
Lexoni edhe:
Kushtetuta nuk e përcakton nëse fituesi ka të drejtë të ushtrimit të tri funksioneve: Kryetarin e Kuvendit, Presidentin dhe Kryeministrin
Shkruan: ANALISTI-Skender Kapiti
Sido që të thuhet për protestat madhështore në Shqipëri, a janë jopolitike apo a janë të organizuara politikisht, ajo që në demokraci është e vërteta, është fakti se gjithçka ka të bëjë me politikën, pasi është vetë politika ajo që merret dhe ajo që nxjerr alternativa politike dhe premton angazhime dhe realizime politike gjithfarëshe, si ekonomike, mirëqenie, punësim, arsimim, shëndetësi, ujë, drita e ndriçim, politika ambientaliste; politika është ajo që premton se punon për interesin publik e kombëtar dhe për gjithçka tjetër.
-Protestat në Shqipëri aktualisht janë protesta antipolitike në kuptimin se ato janë kundër politikës së vjetër të tranzicionit, si një politikë mashtruese e premtimeve të rrejshme, si politikë antipublike, e korruptuar dhe hajdute, e cila nuk ka kursyer as interesin kombëtar për interesa personale, partiake dhe klanore korruptive.
Thirrja “revolucion” e protestuesve ka kuptimin e asaj: për dëbimin dhe ndëshkimin demokratik e paqësor të të gjithë politikës së vjetër; pra kuptohet se duhet një politikë e re, një vizion i ri për triumfin e kombit dhe të demokracisë. Përditë e më shumë protestat vetëm sa rriten në numrin e pjesëmarrësve dhe vetëm sa rriten kauzat e saj, dhe si nxitje për këto vjen edhe qëndrimi nënvlerësues, arrogant dhe injorues që kryeministri u bën protestuesve dhe protestave.
Debati që mundohen ta nxisin antishqiptarët dhe pushteti e mediat mercenare të tij për pjesëmarrjen në këto protesta të shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia bëhet sa për të tërhequr vëmendjen nga kauzat e protestave, duke u përpjekur në dëshpërim që artificialisht të nxiten e fabrikohen debate sikur këto protesta nxiten nga shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë, por nuk përmendet ose anashkalohet fakti i pjesëmarrjes dhe mbështetjes së jashtëzakonshme të këtyre protestave nga diaspora e Shqipërisë, që proteston në kryeqytetet e shteteve evropiane dhe që ka vërshuar edhe në Tiranë.
Sot askush nuk mund të ndalojë që shqiptarët nga Kosova, Maqedonia dhe trojet shqiptare, as nga diaspora, të vijnë në Shqipëri dhe të mbështesin apo jo protestat e Qershorit, kur madje këto protesta po mbështeten edhe nga shtetas me kombësi të huaj që vizitojnë Shqipërinë. Mos të shqetësohet kryeministri i Shqipërisë pse ka mbështetje për këto protesta nga shqiptarë të Kosovës e të trojeve të tjera shqiptare, sepse këto protesta janë në ndihmë edhe të Kosovës, pasi a nuk ishte vetë ky kryeministër ai i cili shumë herë ka ndërhyrë në punët e Kosovës dhe madje i ka shkaktuar dëme të mëdha Kosovës si mbështetës i projekteve të Beogradit kundër Kosovës. Edi Ramës tani i janë konsumuar mashtrimet, intrigat, shpifjet dhe hipokrizitë; të paktën tashmë, moralisht, është i rënë dhe i humbur, dhe atë nuk e shpëtojnë as “batutat” bajate e të pështira, as retorikat e veta, të cilave tashmë as ai vetë nuk u beson më. I ka rënë miti fals.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".