Sa fort janë krenarë norvegjezet me flamurin kombëtar, identitetin, historinë dhe kulturën e tyre

Sa fort janë krenarë norvegjezet me flamurin kombëtar, identitetin, historinë dhe kulturën e tyre
Sa fort janë krenarë norvegjezet me flamurin kombëtar, identitetin, historinë dhe kulturën e tyre

Gezim Mekuli

  • 18 May 2026 - 07:43

Sa fort janë krenarë norvegjezet me flamurin kombëtar, identitetin, historinë dhe kulturën e tyre. #Shqiptarët duhet të mësojnë shumë nga ky komb

Nga Gëzim Mekuli, Oslo

17 Maji, Dita e Kushtetutës së Norvegjisë, njihet sot si një nga festat kombëtare më të çmuara, më të pasura dhe (ndoshta) më të gëzueshme në botë. Por, nëse gërvishim pak sipërfaqen e paradave me flamuj dhe kostumeve të shtrenjta tradicionale (bunad), zbulojmë një histori magjepsëse ku gërshetohen varfëria ekstreme, lojërat politike, lufta për pavarësi dhe roli kyç i gruas që shpesh harrohet.

 

Ja disa fakte dhe këndvështrime interesante që ndoshta nuk i dinit për këtë ditë:

 

1. Pavarësia që dështoi (për t'u kthyer në fitore)

Më 17 Maj 1814, në Eidsvoll, Norvegjia nënshkroi Kushtetutën e saj dhe shpalli pavarësinë nga #Danimarka, duke zgjedhur mbretin e saj. Por, ky gëzim zgjati vetëm pak javë. Suedia fqinje pushtoi Norvegjinë dhe e detyroi atë të hynte në një union nën mbretin suedez.

 

Pse vazhdoi të festohej 17 Maji? Sepse u kthye në një akt rebelimi politik. Mbreti suedez, Karl Johan, madje e ndaloi festimin e kësaj dite në vitin 1828, sepse e shihte si protestë kundër pushtetit të tij. Norvegjezët vazhduan ta festonin fshehurazi derisa, në vitin 1905, morën pavarësinë e plotë. 17 Maji nuk lindi si festë me akullore, por si një protestë kokëfortë politike.

 

2. Dashuria e jashtëzakonshme për #flamurinkombëtar

Gjatë kësaj feste, por edhe në përditshmëri, ajo që të bie në sy menjëherë është lidhja e jashtëzakonshme shpirtërore që norvegjezët kanë me simbolin e tyre kombëtar. Flamuri norvegjez vendoset me krenari të papërshkrueshme nga norvegjezët në çdo oborr, dritare dhe rrugë të vendit, duke e kthyer tërë peizazhin në një det kuqebardh e kaltër.

 

Është e pamundur të mos mbushesh me respekt kur sheh se sa fort e duan norvegjezët flamurin e tyre. Për ta, ai nuk është thjesht një copë pëlhure apo një simbol shtetëror zyrtar, por një shenjë e gjallë e lirisë së fituar me mundin, e unitetit dhe e paqes. Çdo shtëpi, çdo oborr nga qytetet e mëdha e deri te katundet dhe fermat më të largëta në male, zbukurohet me flamurin që valvitet lart, si një dëshmi e një krenarie të thellë e të pastër kombëtare që kalohet brez pas brezi.

 

3. Nga shtëpia e varfër e Evropës te shteti i mirëqenies

 

Sot Norvegjia është një nga shtetet më të pasura në botë, por në shekullin e 19-të dhe fillimin e shekullit të 20-të, realiteti ishte krejt tjetër. Norvegjia vuante nga varfëria e skajshme, uria, morrat, kolera dhe mungesa e resurseve. Aq e rëndë ishte situata, saqë gati 1 milion norvegjezë emigruan drejt Amerikës për të shpëtuar nga varfëria (shifër masive për një popullsi aq të vogël).

 

Kur filluan paradat e fëmijëve në vitet 1870 (një ide e shkrimtarit Bjørnstjerne Bjørnson për të shmangur paradat ushtarake agresive), shumë fëmijë parakalonin zbathur ose me këpucë të çkyera. Fakti që sot 17Maji festohet me kaq bollëk është një fitore i e vetëdijshme mbi një të kaluar të varfër e të vështirë.

 

4. Gruaja: Arkitektja e padukshme e festës

Kushtetuta e vitit 1814 ishte ekskluzivisht një punë burrash; gratë nuk kishin as të drejtë vote (të cilën e fituan në 1913) dhe as ndikim politik zyrtar. Megjithatë, pa gruan norvegjeze, 17 Maji nuk do të ishte ky që është sot.

