Ngjarje e vërtetë: Dashuria e varrosur në borë (5)

  • E.K /
  • 25 January 2022 - 15:53
Ngjarje e vërtetë: Dashuria e varrosur në borë (5)

- E dashura Lirie, ti je gjëja më e mirë që më ka ndodhur në jetë. Kurrë nuk kam qenë baba i mirë por t'i gjithmonë ke qenë një fëmijë i mrekullueshëm. Jam shumë krenar me ty, me sukseset tua. Më fal që nuk kam ditur që jem baba- thashë. -Baba, çfarë ke sot? Çfarë janë këto shprehje të emocioneve? Gjithmonë të kam dashtë dhe gjithmonë do të të dua. Ne jemi familje, ia falim gabimet njëritjetrit. Ke bërë atë që të dukur se është e duhur. Askush nuk është i përkryer. Do të befasoheshe po të filloja t'i numëroja gabimet që i kam bërë unë- tha ajo dhe nunë menjëherë ndjeva një dhimbje në zemër. Menjëherë në kokë më qarkulluan mendime të errëta e të tmerrshme.

Lirie, më trego për çfarë e ke fjalën? Çfarë gabimesh ke bërë? A mund të të ndihmoj? E bija vetëm qeshte sikur një vajzë e vogël e sinqertë. -Mos u brengos, nuk kanë qenë gjëra të mëdha që është dashur që t'i dish, nuk kam bërë ndonjë gjë drastike, nuk ke nevojë që të frikohesh. Buzëqeshja dhe fjalët e saj më qetësuan. Liria gjithmonë ka qenë e sinqertë, e ndershme dhe nuk kisha asnjë arsye që të dyshoj në gjithçka që më tha. Përsëri e përqafova dhe i thashë se gjithmonë do të jem i gatshëm që t'i ndihmoj, dhe se lirisht mund të më drejtohet pa marrë parasysh se çfarë problemi të ketë, si të punës, financave apo dashurisë. -Baba, do të bisedoje me mua për dashurinë, e kurrë nuk më ke treguar si je njoftuar me Dianënmë tha. -Nuk të kam treguar?

Me të vërtetë nuk e di si jemi njoftuar? - e pyeta i habitur me faktin se nuk e dinte këtë ngjarje. -Jo, asnjëri nuk më keni treguar dhe sinqerisht jam kureshtare ta di se si jeni njoftuar - më tha. - Nëse ke kohë, kthehu brenda. Diana me gjithë dëshirë do të të tregojë se si jemi njoftuar- i thashë të bijës sime. Ajo e shikoi orën, e më pas u zbath dhe e vari pallton në varëse. Ishte më shumë sesa vetëm kureshtare. Dy vite pas martesës me Meritën u njoftova me Sanijen. Ishte bukuroshe e vërtetë, një femër joshëse që gjithmonë dëshironte që të jetë në qendër të vëmendjes. Më bëri lehtë për vete, më nënshtroi lehtë, më bindi lehtë që të lidhem sërish.

I kisha harruar martesat e dështuara, shkëlqimin e rremë, me të cilin shpesh e zëvendësojmë dashurinë. U bëra një marionetë. Për shkak të dëshirës së madhe për puthjet dhe trupin e saj bëja gjithçka që dëshironte. U bëra një shërbëtor që vetëm priste urdhrat e saj. Dy vite kam jetuar si të isha i verbër. Miqtë më thoshin se po e shohin Sanijen në hotele të ndryshme me meshkuj të ndryshëm por nuk u besoja. Mendoja se ato ishin trillime të njerëzve xhelozë, të cilët për një natë me gruan time do ta jepnin tërë botën. Ishte e vërtetë që ajo shpesh nuk ishte në shtëpi. Gjithmonë dilte e rregulluar mirë, gjithmonë në shtëpi kthehej me gjëra të shtrenjta. Kurrë nuk punonte, e as nuk më kërkonte para. Kuletën e kishte gjithmonë të mbushur me karta të bankës dhe me para. Pasi që miqtë gjithnjë e më shpesh më flisnin kundër saj, unë fillova ta pyes se ku po i merrte ato para.

Kur ia bëra këtë pyetje ajo ma dha një përgjigje të cilën nuk e prita. -A të kam kërkuar ndonjëherë para? Jo, e as që do të të kërkoj. E kam llogarinë time, paratë e mia me të cilat i financoj nevojat e mia. Në vend se të jesh mirënjohës që nuk të kërkoj ndonjë gjë, ti guxon që të ankohesh. Me të vërtetë nuk të kuptoj. Më thuaj haptas se cili është problemi yt konkret. - Problemi im është se paguan ndihmëse shtëpiake, blen gjëra të shtrenjta, e unë nuk e di cili është burimi i atyre parave. Mendoj se nuk është jo logjike që të pres që si bashkëshorte të ma sqarosh një gjë të tillë- i thashë. (vijon)

(Kosova Sot Online)