Roman dashurie: Lulet e djegura (6)

  • A.P /
  • 06 March 2022 - 10:47
Roman dashurie: Lulet e djegura (6)

Clarke dinte tërë atë që kishte arritur me biznesin e luleve, por ajo gjithmonë kërkonte mënyra për të bërë më shumë, apo më mirë. Kurrë nuk ishte tërësisht e kënaqur. Kjo me gjasë kishte të bënte me kritikat e vazhdueshme të nënës së saj, të cilat tani i ishin bërë pjesë e vetëdijes dhe ndërgjegjes. Këpucët e saj të forta kërcitnin mbi dysheme, derisa doli nga zyra dhe hyri në veturë. Ende kishte më shumë se 30 minuta para se ta hapnin dyqanin, por ajo ishte e sigurt se nuk do të mbetej e kënaqur me renditjen. Ajo ia kishte dhënë asistentit të menaxherit një hartë rreth asaj se si donte të dukej dyqani, në mënyrë që t'i rregullonte gjërat gjatë fundjavës, por Clarke nuk donte që t'ua besonte të tjerëve idetë e veta. Përpos kësaj, ajo donte që t'i shihte idetë e veta në terren, për ta ditur se a ishin aq të mira. Ajo shkoi deri para dyqanit, duke u mbështetur në derë, derisa shikonte me ngulm, për të parë se a mund të rregullohej më mirë. Orkidetë dhe karafilat ishin vendosur në pjesën e përparme të seksionit të ftohtë, me qëllim që t'i jepnin hijeshi dyqanit. Ato bliheshin më shpesh nga blerësit për mbrëmje të maturës, prandaj ajo përkujdesej që të ekspozoheshin të gjitha ngjyrat më të pëlqyera. Kishte edhe sugjerime të kombinimeve. Ajo iu afrua librit dhe numëroi faqet, duke e hapur atë mu në mes. Asaj i vinte që ta merrte metrin, për t'u siguruar se lulet ishin në një distancë të barabartë nga njëra-tjetra, si dhe nga libri, por ajo e dinte se kjo do ta nervozonte asistentin e menaxherit. Për këtë shkak, ajo i bëri ballë çrregullimit të saj obsesiv-kompulsiv. Më pas, ajo ia hodhi sytë seksionit lindor të dyqanit.

Aty ishte një libër ekspozues me nga një buqetë lulesh për Pashkë në dyqan. Njëra ndër buqetat kishte lule mëndafshi, kurse të tjerat kishin lule të vërteta. Që të dy aranzhmanët ishin të verdha, rozë dhe të kaltër. Ajo donte që të gjente të meta në këtë sektor, por dorën në zemër, aty çdo gjë ishte në rregull. Më në fund, prapa këndit, ajo kontrolloi një pjesë të vogël të seksionit të dasmave dhe ngjarjeve. Njerëzit martoheshin dhe mbanin ndeja përgjatë tërë vitit. Aty ishin dy tavolina të vogla me trëndafila të kuq, apo të bardhë, si dhe me foto unike të dasmave, sikur një shirit flokësh, një rrip, një kuti me pulla, bile edhe një kurorë lulesh. Këto ishin projektet të cilat i pëlqenin më së shumti që t'i bënte. Ato e detyronin atë që të mendonte. Edhe pse kurrë nuk do ta thoshte me zë, ishte ai seksion që e bënte atë krenare pse e posedonte atë vend. Ajo dëgjoi zërin e çelësave duke gërvishtur derën e qelqtë. Gjëja e fundit për të cilën kishte nevojë, ishin gërvishtjet në pjesën e përparme të dyqanit të saj. Clarke shikoi përpara dhe pa asistent menaxherin e saj, Katie, duke hyrë në derë. (vijon)


(Kosova Sot Online)