 

Ruajtja e identitetit përmes Bunad-it: Në fund të shekullit të 19-të, kur Norvegjia po kërkonte shkëputjen nga Suedia, lindi një lëvizje e fortë nacional-romantike. Ishin gratë ato që mblodhën, dizajnuan dhe qepën kostumet tradicionale (bunad), duke i kthyer ato në simbolin më të fuqishëm të rezistencës kulturore. Sot, një bunad kushton mijëra euro dhe vishet me krenari të madhe nga gratë dhe burrat.

 

Parada e parë e vajzave (1889): Për gati dy dekada, në paradat e fëmijëve lejoheshin vetëm djemtë. Ishte shkolla e vajzave e drejtuar nga aktivistja Ragna Nielsen që sfidoi rregullat në vitin 1889, duke marshuar për herë të parë me vajza në rrugët e Christiania-s (#Oslos së sotme). Ky ishte një deklarim i fuqishëm politik për barazi gjinore.

 

Një paradoks interesant: Kushtetuta që festohet më 17 Maj konsiderohej një nga më radikalet dhe më liberalet në Evropë për kohën e saj (viti 1814). Megjithatë, ajo kishte një neni racist (Nenin 2) që ndalonte rreptësisht hyrjen e hebrenjve në mbretëri. U deshën dekada luftë politike, e udhëhequr nga poeti Henrik Wergeland, që ky nen i errët të hiqej në vitin 1851.

 

Por sot, në rrugët e Oslos, përkrah flamurit norvegjez valvitet edhe ai i pakicës autoktone Laponike (Sámi), si dhe shihen njerëz të kulturave të ndryshme, përfshirë pakicën historike ruse në veri.

Megjithatë, ka një dallim të madh filozofik dhe politik se si Norvegjia dhe Kosova e trajtojnë këtë diversitet.

 

Norvegjia: Shumëkulturore (Multikulturore)

 

Norvegjia e përkufizon veten si shoqëri shumëkulturore, jo shumëetnike. Pse? Sepse fokusi është te integrimi dhe bashkëjetesa rreth një ombrellë të përbashkët kushtetuese.

 

Kur bëhet fjalë për pakicën sllave (si rusët në veri) apo popullsinë autoktone Sami (Laponët), Norvegjia mbron dhe financon gjuhën, artin, dhe traditat e tyre. Ata nuk shihen si "kuota numrash" në #kuvend që bllokojnë shtetin, por si pasuri kulturore që pasurojnë kombin. Sistemi norvegjez promovon idenë se mund të jesh lapon, rus, apo emigrant, por para ligjit dhe shtetit je barabar norvegjez. Kultura i bashkon, nuk i ndan.

 

Paradoksi i Kosovës: Pse "shumëetnike" është kurth politik?

 

Ndryshe nga Norvegjia, Kosova me Kushtetutën e saj (e diktuar nga pakoja e Ahtisaarit) quhet me ngulm shtet "shumëetnik". Ky është një gabim i madh trashanik i sistemit tonë politik, i cili në fakt duhet të quhej shumëkulturor.

 

Politizimi i gjakut, jo i kulturës: Sistemi politik në Kosovë ka dështuar sepse i ka dhënë rëndësi "etnisë" si kartë politike e pushteti, e jo kulturës. Duke krijuar vende të rezervuara dhe të drejta bllokuese në Kuvend mbi baza thjesht etnike, Kosova ka legalizuar ndarjen e përhershme. Pakicat në Kosovë përdoren si instrumente politike ( të ndikuara nga Beogradi i moçëm), sepse sistemi i vlerëson ata për nga numri dhe përkatësia biologjike-etnike, e jo për vlerat kulturore që sjellin.

 

Pse Kosova duhet të quhet shumëkulturore si Norvegjia? Nëse Kosova do të vetëquhej shumëkulturore (si Norvegjia), fokusi do të zhvendosej te trashëgimia, bashkëjetesa, arti dhe gjuha. Shqiptarët, serbët, turqit, romët e goranët do të jetonin në një shtet ku ligji është një për të gjithë, dhe ku kultura e secilit respektohet pa pasur nevojë që etnia të kthehet në mjet shantazhi për institucionet.

 

Nëse Norvegjia do të kishte sistemin politik të Kosovës, sot në 17 Maj pakica Laponike apo ajo Ruse do të kishin të drejtën e vetos për të bllokuar buxhetin e shtetit. 

 

Në vend të kësaj, Norvegjia zgjodhi t'u bëjë vend kulturave të tyre në festë, duke e mbajtur shtetin unik dhe funksional. Kosova ka mbetur peng e "shumëetnisë" si ndarje, në vend që të përqafojë "shumëkulturën" si pasuri.

 

Sot, 17 Maji nuk është thjesht një ditë pavarësie, por një reflektim se si një vend i varfër, i shtypur dhe i pabarabartë, arriti të ndërtonte një nga shoqëritë më të lira, më të barabarta dhe më të zhvilluara në planet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".