Ngjarje e vërtetë: Si u dashurova në gruan e shokut më të ngushtë? (5)

  • E.K /
  • 01 February 2022 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Si u dashurova në gruan e shokut më të ngushtë? (5)

Nuk mund ta harroja. Ditët kalonin. Ariani më thirri për të më thënë se kishte kaluar për mrekulli dhe se mezi pret që të dalim përsëri. Natyrisht, javën e ardhshme përsëri sajoi një arsye tjetër që, me ndërgjegje të pastër, që të dilte me ne. Atë mbrëmje përfundoi me një bukuroshe të re, të cilën e njohu rastësisht, të gjatë, një zeshkane sfiduese, tërësisht të ndryshme nga Ganja. E pyetja veten a kishte mundësi që mikun tim të mos e brente aspak ndërgjegjja. Ai ishte aq i aq i preokupuar me kompensimin e asaj që i kishte humbur, saqë nuk vërente dhembjen që ia shkaktonte gruas.

Nuk i thashë asgjë rreth kësaj, edhe pse nuk e miratoja sjelljen e tij të shfrenuar. Unë nuk kisha të drejtë t'i bëja asnjë vërejtje. Nja dhjetë ditë më pas, rastësisht takova Ganen në vetëshërbim. Edhe ajo, sikurse unë, pas pune kishte dalë për të blerë. Zemra filloi të më rrihte më shumë sapo e pashë. Ajo ishte ndalur para raftit me keksë dhe ishte zhytur në mendime. Ishte e zbehtë dhe e dobët. Iu afrova dhe e përshëndeta. Kur më pa, u dridh dhe sikur u frikësua. - Më fal nëse të frikësova - i thashë, edhe vetë i befasuar.

 Jo, nuk më frikësove - m'u përgjigj me një refuzim evident. - Më fal, por jam për ngut … Ishte e qartë se nuk i pëlqente prania ime. Nuk dija si të sillesha. Por, në anën tjetër, Ganja nuk dinte si qëndronin punët në tërësi, e as unë nuk mund ta tradhtoja mikun, edhe pse ai, në anën tjetër, këtë e meritonte tërësisht. Nuk mund ta duroja idenë që gruaja e tij mund të më konsideronte mua përgjegjës për sjelljen e tij. Menjëherë e kisha të qartë se asaj nuk i ngutej, se ky ishte vetëm një arsyetim i tejdukshëm, meqë më pak e pashë sesi me qetësi joreale përzgjidhte akulloret.

Do të doja, të paktën, që të isha mik i saj, mendova edhe pse edhe unë isha paksa fajtor për atë që kishte ndodhur. M'u kujtua se sa e lumtur ishte ajo ditën e martesës së saj, m'u kujtua shikimi i saj shkëlqyes dhe buzëqeshja rrezatuese. Gjatë pjesës tjetër të ditës vazhdova që të mendoja vetëm rreth saj dhe vendosa që, qysh atë ditë, të bisedoj me Arianin, me të cilin do të takohesha në kafenenë tonë. - E takova Ganën në vetëshërbim - i thashë, gati me zemërim. Ai i rrudhi supet. - Po, edhe? A të pyeti ndonjë gjë? - Jo, por dukej tepër e dëshpëruar. Dhe, nuk i erdhi mirë që më pa. Ishte evidente se më konsideronte fajtorin kryesor.

Më shikoi gati me përqeshje. - A të shqetëson kjo, a? - Në njëfarë mënyre po. Më konsideron fajtor për diçka që nuk jam, Arian, - Më fal, por nuk kuptoj pse të shqetëson kjo? - Dëgjo, a nuk të duket se je duke e tepruar paksa me këto daljet? - Oh, kush ma thotë këtë! Shikoje njëherë veten, Mal. - E di, e di. Kjo nuk është punë për mua. Por, të kam shok dhe, do të më vinte keq po të të shkatërrohej martesa. Ganja është një femër e bukur dhe simpatike. Nuk e meriton një sjellje të tillë. - Njëmend? A nuk ishe ti ai që më thoshe se ajo nuk ishte interesante, kur unë fillova të dilja me të? A mund ta di çka ndryshoi ndërkohë? - Paj, unë… - A je i vetëdijshëm se tani më vjen keq që nuk të kam dëgjuar atëherë? Ti do të duhej të ishe i kënaqur. - Por, nuk jam. Dallimi qëndron te fakti që unë jam beqar, por jam më i matur se ti… - Më i matur?! Hajde, mos e tepro… - Mendoj se ti do të duhej ta kishe një respekt më të madh ndaj gruas tënde. Kaq! - Ohoho! Kah ky moral i rremë, tani? Bash interesant! Kur arrite të përmirësoheshe kështu? - Mos më fol me qesëndi! Me këtë nuk do të arrish asgjë. (vijon)

(Kosova Sot Online)