Roman dashurie: Lulet e djegura (13)

  • E.K /
  • 15 March 2022 - 15:49
Roman dashurie: Lulet e djegura (13)

Ajo pa po ashtu se pjesa më e madhe e murit ishte hapur, me gjasë që ai të mund t'i rregullonte të gjithë telat. Një çekiç i madh gjendej në dysheme, në kënd. Shumica e luleve tanimë ishin larguar, apo ishin vendosur në thasë, për t'u hedhur në mbeturina. Ajo filloi të mendonte, sa orë mund të kishte punuar ai, apo a kishte fjetur apo jo. "A dëshiron që të shkoj e të ta sjell një kafe?", tha ajo me zë të lartë, për shkak të zhurmës. Ai e shikoi atë, duke nxjerrë dëgjueset nga veshët. Me gjasë ishte duke dëgjuar muzikë. "Që sa kohë je këtu?", e pyeti ajo.

Ai ngriti dy gishta lart, gjë që donte të thoshte dy orë. Ajo ngriti filxhanin e saj lart dhe ia bëri me shenjë kah kafeneja. Nuk ishte se Clarke ishte e zonja me gjuhën e shenjave, prandaj ai filloi që të qeshte aq shumë, sa që edhe trupi filloi t'i dridhej. Por, më pas ai ngriti gishtin e madh të dorës lart dhe doli bashkë me të, duke lënë zhurmën prapa. Derisa ai doli jashtë, Clarke deshi ta mbyllte dyqanin. Edhe pse ishte në një gjendje të tillë, ajo nuk donte ta linte atë pa dry. Por, pa se nuk e kishte çelësin. Vrapoi Vince-it për ta marrë çelësin, por ai e siguroi se "askush nuk do të hyjë". Ajo mundohej që ta mbante hapin me të, derisa pa Joe-n duke iu afruar arkës. Mrekulli, vetëm ai i duhej në këto momente.

Çka do të mendonte ai për të, pasi që do ta shihte me Vince-in, pas tërë atyre herëve që ajo e kishte refuzuar atë? Joe shikoi me të shpejtë në drejtim të tyre, para se ta merrte, pa thënë gjë, porosinë e Vince-it. Ishte mrekulli që ai nuk tha ndonjë ofendim, apo nuk tentoi që ta bindte atë se ai do të ishte djalë më i mirë për të. Ndoshta ajo do të duhej ta qeraste Vincein më herët me kafe aty! Kafja e tij nuk u vonua dhe ajo ia mësyu derës.

Por, në vend se të dilte edhe ai, Vince u ul në një ulëse afër dritares. Ajo filloi të mërdhinte, duke e pyetur veten se çka donte ai. "A nuk ke nevojë për një pauzë të shkurtër, që të ulesh këtu? Ta pimë kafen rehat?" Ai e ngriti filxhanin e vet në shenjë dollie, para se të fillonte ta pinte atë dhe të shikonte jashtë, nga dritarja. Clarke u ul me kujdes përballë tij, me këmbët që i dridheshin lehtë. Ajo ishte anksioze dhe donte të merrej me diçka, por kuptoi se nuk kishte me çka të merrej dhe çka të bënte, pos të priste derisa ai ta mbaronte kafen dhe ta shikonte përsëri duke punuar. Thellë në vete e dinte se ajo, thjesht, duhet ta linte atë që ta kryente punën derisa ta bënte lokalin përsëri në gjendje që të punonte, por ajo nuk ishte e zonja për kontrollimin e pasioneve. "Kështu, pse bash një dyqan lulesh?", e pyeti ai pas disa momentesh.

Ajo e shikoi atë thuajse e befasuar nga kjo pyetje. "Me gjasë për shkak se ai të ofron shumë mundësi. Mund të bësh shumë gjëra me lule. Mendoja se ai dyqan ishte investim i mirë". Pasi që e tha këtë me zë të lartë, Clarke kuptoi se sa e mjerë do të jetë dukur ato momente, e edhe ai me gjasë mendoi të njëjtën gjë. "Uh", bëri ai. "Përpos që shet lule, çka bën tjetër?" "Ja, ndihmoj në bërjen e planeve për ngjarjet sikur ditëlindjes, ndejat dhe dasmat. Kam takime të shumta me klientët". (vijon)

(Kosova Sot Online)