Ngjarje e vërtetë: Më nuk mund ta duroja vetminë (6)

  • E.K /
  • 08 January 2022 - 15:52
Ngjarje e vërtetë: Më nuk mund ta duroja vetminë (6)

Duke u kthyer në shtëpi, isha më e pikëlluar sesa ndonjëherë më parë. Edhe pse e lodhur nga rruga, gjatë tërë natës nuk arrita të shtija gjumë në sy. Para syve vazhdimisht më dilte fytyra e qeshur e Danit, sytë e tij të mrekullueshëm, të kaltër, përqafimet e tij, puthjet... Të nesërmen në mëngjes dukesha më keq sesa ndonjëherë më parë. Nëna vërejti mërzinë time dhe mundohej që të më ngushëllonte si dinte dhe si mundte. - Shpirt, të lutem mos ji kaq e mërzitur.

Kthjellu, gjithçka do të vijë në vendin e vet. Nesër është ditë e re! - Ditë e re, për çka? Nuk dua ta pres të nesërmen, nëse në të nuk është Dani - thashë duke ia krisur vajit. - Shhht! Qetësohu! E di se tani e ke vështirë, por më beso, jeta vazhdon, me apo pa Danin - më tha ajo, duke mi rrahur supet. - Por, nënë, si nuk kupton?! E dua, por nuk mund të jem me të! - sa s'bërtita. - Oj bijë, nuk kuptoj ku qëndron problemi - më tha nëna me zë të qetë. - Si ku qëndron problemi? Ai atje, e unë këtu. Ai duke u mbytur nga puna, e unë në fakultet. A nuk të duket ky një problem në vetvete? - e pyeta e shqetësuar.

Nuk mundem më ta duroj këtë ndarje. O Zot, pse nuk mund të jemi vazhdimisht bashkë? - thashë dhe ia krisa vajit. - Nëse kjo është arsyeja e vetme e mërzisë tënde, atëherë përgjigjen mund ta gjesh te Dani, çka mendon? - më pyeti nëna, duke ma bërë me sy. - Nuk e kam idenë se çka po thua - i thash. - Lehtë është! E thërret dhe e pyet se çka mendon rreth jetës së përbashkët. Për gjithçka tjetër mjafton një organizim i mirë. Nëse edhe ai të do, sikur që shoh se ti e do atë, atëherë ai do ta pres me gëzim këtë propozim.

Në të kundërtën, të paktën do ta dish ku qëndron dhe nuk do të vuash si një kafshë e plagosur për dikë që nuk e meriton këtë. Hajde, çikë! A duhet të ta vizatoj? - më pyeti, derisa unë e shikoja pa thënë gjë. Mu në atë moment cingëroi telefoni. Isha tepër e lumtur kur pash se ishte Dani ai që më thërriste. Dola nga kuzhina me vrap, në mënyrë që të bisedonim më rehat. - Hej, vogëlushe, çka ka? - më pyeti ai pa më përshëndetur. - Sa mirë që më thirre. Duhet të bisedojmë - thash, duke u munduar që të mos më dridhej zëri. - Të dua shumë dhe më mungon pa masë. Mendoj se një lidhje e këtillë më nuk ka kuptim. Në fakt, çka mendon për jetë të përbashkët? 

Më vjen keq që edhe unë më duhet të ta them këtë, por edhe mua më duket se një lidhje e këtillë nuk ka kuptim. Për fat të keq, unë nuk jam për ndonjë bashkëjetesë - këtë pjesën e fundit mezi e dëgjova, nga dhembja e cila filloi të më shponte. - Atëherë, lamtumirë - i thashë dhe e mbylla telefonin. E dija se kjo nuk ishte arsyeja. Dhe, isha e sigurt se i dija arsyet e vërteta të ndarjes. Ai ndihej keq meqë nuk mund të ndryshonte asgjë në lidhje me punën e tij, qytetin e lindjes dhe faktin se nuk mund të mi ofronte të gjitha komoditetet, me të cilat unë isha rritur dhe mësuar. Kurrë nuk i kisha treguar se kisha hetuar pasigurinë e tij, meqë nuk doja që ai të mendonte sesi e gjykoja, aq më keq, se ndjeja keqardhje për të.

E kam dashur me të vërtetë, prandaj më vjen keq që u ndamë. Ndoshta do ta kisha më lehtë sikur ta dija se ai më la për një femër tjetër, apo thjesht, për shkak se u zhduk dashuria e tij ndaj meje. Kështu, dhembja ishte e dyfishtë. Tani, kur kanë kaluar disa vjet, çdo gjë është prapa meje. Jam një grua e lumtur dhe kam dy fëmijë. Kjo ka bërë që mërzia të largohet tërësisht nga jeta ime. Por, herë pas here nuk mundem e të mos e pyes veten athua, sikur të ishim munduar më shumë, a do të mund të ishim ende bashkë? FUND.

NGA NESËR MUND TA LEXONI NJË TREGIM TJETËR, TË BAZUAR NË NGJARJE TË VËRTETË:

"ME ÇDO KUSHT DO TË MBETEM DASHNORJA E TIJ"

(Kosova Sot Online)