Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (49)

  • E.K /
  • 16 December 2021 - 15:52
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (49)

Që të gjithë vazhduam që të qëndronim aty, ku fjalët e urrejtjes sikur ende jehonin. "Si mund ta bëje këtë?", tha Hailey me zë të ulët. "Vdekja e babait e kishte shkatërruar atë. Ai ishte i tmerruar nga ideja që t'i e fajësoje atë për vdekjen e tij". Ajo doli jashtë e këtë gjë e bëra edhe unë. Ryan rrinte ulur jashtë, me kutinë e tij të cigareve bimore në dorë, duke e përplasur në mënyrë ritmike për këmbe. "Mirë jam, vajza". Që të dyja u ulëm afër tij, derisa ajri i ftohtë i dimrit na fërkonte fytyrën. Hailey-t iu skuq hunda, derisa Ryan e përqafoi atë, duke tentuar që ta nxehte. Por, asaj nuk i ishte skuqur hunda nga të ftohtët, por nga lotët. Atë natë që të tre ne ndezëm nga një cigare bimore, në shenjë të lëndimeve të kaluara dhe dhembjeve të tanishme.

KAPITULLI 25 Kurrë mos i li anash gjërat logjike. - "Romeo's Quest" Dhjetori erdhi me të reshura të shumta të borës. Ryan dhe Rebecca nuk kishin këmbyer as edhe një fjalë të vetme që nga grindja e tyre e madhe. Kishte javë të tëra që Ryanin e shihnim duke bërë goditje ritmike të kutisë së cigareve në këmbën e vet. Jake kishte organizuar ndejë për sonte, por disi nuk më shkohej fare. Por, do të shkoja për hatër të Ryanit, i cili ishte entuziazmuar shumë me faktin që kishim marrë karta false të identitetit. Përpos kësaj, ai me të vërtetë kishte nevojë për një mbrëmje edhe pse, në aspektin teknik, ai vazhdonte të ishte i ndëshkuar.

Më pas, aty ishte edhe problemi im, i cili ndoshta, krahasuar me problemet e tjera, nuk dukej aq i madh, por i cili në zemrën time ishte gjigant. Më mungonte Danieli. Urreja faktin që ai më mungonte kaq shumë. Ndonjëherë qaja në banjë për të. Qaja edhe për shkak se isha e sigurt që ai nuk ishte duke qarë për mua. Para se të shkoja të takohesha me Haileyn dhe Ryan-in për ndejë, u ndala te biblioteka për t'i kthyer librat, ku mora një tjetër për ta lexuar në ndonjë kënd në shtëpinë e Jake-ut.

Derisa kërkoja cilin libër ta merrja, dëgjova të ma thërrisnin emrin. Ngrita shikimin dhe pash një fytyrë të njohshme e cila më bënte që të qaja edhe më shumë, meqë lidhej me Danielin. "Hej, Randy. Si je?" pëshpërita duke u përkujdesur që të mos i pengoja të tjerët në bibliotekë. Ai u mbështet për raftin e librit, duke rrezikuar që të rrëzoheshin të gjithë ata libra, gjë që më bëri të rrëqethesha. "Mirë jam", tha ai, duke mbajtur raftin me dorë, që të mos rrëzohej. "Jam duke kërkuar material për këngë. Nuk të kam parë kohëve të fundit. A jeni grindur me Danin, a?" "Ne nuk jemi duke u takuar më".

Randy gati gjithmonë dukej i befasuar. "Çka?! Ai nuk më ka treguar që jeni ndarë". Zemra më theri në gjoks. Fjalët e tij më lënduan. "Epo, mirë…" e shikova me urrejtje. Një shije e keqe u zhvillua në gojën time derisa qëndroja me Randyn. Nuk doja që me të, të bisedoja rreth Danielit. Sidomos nuk doja të bisedoja rreth asaj se çka mendonte Daniel për mua. Randy kryqëzoi duart dhe mu afrua. "Më keqkuptove, më duket. Kur Dan është duke vuajtur, ai nuk flet për asgjë. Ai thjesht mbyllet në vetvete. Dhe, qyshkur kanë vdekur prindërit e tij, ti ke qenë gjëja e vetme që ia ka dalë ta dispononte atë... Mos ka kjo të bëjë me çështjen profesorstudent?" Nuk mund të besoja. Si mundet Randy ta dinte këtë?

Unë mendoja që Daniel nuk donte t'i tregonte askujt rreth kësaj. "Nuk ma merr mendja që duhet të bisedojmë për këtë". Për herë të parë qyshkur e takova Randy-n, e shikova atë drejt në sy. Sytë e tij ishin më të errët sesa një shpellë. (vijon)

(Kosova Sot Online)