Ngjarje e vërtetë: Nuk dua ta rris fëmijën e tij jashtëmartesor (6)

  • E. /
  • 25 February 2022 - 15:54
Ngjarje e vërtetë: Nuk dua ta rris fëmijën e tij jashtëmartesor (6)

Nëse edhe kisha ndier ndonjë brejtje të ndërgjegjes dhe me të gjitha fuqitë mundohesha që ta kundërshtoja lidhjes me të, aq sa ishte e mundur. Por, tani nuk kisha arsye për ndjenja të tilla. Edhe pse e doja, një pjesë e imja vazhdonte që t'i takonte Malit. Assesi nuk mund të çlirohesha nga dashuria që e ndjeja ndaj tij. Tani edhe kësaj pune i kishte ardhur fundi. Nëse është e vërtetë ajo që ma tha ajo vajza, atëherë kjo për mua ishte një e vërtetë të cilës nuk mund t'i bëja ballë. Ajo ka fjetur në shtratin tim, ka përdorë banjën time, rroba e mia, rrobat e shtratit tim dhe të burrit tim.

Kush nuk do të rrëqethej nga vet kjo ide. Kush nuk do të ndihej e poshtëruar dhe e mashtruar? Isha qenie njerëzore, e doja, por nuk kisha menduar kurrë se sa mund të më plagoste një dashuri e tillë, edhe atë gati një vit pas vdekjes së burrit të saj. - Nuk mund të mendoj rreth të së ardhmes - thashë me zë të ulët. - Në fillim më duhet t'i spastroj punët me të kaluarën. Tani gjendem në një humnerë, nga e cila më duhet të dal. Më duhet kohë që ta kthej vetëbesimin, i cili më është dëmtuar seriozisht - thashë duke ofsharë. Me dorë ledhatova flokët e tij të mëndafshta. Për herë të parë këtë e bëra në mënyrë instinktive, por vetëm pse këtë ma deshi zemra. Përfundimisht edhe zemra ime filloi që të çlirohej nga fantazmat e së kaluarës, nga dashuria, e cila nuk ishte ajo që duhej të ishte.

 Nëse do, do të rri me ty - tha Krenari. - Jo - e refuzova menjëherë. - Më fal, por kam nevojë për qetësi, më duhet të mendoj për gjithçka, si për të kaluarën, po ashtu edhe për të ardhmen. Duhet t'i qëroj hesapet me atë që ka ndodhur, në mënyrë që të mund të vazhdoj tutje. E, këtë mund ta bëj vetëm nëse jam vetëm. - Kuptoj - në zërin e Krenarit nuk kishte ofendim, por vetëm mirëkuptim. Dhjetë minuta më vonë, pasi që ngela vetëm, u nisa kah dhoma. Me neveri e shikova shtratin e fjetjes. Jo, aty nuk mund të flija.

Shkova në dhomë të mysafirëve. Këtu me gjasë Mali nuk kishte bërë seks me atë kurvën. Por, çka nëse ai kishte pasur edhe kurva të tjera? As kjo nuk do të më habiste më. Tërë natën e kalova duke menduar. Për fat, ishin më pas ditët e vikendit, kështu që mund të relaksohesha. Sikur ta dija, të gjitha punët i bëra me kohë dhe asgjë nuk më mbeti për ta marrë në shtëpi. Gjatë fundjavës do të kem kohë vetëm për veten time dhe për mendimet e mia. Fjeta pak para agimit, e lodhur nga mendimet nga të cilat doja të ikja. Menjëherë, të nesërmen, për befasinë time, erdhi ajo e përdala me fëmijën e saj.

Pash se ishte duke ardhur dhe ia hapa derën. Kisha vendosur që, pa marrë parasysh çka do të kërkonte ajo, unë nuk do t'ia plotësoja kërkesat. Vallë a do ta rrisja unë djalin, i cili ishte dëshmi e tradhtisë së Malit? As që më shkonte ndërmend. Pse do ta ndryshoja stilin tim të jetës, vetëm se kështu iu paska tekur një lavireje? Ajo është personi i cili duhet të ballafaqohet me pasojat e veprimeve të veta, e unë me të vërtetën e hidhur, që më kishte mashtruar burri. - Ja ku e keni fëmijën - tha ajo, duke tentuar që të ma linte djalin në dorë. U zmbrapsa, duke shikuar sikur para vetes ta kisha një përbindësh, gjë që, në njëfarë mënyre, ishte edhe e vërtetë. - Do ta thërras policinë dhe shërbimin social - thashë me zemërim.

Çfarë lidhje kam unë me këtë fëmijë? Nëse Mali nuk paska dashur që të bënte fëmijë me mua, atëherë si mund të ma besoni rritjen e djalit tuaj? - e pyeta. Fëmija filloi që të qante. Atë vajzë duhej dikush ta rrihte shpulla mirë e mirë, për t'ia bërë me dije se jo gjithmonë bëhet ashtu sikur dëshiron ajo. - Ju jeni gruaja e Malit - më tha me inat. - Isha - e korrigjova. - Mali nuk është më, e unë nuk kam ndërmend që t'i korrigjoj gabimet e tij, të cilat as që i bëri me mua. Më vjen keq vetëm nga fëmija - thashë me keqardhje. - Ky fëmijë … - vajza filloi ta humbte guximin. Në fytyrë i shihej dëshpërimi, derisa dje ishte një femër plot urrejtje dhe vetëbesim. Shihej se ishte në konflikt me vetë ndjenjat e veta. (vijon)

(Kosova Sot Online)