Ngjarje e vërtetë: Doja të ndahesha nga i fejuari, për shkak të sëmundjes (1)

  • E.K /
  • 09 December 2021 - 15:51
Ngjarje e vërtetë: Doja të ndahesha nga i fejuari, për shkak të sëmundjes (1)

Sa herë që të më kujtohet ajo që kam përjetuar, e që më kujtohet shpesh, më dridhet tërë trupi. Kanë ndodhur aq shumë gjëra, nëpër rrugën nga tronditja dhe pashpresa, deri te ajo që kam tani. Ardhmëria ime ende është e pasigurt, por tani qëndroj fort në këmbët e mia. U jam falënderuese njerëzve që më kanë ndihmuar, meqë pa ta, kushedi se çka do të ndodhte me mua. Sidomos i jam falënderuese motrës nga nëna, Arianës, me të cilën më parë nuk e çoja edhe aq mirë. Ajo, në fakt, sikur ishte e huaj për mua. Tani, përkundrazi, jemi tepër të afërta. Më duhet ta pranoj, më parë Ariana më nervozonte pa masë.

E di se duhet kohë që me një person tjetër të ndërtohet një raport i thellë dhe i harmonishëm, por mendoja se këtë gjë nuk do ta arrija kurrë me Arianën. Me gjasë për shkak se ishim të ndryshme, sikur që, për nga karakteri, ishin të ndryshëm edhe etërit tanë. Im at vdiq nga kanceri i mushkërive, derisa unë isha e vogël. Prej se dija për vete, unë isha tepër e lidhur me të. Pasi që ai vdiq, unë mora nga nëna shumë fotografi të tij dhe i vara nëpër shtëpi. Kështu, e kisha ndjenjën sikur ai ishte gjithmonë me mua. Mund të thuhet se as që e kam njohur mirë, si njeri, por për mua, ai ishte dhe mbetet babai më i mirë në botë. Mirë më kujtohet dhe, kurrë nuk do ta harroj butësinë e tij ndaj meje, dashurinë që ma dhuronte.

Thjesht, ai ishte babai i ëndrrave të mia dhe gjithmonë do ta mbaj në mend si të tillë. Burri i dytë i nënës sime, pra babai i Arianës, nuk i afrohej babait tim as deri te zogu i këmbës. Kështu kisha konstatuar që nga fillimi, duke qenë goxha e padrejtë ndaj tij. Pa babanë ndihesha tepër e vetmuar, sikur nuk i përkisja familjes së re. Edhe pse e kam të qartë se nëna më ka dashur shumë dhe mundohej që, aq sa kishte mundësi, të ma lehtësonte humbjen e babait, asaj nuk mund t'ia falja faktin që ishte martuar sërish. Këtë e përjetoja sikur ta kishte tradhtuar babanë. E kam të qartë se edhe ndaj saj kam qenë e padrejtë.

 Babanë tënd e kam dashur më së shumti në botë. Më beso, Mirela. Asnjë mashkull kurrë nuk do ta dua në atë mënyrë. Por, më nuk mund të jetoj pa burrë. Jetmiri është njeri i mirë, do të shohësh - më thoshte, duke u arsyetuar pasi që kishte vendosur që të martohej sërish. - Unë nuk kam nevojë për një baba të dytë. Çka më duhet ai - thosha vazhdimisht dhe qaja, pa pasur asnjë mirëkuptim për shpjegimet e saj. Ajo e kishte vështirë për shkak të qëndrimit tim të tillë, por unë vazhdoja me timen. Ajo donte me gjithë shpirt që unë ta pranoja Jetmirin. Kur ata u martuan, unë isha në klasën e shtatë të shkollës fillore. Njerku ishte e kundërta e babait tim, i cili ishte person i qetë. Jetmiri, në anën tjetër, është i zhurmshëm, llomotitës, qeshet me zë të lartë, është vazhdimisht në lëvizje. - Është më mirë që Jetmiri nuk është si babai yt. Kështu, nuk do të kemi nevojë që vazhdimisht t'i krahasojmë ata. Do të shohësh, ai do të të pëlqejë - më ngushëllonte nëna pasi që u martua. Ajo tanimë ishte shtatzënë. Nuk vonoi e më lindi motra nga nëna.

Ariana ia kishte këputur kokën të atit, dinamike dhe e gjallë, derisa unë, mu sikur edhe babai im, isha serioze dhe goxha e tërhequr. Thonë se kundërshtitë tërhiqen, por ne të dyja nuk mund të kishim një raport të mirë. Nuk është se urreheshim, apo grindeshim, por thjesht, nuk mund ta krijonim kontaktin e duhur. Ne e toleronim njëratjetrën. Kaq! Nëna dhe Jetmiri do të donin sikur ne të ishim më të afërta, sikur dy motra të vërteta. (vijon).

(Kosova Sot Online)