Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (71)

  • E.K /
  • 12 January 2022 - 15:49
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (71)

Goja m'u ter dhe u kollita. "Çka?" "Ti ishe duke u puthur me z. Daniels". Ai e tha këtë si fakt, por unë e paskam dëgjuar si pyetje. E shikoja me vëmendje derisa ai ishte nisur drejt daljes, kah Danieli, i cili ishte duke pritur taksinë. Mund ta ndjeja të vjellit që më ngjitej fytit. Duke qeshur me nervozizëm, e mora valixhen time. Ndihesha shumë keq. "Më duhet që të takohem me Henryn…", pëshpërita. E bëmë punën mut! I kishim dhënë vetes liri të tepërt. E hëngrëm! Dëgjova se prapa meje vinte dikush. "Ashlyn! Dëgjo, ti je vajzë e mençur. Por, të lidhesh me profesorin tënd... - Jake nuk pushonte së dërdëllituri. Instinktivisht e ngrita dorën dhe ia mbylla gojën. "Hesht, Jake! Hesht"! Më vinte të qaja, po, po, të qaja.

"Oh, Zot, qenka e vërtetë, pra", tha ai, duke u tërhequr prapa. "Ai qenka "ai"? O, Zot! Ashlyn!" Ai nuk mund të ndalej. Shikova drejt daljes dhe pash kamionin e Henryt të parkuar para stacionit. Mundohesha me tërë fuqinë që të mos dorëzohesha para panikut. I tërë trupi më dridhej, e sidomos duart. "Mos thuaj asgjë…" pëshpërita. Jake më shikoi me mosbesim. Unë u largova, pa i kthyer më sytë kah ai. Por, sikur ndjeja shikimin e tij i cili ende më përcillte. Ai me gjasë më gjykonte, me gjasë e kishte humbur tërë respektin ndaj meje, meqë kishte shpresuar se, një ditë, edhe unë mund ta doja atë.

KAPITULLI 39

Nuk kam frikë të të humb. Më shumë kam frikë se do ta humbas vetveten! Mos më detyro të zgjedh! Meqë, do të të zgjedh ty. "Romeo's Quest" Ora e parë e kimisë ishte ajo nga çka kisha frikë ditën e parë pasi u ktheva në shkollë. Nuk doja që të gjendesha sy më sy me Jake-un. Nuk doja ta shihja duke më shikuar me zhgënjim. Sapo hyra në klasë, dëgjova dikë duke pëshpëritur. Nuk isha e sigurt a kishte kjo të bënte me faktin që kishte vdekur Ryan, apo për çka. Jake ishte ulur në ulësen tonë në laborator dhe kur më pa mua, unë i buzëqesha lehtazi. Edhe buzët e tij bënë një gjysmë buzëqeshjeje, por kjo më mjaftoi për momentin. "Tung", i thashë, duke u ulur. "Tung, Ashlyn", ma ktheu ai, duke theksuar emrin tim. "Më kaploi paniku kur pashë... atë që pashë. Por, tani të kuptoj tërësisht".

Zemra ime filloi të rrihte me fuqi "Njëmend"? "Natyrisht, Ash. Një herë të vdiq motra, më pas vëllai. Ishe një cak i lehtë për zuzarin". "Nuk është zuzar ai", thashë, duke parë se Jake e kishte keqkuptuar situatën. Ai ma kapi dorën dhe ma mbajti ashtu. Doja që ta tërhiqja dorën time, por nuk e bëra këtë. Jake nuk e dinte historinë time dhe të Danielit, prandaj nuk mund të prisja nga ai që të kuptonte. "Por, do ta bëj që të pendohet që të ka shfrytëzuar", pëshpëriti ai me një zë të vrazhdët. "Do t'i bjerë pishman që ka lindur"! "Jake! Jo, të lutem. Ti nuk kupton". Ai nuk m'u përgjigj. Si dukej, tanimë kishte vendosur çka të bënte. Dhe, më pas pashë atë që bëri ai. Jeta ime përsëri u bë copë e grimë. Isha duke ecur korridorit pas orës së kimisë. Doja ta kisha aftësinë e Harry Potterit, që të bëhesha e padukshme. Hailey ende nuk ishte kthyer në shkollë, por e kuptoja në tërësi. (vijon)

(Kosova Sot Online)