetor në shtëpinë e familje sime në det. (vijon)

(Kosova Sot Online)