Roman dashurie: Lulet e djegura (16)

  • E.K /
  • 18 March 2022 - 15:51
Roman dashurie: Lulet e djegura (16)

Clarke shikoi e tronditur. "Ti je e martuar, Katie!" "Po, unë jam, por ti nuk je". "Ai vetëm është duke ma rregulluar zyrën për një çmim të mirë dhe do të dalë nga jeta ime pas pak ditësh". "Mmm, okej. Do të të besoj, tani për tani. Por, le të fillojmë me ato thirrjet telefonike, apo jo"? Katie nxori celularin dhe filloi aty ku kishte mbetur. Katie u nervozua nga fakti që, dy numrat e parë që i thirri, ishin të fikur, derisa Clarke përfundoi duke u grindur edhe me një njeri tjetër në telefon. Sapo deshi që të hiqte dorë, ajo dëgjoi Katien duke biseduar me dikë. Dukej se ishte në rrugë të mirë që ta bindte atë për t'iu ndihmuar. "OK, ju faleminderit shumë që na ndihmoni.

Ne me të vërtetë jemi borxhlinjtë tuaj. Keni bërë një myshteri për tërë jetën. Po, mund të pres", e dëgjoi ajo Katien duke thënë, para se ta dëgjonte zërin e muzikës nga ana tjetër e telefonit. Katie e ngriti kokën dhe i buzëqeshi Clarke-s. Bëhet fjalë për një fidanishte, që ka shumë mall dhe do të ishte e lumtur të shiste më shumë. Ajo do ta marrë porosinë tonë dhe do të na e sjellin mallin menjëherë. Nuk janë aq larg". Katie u kthye te telefoni, pasi u ndal muzika dhe e prezantoi Clarke-n, duke ditur se kjo e fundit do të kishte specifika.

Katie shikoi përpara, derisa dëgjoi dikë duke trokitur, me gjasë për atë porosinë e parë dhe Vince erdhi prapa, për t'ia filluar punës aty. Clarke i buzëqeshi dhe u zhvendos, që t'ia lëshonte rrugën. Clarke mbaroi porosinë dhe doli para dyqanit, kur dëgjoi zërin e një personi, prapa njeriut që bartte lulet. "Pa-pa-pa, çka është duke ndodhur këtu?", pyeti nëna e saj, derisa Clarke hetoi sesi kaplohej nga paniku. Ky nuk ishte momenti më adekuat që të paraqitej ajo në dyqan. Pjesa e pasme ende ishte e dëmtuar dhe aty nuk kishte lule. Asaj i duhej që të trillonte diçka, me të vërtetë shpejt. "Jam duke bërë disa ndryshime, për disa klientë të mëdhenj. Sapo kam bërë një kontratë të madhe me një grua e cila jeton në një lagje të pasur në Prairiedog", tha ajo, duke bërë me dorë me nervozizëm.

Vetëm nëna e saj mund ta nervozonte kaq shumë. "Mmm, a je e sigurt?", e pyeti, duke u shëtitur nëpër dyqan, me shikimin e saj kritik. Clarke hetoi se e ëma nuk i besonte. Natyrisht, vajza e saj nuk mund të ishte kurrë aq e mirë, sa që të mund ta gënjente atë. Clarke përgatitej që të thoshte diçka, kur Vince hyri në dhomë. Goja e tij ishte e hapur sikur të përgatitej për t'i thënë Clarke-s diçka, por kjo e fundit në mënyrë diskrete ia bëri me kokë, derisa nëna e saj shkonte në drejtim të tij, duke e shikuar sikur shqiponja prenë e vet. "E ky, kush është?", pyeti e ëma me sy të picërruar. Vince kishte veshur xhinsi të shqyer dhe një bluzë e cila me gjasë kundërmonte nga djersa. Clarke nuk dinte çka t'i thoshte të ëmës. "Jam duke pritur. Pse është ky njeri këtu? Ai nuk duket aspak si njeri që merret me shitjen e luleve", tha zonja Bennett me një qeshje ironike. (vijon).

(Kosova Sot Online)