Ngjarje e vërtetë: Më nuk mund ta duroja vetminë (7)

  • A.P /
  • 09 January 2022 - 10:20
Ngjarje e vërtetë: Më nuk mund ta duroja vetminë (7)

Lirak! Zgjohu! - e tunda fuqishëm njeriun i cili ishte duke fjetur përskaj meje. Ai lëvizi, duke u shtrirë, por ende duke vazhduar të flinte. E shikova. Kishte 45 vjet. Ishte shumë më i moshuar sesa unë, mund të isha vajza e tij, por kjo mua nuk më pengonte. Çfarë rëndësie ka mosha në dashuri? Kurrfarë! Mosha është vetëm një pengesë që kalohet lehtë. Ai ishte mashkulli të cilin e adhuroja, edhe pse, për shumë të tjerë, kjo ishte e pakuptueshme. Ai ishte e kundërta ime. Unë isha fidake dhe e gjatë, kisha një fytyrë të bukur dhe një trup të përkryer, gjë që edhe ma kishte përcaktuar fatin. Qysh si vajzë e vogël kisha filluar të merresha me manekinizëm, por dy vjet më parë e lashë atë profesion, pas insistimit të Lirakut. Vazhdoja që ta shikoja. Kishte një fytyrë me bukuri mesatare, edhe pse shumë do të thoshin se ishte i shëmtuar, por ata nuk shihnin atë që shihja unë. Në asgjë nuk ishim të barabartë, ai ishte më i shkurtër sesa unë, por përkundër të gjitha këtyre, unë isha marrëzisht e dashuruar në të. Ende nuk mund ta kuptoja çka më kishte joshur aq shumë tek ai. E dija vetëm një gjë, çdo ditë e doja më shumë e më shumë dhe asnjë bukurosh nuk do të mund ta zëvendësonte atë. Ai mi hapi dyert e ëndrrave dhe me të lundrova nëpër hapësira të paparamenduara. Ofshava, e më pas përsëri e thirra atë. - Duhet të shkosh! I ke premtuar gruar! U shtri përsëri, e më pas i hapi sytë, ata sy të zi dhe të ngrohtë. Qerpikët e gjatë i jepnin shikimit të tij një shprehje të çuditshme, misterioze. U zgjua disi me përtesë, e më pas shkoi të bënte dush. Me shikim e përcolla trupin e tij lakuriq, e më pas u ngrita edhe vetë. Momentet e këtilla më lëndonin pa masë. Kur fillova lidhjen me të, as që më kishte shkuar mendja se do të lidhesha kaq shumë emocionalisht me të. Ai më ishte i nevojshëm sikur ajri të cilin e thithja dhe, çdo moment i kaluar pa të, më dukej si një përjetësi e vërtetë. - Gati jam - tha me gëzim dhe u nis kah unë. - Kam harruar të të jap diçka. Shpresoj se do të të gëzoj - më tha duke buzëqeshur në mënyrë të mistershme. Provova t'i buzëqeshja edhe unë, por nuk munda. - Nuk mundesh me dhurata të ma zëvendësosh dashurinë - i thashë me një zë më të ftohtë sesa që kisha ndërmend. - As që e dua këtë - më tha ai i habitur. - Me anë të dhuratave vetëm dua të të tregoj se sa të dua. - Nuk e di. Ndihem si kurvë. Me para mi paguan shërbimet që t'i ofroj.

Për mua, paratë nuk janë ama bash asgjë, edhe pse dikur mendoja krejt ndryshe. Bindjet e mia kanë ndryshuar. Gjatë këtyre tre vjetëve, sa jam me ty, kuptova cilat janë vlerat e vërteta. Të dua, por nuk mund të të dua ashtu si do të doja. Më duhet të të ndaj me dikë tjetër. Unë të dua të tërin, edhe pse e di se kjo nuk është e mundur - derisa flisja, shikoja në një pikë të pacaktuar. Nuk e di pse, por vetëm sonte kuptova që, çdo largim i Lirakut më prek gjithnjë e më shumë. Ai ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë. Fëmija për të ishin gjithçka. Haku i tyre nuk kishte pranuar që të ndahej nga gruaja. Kurrë nuk më kishte thënë saktësisht se çka ndiente ndaj gruas së tij, e as unë nuk e kisha pyetur kurrë. Rreth saj dija aq pak, e vetë fakti që ai nuk kërkonte shkurorëzim nga ajo, fliste mjaft. - Sofije, mos ëndërro! T'i kam ofruar të gjitha, gjëra të cilat asnjë femre nuk ia kam dhënë. Eja - më çonte në drejtim të kuzhinës. - Këtë pata ndërmend të ta jepja menjëherë, por aq shumë më kishte marrë malli për ty, sa që harrova. - Mbylli sytë! Bëra si më tha. Dëgjova zhurmën e letrës, e më pas një prekje të ftohtë, metalike, në dorë. I hapa sytë. Pashë disa çelësa, por nuk e dija të kujt ishin. (vijon)


(Kosova Sot Online)