Ngjarje e vërtetë: Doja të ndahesha nga i fejuari, për shkak të sëmundjes (4)

  • A.P /
  • 12 December 2021 - 10:12
Ngjarje e vërtetë: Doja të ndahesha nga i fejuari, për shkak të sëmundjes (4)

Mbeta gojëhapur nga habia. Ajo kishte veshur pa turp një pallto me dekolte të thellë, e cila më shumë nxirrte në shesh, sesa që mbulonte. Dorën në zemër, ishim në korrik, bënte vapë e madhe, por çka është tepër, është tepër, mendova duke e kritikuar vetë me vete. Ajo, në ndërkohë, buzëqeshte me gjithë zemër dhe mu hodh në përqafim. Më dukej se me të vërtetë ishte e lumtur që më shihte, prandaj sikur më erdhi turp nga përmbajtja ime. - Mesa shoh, ty po të vjen zheg - nuk munda t'i rezistoja dëshirës për ta thumbuar. - Nuk dukem keq, apo jo? Një djalë, i cili ishte ulur afër meje në avion nuk mund ta ndante shikimin nga unë, gjë që mund të thuhej edhe për babanë e tij - tha ajo duke qeshur nga zemra.

- E di, më duhet të pranoj se këtu ka pak edhe silikon - më tha duke ma bërë me sy. Nuk e kisha të qartë a bënte shaka, apo ishte duke e thënë të vërtetën. Sido që të ishte, këto deklarata nuk i konsideroja serioze. Sapo u ulëm në veturë, fillova që ta kritikoja. - Shpresoj se je duke bërë shaka - i thash, duke e shikuar shtrembër. - Në lidhje me çka? - tha ajo, duke u shtirë kinse nuk kuptonte. - Paj, në lidhje me ata silikonët e marrë. Nuk e ke bërë me të vërtetë një gjë të tillë, apo jo? - E kam bërë mori, pse jo?! A nuk dukem bukur? - tha ajo, duke buzëqeshur me gojën si çorape. Mua nuk më pëlqeu aspak një sjellje e tillë, gjë që ia bëra me dije në një mënyrë paksa të ashpër: - Si nuk të vjen turp të harxhosh para në gjëra të tilla. Hajde, rritu njëherë! Për një moment ajo mbeti pa fjalë. Ishte evidente se kishte mbetur pa fjalë nga reagimi im, por shumë shpejt e mori veten. - A e di, kjo ty as që duhet të të interesojë. Paratë nuk janë tuat, e me veten time dhe me trupin tim mund të bëj çka të dua. Mua kjo më argëton. Mentori nuk ka pasur asgjë kundër, ai mi ka dhënë paratë për intervenim. Nuk ke asnjë të drejtë që të më bësh vërejtje - tha ajo, me një vendosmëri që më habiti. Ajo gjithmonë kishte pasur një vetëbesim të lartë, por prej se jetonte në Gjermani, ajo kishte përparuar edhe më shumë në këtë drejtim. Ndoshta nuk duhej të reagoja në atë mënyrë. Nëse unë nuk jam kënaqur në jetë, kjo nuk d.m.th. se edhe ajo duhet të heqë dorë nga kënaqësia. Edhe asaj i erdhi keq për fjalët e rënda që i tha, prandaj e ndërroi temën me shpejtësi. Nuk folëm shumë për sëmundjen time. Fundja, aty nuk kishte shumë çka për t'u thënë. Atë temë e hapëm mëngjesin e ardhshëm, derisa pinim kafen në kuzhinë. - Si është lidhja jote me Dritonin? - më pyeti ajo. - Nuk ka asgjë nga kjo punë. Më duhet ta harroj - i thash me një zë që më dridhej. - Si mendon "ta harrosh"? Ka gjetur dikë tjetër? - më tha ajo e habitur. - Më trego, të lutem, cili mashkull do ta fillonte vullnetarisht një lidhje me një femër e cila vuan nga skleroza multiple, e cila herë-dokur do të bëhet invalide, duke mbetur në karrocë? - mundohesha që në zërin tim të mos hetohej dëshpërimi dhe zemërimi. Për disa momente ajo më shikoi pa thënë gjë, sikur të ishte duke u menduar se çfarë përgjigje të ma jepte. Më pas e tha një fjali, e cila do të kishte ndikim vendimtar në jetën time të mëtejme. - Dëshiron të thuash se ti nuk do ta doje atë po ta dije se ai vuan nga skleroza multiple, apo nga ndonjë sëmundje tjetër? - më tha duke më shikuar drejt në sy. Kjo më tronditi dhe më dha material për të menduar. Me të vërtetë, unë do të qëndroja me njeriun që e dua, pa marrë parasysh çka mund t'i ndodhte atij, e sidomos në momentet kur ai mund të kishte nevojë për ndihmën time. - Natyrisht se nuk do ta lija, por ne ende nuk jemi çift. Ai, në fakt, kurrë deri më tani nuk më ka thënë se më do - i thash asaj. - E ti, a ia ke thënë këtë ndonjëherë? - Paj, jo në mënyrë direkte - m'u desh që të pranoja. - Çfarë çifti i mrekullueshëm i dashurisë! Është evidente se duheni, por këtë nuk ia thoni njëri-tjetrit. Kur jeni bashkë ju merret goja nga lumturia, apo çka? Që të dyja ia krisëm gazit, me çka u zhduk tendosja midis nesh. Në atë moment ajo më ishte me të vërtetë e afërt. Për herë të parë afër saj u ndjeva me të vërtetë e relaksuar. - E tani do ta thërrasësh menjëherë Dritonin dhe do ta caktosh një takim në qytet, ku do t'ia tregosh të gjitha - më tha me një zë urdhërues. - Nuk vjen në shprehje. Më duhet që të përgatitem për një gjë të tillë - i thashë, duke e refuzuar iniciativën e saj. (vijon)

(Kosova Sot Online)