Roman dashurie: Lulet e djegura (11)

  • E.K /
  • 11 March 2022 - 14:32
Roman dashurie: Lulet e djegura (11)

KAPITULLI I GJASHTË

Clarke ecte rreth dyqanit të saj, me duart e kryqëzuara, duke pasur kujdes ku shkelte, për shkak të shtresës së madhe të hirit. Dëmi më i madh ishte bërë në pjesën lindore të dyqanit, duke arritur deri te pjesa e dasmave. Të gjitha lulet që gjendeshin në atë pjesë, edhe nëse nuk ishin djegur, ishin të dëmtuara nga tymi dhe uji, prandaj nuk mund të shiteshin. I tërë muri i djathtë ishte djegur, prandaj duhej të zëvendësohej. Përpos kësaj, pa marrë parasysh çka e kishte shkaktuar zjarrin, duhej të rregullohej.

Kjo i shkaktonte stres të madh, sidomos kur e dinte se ende kishte klientë të cilët duhej t'i vizitonte dhe ta ruante gjakftohtësinë. Sidomos, e kishte të vështirë t'i paramendonte kritikat dhe përqeshjen, nëse do ta merrte vesh e ëma. Kjo duhej të rregullohej shpejt. Dëgjoi një të trokitur në xhamin përpara. Kur e ngriti kokën, Clarke pa një djalë me xhinsi dhe me këmishë. Supozoi se ai djalë do t'i tregonte se sa do t'i kushtonte riparimi i rrjetit elektrik, por pse ai do të vishej aq mirë, për ta bërë një vlerësim të tillë, në një dyqan gjysmë të djegur? Clarke i tha atij që të hynte dhe u përshëndetën duke i shtrënguar duart.

"Unë jam Clarke Bennett. Ju duhet të jeni Trevor, apo jo?"- e pyeti ajo, duke e shikuar nga koka deri te këmbët. Në mënyrë që të vinte ai djalë aty, asaj i ishte dashur që të kërkonte një favor nga një djalë tjetër, me të cilin kishte kaluar disa net, pak kohë më parë. Ai ishte teknik elektricist në njëfarë kompanie dhe, djali të cilin e kishte dërguar, ishte mbikëqyrësi i tij. Ajo shpresonte që ky erifi të mos i dinte detajet intime të lidhjes së saj me kolegun e tij. "Po, unë jam. Duket se këtu paska pasur goxha njëfarë zjarri", tha ai, duke shikuar përreth.

Kjo sjellje e tij asaj ia kujtoi komikun e saj të preferuar, Bill Engval dhe rreth skeçit të tij për të marrët, që kanë nevojë për një shenjë. Ky djalë ishte njëri ndër ta: ai nuk kishte nevojë ta theksonte atë që ishte evidente. Ishte evidente se kishte pasur zjarr". Clarke i rrotulloi sytë para se të pohonte me kokë, duke ia dhuruar atij një buzëqeshje miqësore. Ajo e çoi atë te vendi më i dëmtuar dhe ai filloi që të shikonte përreth, duke analizuar. Ai dukej më shumë si një sharlatan, sesa si një profesionist. Përfundimisht, ai u drejtua dhe iu afrua asaj, duke nxjerrë një copë letër nga xhepi, bashkë me një laps.

Ajo dukej e nervozuar, derisa ai shkruante një shumë parash, duke e nënshkruar më pas. Ajo supozoi se kjo ishte mënyra e tij e bërjes së vlerësimeve në rastet e tilla. Ai filloi t'ia shpjegonte Clarke-s se çka kishte ndodhur, duke përdorë shprehje profesionale, për ta bërë veten që të dukej më i aftë sesa që ishte me të vërtetë. Clarke nuk mundi pa reaguar,kur dëgjoi të përmendej një shifër tepër e lartë parash. "Çka dreqin është kjo?", pyeti ajo me sarkazëm. "Ik, more! Nuk ka gjasa që të më rrjepësh kështu", bërtiti ajo, e gatshme që ta nxirrte djaloshin jashtë, sikur ai të ishte farë lypësi. Trevor i ngriti duart lart dhe filloi të zmbrapsej në drejtim të derës. "Shikoni, zonjë! Kështu është kur punon me një franshizë. Mua nuk më pyesin shumë në këtë drejtim. Shoh që jeni e interesuar për një marrëveshje sa më të volitshme, prandaj do t'ju këshilloj diçka. Ju, si të doni, bazohuni te këshillat e mia, apo injoroni ato". Ajo nuk kishte kohë shumë për pallavra, por vlerësoi sinqeritetin e tij. (vijon)

(Kosova Sot Online)