Roman dashurie: Mbrojtësi (18)

  • E.K /
  • 10 February 2022 - 15:53
Roman dashurie: Mbrojtësi (18)

KAPITULLI 15

Për shkak të insistimit të Ganes, Valdetja e ftoi Drenin për darkë. Ai pranoi me gjithë qejf dhe erdhi saktësisht në orën nëntë. Ganja rrallëherë gatuante, por atë mbrëmje gjithçka kishte përgatitur vetë, duke refuzuar edhe ndihmën më të vogël të motrës së saj. Gjysmë ore para arritjes së Drenit, Valdetja tha se Ganja ishte duke u munduar tepër rreth dekorimit të sallatës. - Kurrë deri më tani nuk të kam parë që të mundohesh kaq shumë për të bërë përshtypje të mirë. Të paktën, jo kur flitet për kuzhinën. - Më pëlqen ai djalë, kjo është e tëra. - Dëgjo, Gane! Më duhet të të tregoj diçka rreth Drenit. Ganja u ndal dhe u bë kureshtare. - Më trego. Nuk ka ndonjë të dashur tjetër, apo jo?! - Jo. Por, ka pasur. Dhe, ajo e ka lënduar së tepërmi.

Dreni nuk dëshiron që të lidhet, meqë nuk mund të ketë besim të mjaftueshëm te njerëzit. E, unë të njoh ty. Ti je më shumë për argëtim, për aventura kalimtare, ti i ke ndjenjat si fluturimet - në qiell je për pak kohë, e më pas aterron dhe futesh në një avion tjetër, duke shkuar në drejtim të kundërt. - Sa mirë e the këtë! Por, nuk shoh ndonjë mashkull të ketë diçka kundër aventurës. Vetë the që Dreni nuk është nga ata që lidhet, prandaj besoj se "fluturimi" im do t'i bëjë mirë. - Nuk je duke kuptuar. Nuk do të doja që ta lëndoje në cilëndo mënyrë të mundshme. Ganja buzëqeshi. - Ti më shumë mërzitesh për të, sesa për mua?

E, çka nëse ai më lëndon mua? - Nuk do të të lëndojë. - Si e di? - Nuk është i tillë. Vetëm të lutem që të mos e joshësh tepër, të mos shkosh deri aty, sa që ai të mendojë sesi je krijuar për lidhje, nëse këtë nuk e ke në kokë. - Do ta josh sikur asnjëherë më parë. As më pak, e as më shumë. - Fillove të sillesh çuditshëm, aktron shtëpiaken, e këtë deri tani askujt nuk ia ke demonstruar. Ganja nuk u përgjigj. Shqetësimi i Valdetes u forcua pasi erdhi Dreni. Motra e saj më e madhe nuk përmendi aventurat e saj në vende të huaja, e as nuk përmendi thashetheme rreth pilotëve.

Bile, ajo fliste rreth punës së saj sikur për një punë të mërzitshme. Ishte evidente se ajo prezantohej ndryshe nga që ishte. Valdetja pyetej se a i besonte Dreni. Në fytyrën e tij gjatë tërë mbrëmjes rrinte një buzëqeshje. Ai sillej njëson ndaj dy motrave, por nuk fliste shumë për veten e vet. Përpjekjet e Ganes për të marrë vesh ndonjë gjë rreth jetës së dashurisë së këtij mashkulli mbetën pa sukses. Valdetja ra për të fjetur më herët, duke ditur se këtë Ganja e priste nga ajo. Edhe pse pa qejf, ajo i la vetëm, e vetëdijshme se nuk guxonte të rrezikonte atë gjë të çuditshme që ishte duke u zhvilluar midis mikut të saj jo të rëndomtë dhe motrës së saj më të madhe.

Përpiqej që, nga dhoma e vet, ta përgjonte bisedën e tyre, por ata flisnin tepër me zë të ulët. Në fund e mori gjumi, duke pranuar se Ganja kishte më shumë gjasa sesa ajo për ta bërë Drenin për vete. Ai iu pëlqente të dyjave, por Valdetja kredinë e saj e kishte vënë në pah që në fillim, me faktin se hyri në taksinë e tij me fustan të shqyer, drejt nga shtëpia e Ylberit. Kjo ishte mjaft që të pajtohej me faktin që ajo as nuk guxon të mendojë për ta bërë për vete. (vijon)

(Kosova Sot Online)