Roman dashurie: Lulet e djegura (8)

  • E.K /
  • 08 March 2022 - 15:52
Roman dashurie: Lulet e djegura (8)

Po, zonjë. I vendosa në dollapin më të lartë, në të djathtë, me mbështjellës të zi", u përgjigj Katie. Clarke shkoi në drejtim të pjesës së pasme të dyqanit të luleve me vendosmëri, në vendin ku gjendej zyra. "Faleminderit; çka do të bëja pa ty, Katie?" "Lute Zotin që ta zgjatë ditën, në mënyrë që të mund t'i bësh të gjitha vetë", tha Katie si me shaka, por, sikur që thonë, çdo shaka është gjysmë e vërtetë. Clarke aktualisht ia doli që të merrte ca lule duke u larguar, apo thënë më mirë, duke ikur nga dera. Më pas do t'i duhet që të dalë me shpejtësi dhe të hante diçka me shpejtësi në kafene, rrugës për te vetura. Nuk i pëlqente ideja që të kishte thërrime të ushqimit në rroba dhe në veturë, por nuk donte që të humbte kohë duke ngrënë, derisa atë kohë mund ta kalonte me ndonjë klient, të cilin do ta bënte të lumtur.

Kur ajo hyri brenda, pa se Joe ishte duke ngrënë, bile me gojën plot, gjë që donte të thoshte se nuk mund ta vononte me komentet e tij. Shkoi te banaku dhe porositi një gjevrek dhe krem djathi, duke paguar derisa ata ia ngrohnin ushqimin. Më pas ia dhanë gjevrekun duke ia vendosur kremin e djathit përmbi. Ajo me të shpejtë u nis kah vetura, duke e kafshuar gjevrekun dhe duke e aktivizuar GPS-in. Ajo e kishte programuar shtëpinë e asaj gruaje një ditë më parë, në mënyrë që të jetë e gatshme. Ajo kishte një pronë të madhe në anën tjetër të qytetit, në një lagje të pasur. Clarke hëngri gjevrekun praktikisht duke u ngufatur, derisa voziste poshtë rrugës, ku shoferët e tjerë ia bënin me sirenë, për shkak se voziste keq. Por, ajo nuk donte që ta shpenzonte kot orarin e punës, pa bërë gjë. Ajo donte që ta shfrytëzonte edhe pauzën e drekës për çështje të punës. Ajo ia preu udhën një automobili të zi sportiv, e më pas pa se shoferi ia qiti gishtin e mesëm, në shenjë ofendimi. Asaj nuk i bëri përshtypje ky gjest, por vetëm vazhdoi rrugën duke arritur në destinacion. Ia dha emrin rojës që ishte te porta, i cili ishte një person aq i dobët, saqë nuk do të mund ta ndalte asnjë person të hynte me dhunë aty.

Ajo më pas hyri nëpër portë me veturë. Ajo e kishte parë këtë shtëpi në një revistë në të cilën ishte e parapaguar. Kishte ngjashmëri me Shtëpinë e bardhë, por në miniaturë. Ishte një shtëpi e tëra e bardhë, pa asnjë ngjyrë tjetër, pos derës së zezë të drunjtë. Dhe, i kishte ca shtylla anash. Clarke shikoi GPS-in për ta gjetur ndërtesën "Prairiedog". Në fund të rrugës, në një qorrsokak, gjendej mansioni i madh ku duhej që të takohej me atë gruan. E pengonte fakti pak që do të takohej me një grua, tek e cila do të donte të linte përshtypje të mirë, te një grua e cila jetonte në një shtëpi aq të mirë, saqë ishte në gjendje që ta paguante një dekorator - atë - të veçantë, për t'ia dekoruar shtëpinë. Por, ajo i kishte premtuar vetes se do të bënte gjithçka që do të mundte.

Ajo erdhi dhe u afrua te dera, e cila si për mrekulli, u hap vetvetiu. Stafi do të duhej të ishin duke e pritur atë. Pa e këmbyer asnjë fjalë, ajo pasoi një njeri të veshur në kostum, i cili e çoi atë në një dhomë formale të ditës, të kompletuar me mobilie antike dhe ku ia bënë me dorë që të ulej në një kauç. Më pas, njeriu u zhduk në një korridor të gjatë, i cili çonte deri te disa dhoma të tjera. Ajo filloi që ta pyeste veten se sa dhoma të gjumit dhe sa banja duhet të jenë në atë shtëpi dhe pse një çifti të vjetër i nevojitej një hapësirë aq të madhe. (vijon)

(Kosova Sot Online)